TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 5 Tetor 2025, 20:30

Rekord negativ për euron/ Shqipëria me 7 mld euro rezerva valutore, por monedha evropiane vijon rënien

Shkruar nga Pamfleti

Rekord negativ për euron/ Shqipëria me 7 mld euro rezerva valutore,

Blerjet e detyruara të valutës, edhe mbi planin me qëllim stabilizimin e kursit të këmbimit, si dhe eurobondi i marrë në fillim të këtij viti, e kanë çuar rezervën valutore në nivelin më të lartë historik.

Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë, për herë të parë rezerva valutore kalojë vlerën 7 miliardë euro, duke u rritur me 1.2 miliardë euro në krahasim me gushtin e vitit 2024. Pjesa dërrmuese e saj janë letra me vlerë, prej 5.3 miliardë euro, pjesa tjetër janë depozita e monedha, si dhe 317 milionë euro shufra ari.

Ndërsa brenda një dekade, rezerva është më shumë se 3-fishuar, pasi në 2015-ën vlera e saj ishte vetëm 2.8 miliardë euro. Kjo rezervë aktivizohet në ditë të këqija, për të shlyer borxhin në valutë, për të mbuluar importet në rast krize si dhe për të siguruar stabilitetin e kursit të këmbimit. Banka qendrore thotë se me rezervën e këtij viti mbulohen të paktën 7.3 muaj importe.

“Deri në fund të muajit qershor, rezerva valutore ishte e mjaftueshme për të mbuluar 7.3 muaj importe mallrash dhe shërbimesh”, thuhet në raportin e stabilitetit financiar.

Një nga shkaqet kryesore të rritjes së shpejtë të rezervës është edhe shtimi i blerjeve të valutës në treg nga Banka e Shqipërisë me qëllim që të stabilizojë kursin e këmbimit dhe të frenojë një zhvlerësim më të fortë se kaq të euros apo dollarit. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit u blenë 72.7 milionë euro për të ndalur rënien e euros.

Por me gjithë këto ndërhyrje normalitet në kursin e këmbimit, duket se nuk do të ketë. Nëse në fund të 2024-ës diskutohej për ‘normalitetin e ri’ ku një euro këmbehej me 100-102 lekë, sot flasim për normalitetin e një euroje në vlerën 97 lekë, e në ditë të caktuara edhe më poshtë, në 96 lekë./Report TV

Rezerva valutore:

Gusht 2024      5,810 mln euro

Gusht 2025      7,091 mln euro

Diferenca        + 1,281 mln euro

Rezerva valutore në: 2015-2025

Dhjetor 2015      2,880 mln euro

Gusht 2025        7,091 mln euro

Diferenca         +4,211 mln euro

Lini një Përgjigje