
(Nga njëra parti në tjetrën...)
Zgjedhjet e 11 majit janë një formalitet i zakonshëm dhe ustallarët duket se i kanë mbaruar pazaret… Mjerë populli!
Javë humori. Hidh e prit Luli me Ramën, turret Berisha nga SPAK-u për t'i vënë vulën. Listat për deputetë të cilat sapo kanë dalë, janë si të thuash edhe një merkato për t'u shkëputur nga partia opozitare tek ajo qeveritare.
Tani pas Lulit që po kërkonte Ramën, se nuk i rrihej pa e thumbuar, si dikur një personazh i dëgjuar në Tiranë me emrin Shaban Qosja.
Shabani i gjatë në punë të vet si shitës pranë një barake fruta- perimesh në rrugën e Kavajës, pranë Kishës Katolike e ngacmonte me humor tironsish i ndjeri futbollisti i ‘17 Nëntorit’ mjeshtri Perekli Dhales. Kur nuk e ngacmonte njeri Shabani fillonte vetë me thumba ndaj sportistëve si Lul Basha që ka humor të stilit të Shabanit.
Rama mbaroi shpejt punë me Lulin me batutën: "Po ku je ore Luli se na thave sytë?" Të futet në mes doktori me batutë për xhepistin e autobuzëve se në fakt si i vjetër në Tiranë i mban mend mirë xhepistët, se kur e kujton ku e kishte shtëpinë e parë që i pat dhënë partia atij vendi i thoshin: "Aty ku ndanin lekët hajdutët," tek shkolla 8-vjeçare "Bajram Curri".
Humorin e ngre më tej Rama me ish deputetin demokrat që ka rënë në dashuri me idetë socialiste të "Rilindjes." Deri më sot këto eksperimente me merkaton e deputetëve kanë qenë normale. Filloi më 26 Majin e 96-s me mjekun nga Librazhdi Sali Rexhepi i cili, meqë ishte i vetmi që theu vendimin e hyri në Parlamentin e bojkotuar nga socialistët, u stigmatizua atëherë nga të vetët si tradhtari gjëmëbërës. Dhe e kaloi ylberin "kafkëthyersi i demokratëve" Kastriot Islami, i cili pasi ishte kërcënuar me jetë nga regjimi i Berishës u arratis drejt Gjermanisë. Dhe siç thuhet rëndom “Kurrë mos thuaj kurrë" ose "Mos e beso po deshe!" u rreshtua në krah të PD-së, si një çilimi nga inati që kish me Edi Ramën.
Kjo situatë groteske pa dashje lë shije tek elektorati gri ose i pavendosur, por më keq akoma rrit numrin e votuesve që abstenojnë. Jo vetëm që nuk është serioze se i humbet shpresat elektoratit, por e ul aq poshtë fjalën politikë, sa që nuk ia vlen të kristalizosh idenë se kush është pozita dhe kush opozita? As që ka një qëndrim në vazhdimësi nga strukturat partiake të cilat bëjnë një jetë aktive.
Nuk fuksionon asnjë shkollë trajnimi si modele për të përgatitur politikanët e së ardhmes?
Një vëzhgim i drejtpërdrejtë nga mediat në ditët në vazhdim jam i bindur se do të na i shtojë dozat e humorit nga kryetarët e partive të cilët me listat për deputetë, as që duan t'ia dinë për kërkënd.
Në forumet e partisë janë "vetë Ali dhe vetë kadi". Tradhtarë është fjalë e madhe t'i quash ca e ca njerëz që kalojnë sa nga një parti në tjetrën. Të penduar është gjynah se këta kanë qenë qysh në djep të lindur pragmatistë dhe shkojnë aty ku iu leverdis. Frikacakë, apo jo? Po kush ia ka ngenë që t’i kërcënojë këta djem e vajza, këto farë "sokoli?"
Zgjedhjet e 11 majit janë një formalitet i zakonshëm dhe ustallarët duket se i kanë mbaruar pazaret… Mjerë populli!
Ndarja mes pozitës dhe opozitës është aq e ngushtë sa edhe 29 Nëntori, "dita kur u largua gjermani i fundit", data që i mbante skalionet politike në luftë për jetë a vdekje, tashmë është pranuar edhe nga ballistët si Alban Zeneli apo Halit Valteri. Kjo po, që është arritje politike e qeverisë dhe ka ndikim ose impakt në çështjen e pajtimit kombëtar. Ndonëse ballistët e vjetër në kohën e luftës, ndonjëherë, kur i kërkonin besën ndonjë shqiptari, kishte qëlluar që ai shqiptar ua kishte dhënë besën edhe partizanëve. E zgjidhte shqiptari me besë, duke e strehuar, njërin në katin e parë, tjetrin në katin e dytë… Mos me thënë, si trim, i detyronte të dyja palët të hanin e të pinin dhe, pasi i kishte dendur me raki, u kishte vënë shtroje për të fjetur bashë… Se fundja, bij’ nënash shqiptare ishin… Kur gdhinte dita, secili shkonte në punë të vet…
Të tilla arritje ua hoqën nga dora një ballist të fortë dy partive balliste me histori nga më të vjetrat, të cilat, për nga platforma politike, janë social-demokrate e ja, që e ka gjetur me intuitë zoti Rama pikën ku i bashkon socialistët me ballistët./Pamfleti
Lini një Përgjigje