Kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, është shpallur e pafajshme nga Gjykata e Posaçme, lidhur me akuzën e ngritur nga SPAK për veprën penale të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila arsyetoi se gjatë gjykimit nuk u provua se Bufi kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej. Kryebashkiakja u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë gjatë gjithë procesit.
Më herët, Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar dënimin e saj me 1 vit e 6 muaj burg, duke kërkuar gjithashtu pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare.
Nga ana e saj, Majlinda Bufi i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka ushtruar asnjë presion apo ndikim politik ndaj qytetarëve dhe se është e pafajshme.
Hetimi ndaj saj nisi pas një denoncimi të bërë publik në media, ku pretendohej se kryebashkiakja i kishte kërkuar një qytetari të mos merrte pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos angazhohej në aktivitetet e forcave të tjera politike.
Wtf!!! Seriozishttt?!?!?!?!?