Një i kërkuar nga Prokuroria e Tiranës për trafik klandestinësh drejt SHBA dhe Kanadasë, ka pranuar të ekstradohet nga Anglia drejt Shqipërisë.
Sipas këtij dokumenti të gjykatës së ekstradimeve City of Westmister Magistrate Court siguruar nga gazetari i Muhamed Veliu, Alfred Maçi 36 vjeç, tre ditë më parë pranoi vullnetarisht ekstradimin.Maçi me banim në qytetin Luton, akuzohet se në periudhën tetor 2023- prill 2025 mundësoi kalimin e disa shtetasve nga vendet europiane drejt Karaibeve për t'i futur ilegalisht në SHBA dhe Kanada.
Një hetim i përbashkët mes Prokurorisë së Tiranës dhe Shërbimit Diplomatik të Sigurisë dhe Zyrës për Hetimet Kriminale jashtë SHBA-së, zbuluan se Alfred Maçi kishte vënë në dispozicion të grupit të trafikut pasaportën e tij britanike.
Pasaporta britanike e përdorur është parë nga Top Channel dhe si vendlindje e Alfred Maçit është shënuar Kosova.
Si datë lëshimi ka 16 Mars 2022 dhe datë skadimi Mars 2032. Kjo pasaportë klonohej dhe i vendosej fotoja e personit i cili paguante deri në 35.000 euro për të hyrë në SHBA dhe Kanada.
Hetimet zbuluan se grupi kriminal ku bënte pjesë Alfred Maçi drejtohej prej Hazir Maçit.
Alfredi është nipi i Hazirit dhe duke bashkëpunuar së bashku kanë ndihmuar në kalimin në mënyrë të paligjshme të shtetasve E.A në muajin tetor 2024 dhe shtetasit D. N në muajin maj 2025 për në Kanada me qëllim final mbërritjen në SHBA. Këtyre shtetasve iu mundësua pasaporta britanike me të dhënat Alfred Maçit por me foton e tyre.
Sipas prokurorisë së Tiranës Hazir Maçi i hetuar më parë me të njëjtin aktivitet të trafikut të njerëzve, është përfshirë në tre raste të dërgimit të shqiptarëve në Amerikë dhe Kanada.
Nga hetimet e prokurorit Drini Pali, është zbuluar se trafiku, fillonte nga Shqipëria ku rekrutoheshin dhe më pas nga vendet e Europës drejt Republikës Domenikane, e prej andej me dokumenta false drejt Kanadasë ose nëpërmjet Porto Rikos me destinacion final Floridën në SHBA.
Hazir Maçi ka drejtuar veprimtarinë kriminale nga ambientet e paraburgimit të Fushë-Krujës, nëpërmjet telefonit duke përdorur 2 numra të ndryshëm për të komunikuar me familjarët e tij.
Tashmë prokuroria e Tiranës e ka çuar çështjen për gjykim ku pesë të arrestuarve në Shqipëri mes tyre një grua, do ti bashkohet edhe Alfred Maçi i cili pritet të sillet nga Anglia nga oficerët e Interpol Tiranës.
Ata akuzohen për falsifikim të letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave dhe ndihmë të kalimit të paligjshëm të kufijve./TCH
Lini një Përgjigje