TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 1 Korrik 2025, 19:30

“Zhvatja” përmes komisioneve në bankomate, Autoriteti i Konkurrencës kërkesë Bankës së Shqipërisë të ndërhyjë

Shkruar nga Pamfleti

“Zhvatja” përmes komisioneve në bankomate, Autoriteti i

Autoriteti i Konkurrencës ka dalë sot me një kërkesë të drejtpërdrejtë ndaj Bankës së Shqipërisë, duke i kërkuar të ndërhyjë në komisionet që bankat komerciale u mbajnë qytetarëve gjatë tërheqjes së parave në bankomatë.

Në një vendim të posaçëm, Komisioni i Konkurrencës i kërkon Bankës së Shqipërisë të kontrollojë metodologjinë e përllogaritjes së komisioneve, veçanërisht për kartëmbajtësit e huaj dhe për aplikimin e “mark-up”-it në shërbimin e këmbimit dinamik të valutës.

Ky reagim vjen pas një monitorimi të detajuar në tregun e shërbimeve bankare përmes ATM-ve në territorin e Bashkisë Sarandë. Edhe pse nuk u konstatua ndonjë praktikë që cenon konkurrencën, raporti vë në dukje probleme serioze në transparencë dhe në mënyrën se si bankat aplikojnë tarifat ndaj konsumatorëve.

Nga vlerësimi i të dhënave rezulton se nuk janë konstatuar praktika të kundraligjshme që cenojnë konkurrencën, por është evidentuar një nivel i ulët transparence mbi tarifat; mungesë e harmonizimit për tarifat e aplikuara ndaj kartëmbajtësve të huaj, dhe problematika lidhur me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve”, thuhet në vendimin e Komisionit.

Për këtë arsye, Konkurrenca i rekomandon Bankës së Shqipërisë tri masa konkrete:

Kontroll të plotë të mënyrës së përllogaritjes së komisioneve për tërheqjet në bankomatë;

Detyrim për raportim dhe publikim të komisioneve në format të unifikuar, të aksesueshëm nga publiku;

Shqyrtim të nevojës për ndërhyrje rregullatore ndaj përdorimit të rrjeteve të nënkontraktuara dhe për parandalimin e tarifave abuzive.

Në një kohë kur qytetarët ndihen të zhgënjyer nga shërbimet bankare dhe tarifat e larta të aplikuara pa paralajmërim të qartë, ky vendim mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së një standardi më transparent dhe të ndershëm në tregun financiar shqiptar.

Lini një Përgjigje