Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të martë në Pogradec. Mësohet se një burrë ka plagosur me thikë bashkëshorten e tij brenda banesës së tyre në lagjen 4 të qytetit.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes çiftit. Gjatë përplasjes, burri dyshohet se ka marrë një mjet prerës dhe ka goditur gruan.
Burime paraprake bëjnë me dije se autori mund të ketë probleme të shëndetit mendor, por kjo rrethanë po verifikohet nga grupi hetimor.
Pas ngjarjes, e plagosura u transportua në spitalin e Pogradecit, ku mori ndihmën e parë mjekësore. Mjekët pritet ta transferojnë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Sipas informacioneve paraprake, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka shoqëruar autorin në Komisariatin e Pogradecit dhe po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Lini një Përgjigje