
Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë seanca gjyqësore për dosjen e njohur si “Sterilizimi”, ku i pandehur është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ky i fundit ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, krah mbrojtësit të tij, jashtë kafazit të qelqtë.
Shkak për shtyrjen e seancës u bë kërkesa e prokurorëve të SPAK, të cilët kërkuan kohë shtesë për të shqyrtuar materialin dhe kërkesat e paraqitura nga mbrojtja e Beqajt.
“Ne kemi mundur vetëm dje që të zotërojmë kopjen e materialit 93 faqe të përgatitur nga mbrojtja e Ilir Beqaj. Ka qenë e pamundur të bëjmë një lexim të këtij materiali, për këtë arsye kërkojmë kohë të mbajmë qendrim përfundimtar lidhur me kërkesat e paraqitura nga Beqaj. Kërkojmë shtyrje të seancës”, tha prokurori Edvin Kondili.
Pas kërkesës së organit të akuzës, gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet javën e ardhshme.
Për çështjen e “Sterilizimit”, Ilir Beqaj po përballet me akuzat për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, tetë të pandehurit e tjerë të përfshirë në këtë dosje, mes tyre ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili fitoi koncesionin, janë gjykuar në një proces të veçuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Gjithashtu, gjykata ka rrëzuar për Rjepajn dhe Rrapajn akuzën për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Lini një Përgjigje