TAGS-AT E JAVËS

Sport2026-07-01 08:37:00

U eliminuan nga Kupa e Botës 2026, Ronald Koeman jep dorëheqjen si trajner i Holandës

Shkruar nga Pamfleti
U eliminuan nga Kupa e Botës 2026, Ronald Koeman jep dorëheqjen si
Ronald Koeman, ish-trajneri i Holandës

Ronald Koeman ka dhënë dorëheqjen nga posti i trajnerit të kombëtares së Holandës, menjëherë pas eliminimit zhgënjyes nga Maroku në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026.

Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, 63-vjeçari konfirmoi largimin nga drejtimi i përfaqësueses, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për dështimin e "Tulipanëve".

“Dje mora vendimin për t’i dhënë fund periudhës sime si trajner i kombëtares holandeze. Të gjithë ndanim ëndrrën për të bërë histori në këtë Botëror, por nuk ia dolëm. Askush nuk është më i zhgënjyer se unë. Si trajner, përgjegjësia bie mbi mua”, shkroi Koeman.

Ish-mbrojtësi legjendar i Holandës kishte marrë drejtimin e kombëtares në janar të vitit 2023, duke nisur mandatin e tij të dytë, pasi më parë kishte qenë në krye të ekipit edhe gjatë periudhës 2018-2020.

Në reagimin e tij, Koeman la të kuptohej gjithashtu se mund të tërhiqet edhe nga profesioni i trajnerit, duke zbuluar se situata familjare ka ndikuar në vendimin e marrë.

“Vitet e fundit më kanë bërë të kuptoj se ka gjëra më të rëndësishme se futbolli. Futbolli ka qenë jeta ime, por shëndeti është i paçmuar. Kur njeriu që do më shumë po përballet me një betejë të vështirë, këndvështrimi yt ndryshon. Pavarësisht sëmundjes së saj, bashkëshortja ime Bartina më ka mbështetur çdo ditë për ta përfunduar këtë mision. Jam pafundësisht mirënjohës ndaj saj”, shtoi ai.

Edhe drejtori teknik i Federatës Holandeze të Futbollit (KNVB), Nigel de Jong, e cilësoi paraqitjen e ekipit në Botëror si një dështim, duke pranuar se objektivat nuk u arritën.

“Objektivi ynë ishte të arrinim në gjysmëfinale, ndërsa ambicia ishte të shpalleshim kampionë bote. Fatkeqësisht nuk e realizuam. Duhet të jemi të sinqertë, jemi ende larg nivelit që synojmë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Federata Holandeze dënoi ashpër komentet raciste të drejtuara ndaj Justin Kluivert, Quinten Timber dhe Crysencio Summerville, të cilët humbën penalltitë në ndeshjen ndaj Marokut.

KNVB njoftoi se rastet do t’i raportohen autoriteteve kompetente për diskriminimin në internet, me synimin që autorët e komenteve të urrejtjes të mbajnë përgjegjësi ligjore.

“Futbolli bashkon miliona njerëz, ndërsa diskriminimi bën të kundërtën. Ai bie ndesh me gjithçka që përfaqëson futbolli”, thuhet në reagimin e Federatës Holandeze.

Lini një Përgjigje