
Shqipëria ka hyrë sot zyrtarisht në zonën e pagesave të unifikuara në euro (SEPA), duke shënuar një kthesë të rëndësishme në mënyrën sesi qytetarët dhe bizneset do të kryejnë transfertat ndërkombëtare. Nga ky moment, çdo transfertë bankare në euro nga Shqipëria drejt vendeve të Evropës dhe territoreve të tjera të përfshira në SEPA, nuk do të ketë komision më të lartë se 25 euro; një ulje që arrin deri në 10 herë krahasuar me tarifat aktuale.
Zona SEPA përfshin 40 shtete, nga vendet e Bashkimit Evropian, në ishujt Kanarie, Azoret, territoret franceze në Amerikën Latine, e deri te zonat në varësi të Kurorës Britanike. Banka e Shqipërisë nënvizon se qytetarët që duan të përfitojnë nga tarifat e reja të ulëta, duhet të hapin një llogari bankare në euro, për të shmangur edhe ndikimin e kursit të këmbimit.
Për transfertat brenda vendit në lekë, komisionet gjithashtu kanë ndryshuar. Tashmë, për pagesat elektronike deri në 40 mijë lekë, komisioni është zero. Për vlera mbi këtë shumë dhe deri në 10 milionë lekë, tarifa është 0.005% e shumës, por jo më shumë se 500 lekë. Mbi 10 milionë lekë, komisioni maksimal është 750 lekë. Nga sportelet, këto tarifa do të jenë dyfish më të larta, si pjesë e strategjisë për të nxitur digjitalizimin e pagesave.
Për transfertat në euro, tarifa për vlera deri në 100 mijë euro do të jetë vetëm 10 euro (0.01%), ndërsa mbi këtë shumë do të shkojë deri në 25 euro. Në rast se këto transferta realizohen në sportele, komisioni rritet në 50 euro. Më parë, tarifat për këto shërbime arrinin deri në 300 euro dhe shoqëroheshin me vonesa disa ditore.
Ndryshime ka edhe për transfertat hyrëse; çdo shumë që vjen në një llogari bankare në Shqipëri, nuk do të ketë tarifë më të lartë se 3 euro, pavarësisht shumës së dërguar. Ky ndryshim përfshin edhe remitancat nga emigrantët, duke i bërë më të lira dhe më të aksesueshme për familjet shqiptare.
Sipas përllogaritjeve, zbatimi i SEPA-s pritet të kursejë qytetarëve dhe bizneseve shqiptare rreth 40 milionë euro në vit. Një hap i madh drejt integrimit financiar evropian dhe një lehtësim konkret për ekonominë familjare dhe sipërmarrjen vendase.
Lini një Përgjigje