
Mes mijëra qytetarëve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një kënd i veçantë ka spikatur gjatë protestës së së shtunës para Kryeministrisë. Ndërsa të rriturit vijojnë tubimin kundër qeverisë, fëmijët kanë gjetur mënyrën e tyre për të qenë pjesë e atmosferës përmes artit dhe krijimtarisë.
Prindër që kanë marrë me vete fëmijët në protestë kanë organizuar një hapësirë të posaçme ku të vegjlit mund të pikturojnë dhe të kalojnë kohën në mënyrë kreative. Në asfalt janë vendosur letra, tabakë vizatimi dhe bojëra, ndërsa fëmijët shfaqin talentin e tyre përmes vizatimeve shumëngjyrëshe.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë të mitur të përqendruar në punimet e tyre artistike, larg zhurmës së thirrjeve politike, por në të njëjtën kohë pjesë e atmosferës së protestës që ka mbushur qendrën e kryeqytetit.
Ky kënd është kthyer në një nga momentet më të veçanta të tubimit, duke sjellë një kontrast me mesazhet politike dhe pankartat që dominojnë protestën. Shumë qytetarë janë ndalur për të parë vizatimet e fëmijëve dhe për të fotografuar momentet e krijuara prej tyre.
Protesta e ditës së shtatë është karakterizuar jo vetëm nga pjesëmarrja masive dhe thirrjet kundër qeverisë, por edhe nga prania e familjeve të shumta, të cilat kanë zgjedhur të marrin pjesë së bashku në tubim. Përmes këtij këndi artistik, organizatorët dhe prindërit kanë synuar t'u krijojnë fëmijëve një ambient të sigurt dhe argëtues gjatë qëndrimit në bulevard.
Lini një Përgjigje