Rikthimi në politikën aktive i liderëve karizmatikë, paraqitet shpesh si zgjidhje për krizat e partive dhe të demokracisë. Por përvoja greke tregon se mesianizmi politik mund të vonojë rinovimin e vërtetë, duke e mbajtur të ardhmen peng të figurave të së shkuarës...
Alexis Tsipras u rikthye në qendër të politikës greke në një mbrëmje të ngrohtë maji në Thiseio, nën hijen e Akropolit. Ish-kryeministri dhe ish-kreu i Syriza-s shpalli krijimin e Aleancës së Majtë Greke, duke shënuar rikthimin e tij pas tre vitesh larg politikës aktive. Kthimi i tij vjen pas humbjes shkatërruese të Syriza-s në zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, kur Demokracia e Re siguroi një fitore të thellë dhe e reduktoi partinë që dikur premtonte transformimin e Greqisë në një forcë politike periferike.
Prezantimi i partisë së re ishte menduar me kujdes për të përcjellë mesazhin e ripërtëritjes dhe vetëbesimi. Edhe akronimi i saj, ELAS, mbart një peshë të veçantë historike, duke kujtuar Ushtrinë Popullore Greke për Çlirimin, forcën e rezistencës së udhëhequr nga komunistët gjatë pushtimit nazifashist.
Sondazhet e para tregojnë se formacioni i ri i Tsipras po fiton terren, i ndihmuar nga boshllëku që e ka karakterizuar opozitën greke që prej vitit 2023. Ndërsa Demokracia e Re dhe Kyriakos Mitsotakis kanë qeverisur me pak presion parlamentar, partitë në të majtë janë dobësuar nga konflikte të brendshme.
Tsipras po përpiqet ta pushtojë sërish këtë hapësirë politike. Megjithatë, nisma e tij e re mbart një barrë të rëndë politike. Kështu Tsipras paraqitet edhe njëherë si figura që mund të shpëtojë dhe të riorganizojë të majtën.
Por shumë njerëz në kampin progresist grek e shohin me shumë dyshim. Për ta, emri i tij lidhet me një histori përçarjesh dhe zhgënjimesh, nga kthesa e famshme drejt masave shtrënguese në vitin 2015 deri te kolapsi i Syriza-s pas vitit 2023.
Partia e re mund të prezantohet si një fillim i ri, por pyetja mbetet e njëjtë: a është Tsipras këtu për të rindërtuar të majtën apo për të përfunduar procesin e shkatërrimit të saj? Karriera e tij politike mund të lexohet si një histori fragmentimi të pandërprerë.
Në vitin 2013, Syriza kaloi nga një koalicion forcash dhe tendencash politike në një parti të vetme dhe të centralizuar, një lëvizje që e forcoi lidershipin e Tsipras, por që ekspozoi dhe dobësoi rrymat e brendshme kritike, veçanërisht Platformën e Majtë.
Megjithatë ndarja më e madhe ndodhi në vitin 2015. Pasi fitoi zgjedhjet me premtimin për t’i dhënë fund politikave të ashpra të kursimit, Tsipras organizoi referendumin e famshëm ku 61 për qind e qytetarëve votuan kundër kushteve të kreditorëve ndërkombëtarë.
Vetëm pak ditë më vonë, ai pranoi një paketë të tretë shpëtimi financiar. Për një pjesë të madhe të krahut të majtë të Syriza-s, kjo u perceptua si një tradhti e dyfishtë: militantëve iu kërkua të mbronin një mandat radikal që më pas u braktis, ndërsa rezultati i referendumit u anashkalua praktikisht.
Përçarja që pasoi shënoi fundin e epokës së Tsipras si udhëheqës i së majtës radikale. Pas humbjeve në zgjedhjet europiane dhe parlamentare të vitit 2019, si dhe në të dy raundet e zgjedhjeve të dyfishta të vitit 2023, Tsipras dha dorëheqjen nga drejtimi i Syriza-s, duke lënë pas një parti në krizë pa bërë asnjë analizë serioze të dështimeve të tij.
Në këtë boshllëk politik hyri Stefanos Kasselakis, një ish-punonjës i bankës amerikane Goldman Sachs dhe figurë pothuajse e panjohur në politikë, fushata e të cilit u mbështet kryesisht te marketingu personal dhe rrjetet sociale.
Kasselakis mposhti Effie Achtsioglou, ish-Ministren e Punës që konsiderohej si përfaqësuese e vazhdimësisë së partisë, dhe e shndërroi pothuajse menjëherë Syriza-n në një organizatë që ngjante më shumë me një kompani startup të dështuar sesa me një forcë politike serioze.
Deputetë dhe figura të rëndësishme u larguan, u formalizua një tjetër ndarje e brendshme dhe në nëntor 2024, Syriza e humbi statusin e opozitës kryesore, duke u kaluar nga PASOK-u pasi grupi i saj parlamentar u reduktua në vetëm 29 deputetë.
Për më shumë se dy vjet, Tsipras e pa në heshtje partinë e tij të shpërbëhej, ndërsa ndërtonte paralelisht imazhin e tij të ri publik. Ai mori pjesë në një program kërkimor në Harvard dhe priti deri në tetor 2025 për të dorëzuar mandatin e deputetit.
Edhe kjo tërheqje e pretenduar nga politika zgjati më pak se tetë muaj. Në thelb, sjellja e tij nuk jep përshtypjen e një politikani që kërkon të shkëputet nga e kaluara. Përkundrazi, krijimi i ELAS-it e vendos Syriza-n përballë një dileme ekzistenciale: ose të shkrihet gradualisht në projektin e ri të Tsipras, ose të mbijetojë si hija e partisë që dikur e bëri atë lider kombëtar.
Që të dyja rrugët çojnë drejt një tjetër përçarjeje në të majtën greke. Pikërisht për këtë arsye simbolika e ELAS-it ka kaq shumë rëndësi. Ajo i referohet kujtesës historike të rezistencës së majtë, ndërsa gjuha politike e projektit të ri huazon elementë nga e djathta.
Gjatë prezantimit, Tsipras foli për sigurinë kufitare, promovoi idenë e një “patriotizmi të ri” dhe përdori një diskurs kombëtar mjaftueshëm elastik për të qetësuar pothuajse çdo segment të elektoratit. Ai kërkon besnikërinë e ish-bashkëpunëtorëve të tij pa adresuar dëmet që ka lënë pas.
Nuk është çudi që disa nga aleatët e tij të dikurshëm e kanë pritur me përçmim nismën e tij.
Politika greke ka ndryshuar që kur Tsipras u largua në vitin 2023, por jo në drejtimin që ai mund të kishte shpresuar.
Demokracia e Re ka mbijetuar pjesërisht duke mbajtur gjallë kujtesën e qeverisjes së Syriza-s si një paralajmërim për votuesit. Sipas Mitsotakis, Greqia nuk duhet të rikthehet kurrë më në atë periudhë.
Shumë qytetarë e pranuan këtë argument në vitin 2023, duke i dhënë atij një fitore aq të thellë saqë e majta nuk u duk thjesht e mundur, por e diskredituar. Që atëherë, qeveria është përballur me skandale financiare dhe akuza për korrupsion shtetëror.
Megjithatë, asnjë prej këtyre zhvillimeve nuk ka sjellë rënien që kundërshtarët e saj kishin parashikuar. Shumë grekë që dikur shihnin te e majta një alternativë, nuk e bëjnë më këtë. Partitë e ekstremit të djathtë po fitojnë terren dhe sondazhet e fundit tregojnë se së bashku mund të përfaqësojnë afërsisht një të katërtën e elektoratit.
Rikthimi i Tsipras, mund të kishte nisur me përulësi dhe me një përpjekje për të riparuar dëmet që vetë shkaktoi. Në vend të kësaj, ai ofron edhe një akt tjetër mesianizmi politik, pa bërë asnjë përpjekje serioze për bashkim.
Ajo që Tsipras duket se nuk arrin të kuptojë, është dëmi më i gjerë që i ka shkaktuar vetë së majtës greke. Bilanci i qeverisjes së tij largoi shumë qytetarë nga politika progresiste. Premtimi kundër kursimit ekonomik u shkatërrua nga i njëjti lider që kishte premtuar fundin e memorandumeve me kreditorët ndërkombëtarë, ndërsa qeveria e tij braktisi pikërisht ato shtresa shoqërore që e kishin sjellë në pushtet.
Rezultati është një lodhje politike që vazhdon të ndihet në shoqërinë greke, ku çdo përçarje e re rikthen të njëjtat plagë të vjetra. Një shprehje e teoricienit politik Ernesto Laclau tingëllon veçanërisht aktuale sot: në momentet e fragmentimit politik, uniteti mund të krijohet përmes një emri, sepse “emri është themeli i vetë sendit”.
Tsipras po përpiqet që emri i tij të mbajë mbi supe peshën e një të majte që nuk di më si të bashkohet. Rikthimi i tij u kërkon njerëzve ta trajtojnë historinë e tij politike si një fillim të ri.
Por për shumëkënd, ai mbetet thjesht një figurë e njohur që kthehet mes rrënojave që vetë ka shkaktuar, duke kërkuar edhe një herë të konsiderohet si i vetmi njeri i aftë për t’i riparuar ato./Pamfleti nga “New Statesman”
Shënim: Georgios Samaras është profesor i asociuar i Politikave Publike në Policy Institute dhe International School for Government pranë King’s College London.
Lini një Përgjigje