TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 4 Mars 2025, 19:49

Qeveria luan Sudesh/ Merr 120 mln dollarë borxh nga arabët për t’ja u dhënë sërish arabëve pa tender

Shkruar nga Klodian Tomorri

Qeveria luan Sudesh/ Merr 120 mln dollarë borxh nga arabët për

Instrumentet financiare që sajon qeveria shqiptare nuk rreshtin së të surprizuari. E fundit në radhë është një skemë më arabët, e cila u vë qytetarëve shqiptarë një borxh të rëndë në qafë.

Këtë të martë, qeveria dërgoi për miratim në Parlament projektligjin për ratifikimin e një kredie prej 118 milionë dollarësh, që Shqipëria do të marrë nga Fondi i Abu Dhabit. Borxhi, me afat shlyerje 15 vjet dhe interes 4 për qind në vit, po merret për të shkuar sërish në Abu Dhabi.

Sepse 118 milionë dollarët do të shkojnë për të paguar një kompani nga Abu Dhabi, e cila do të realizojë projektin e monitorimit të trafikut me kamera në 20 qytete të vendit. Kontrata 118 milionë dollarëshe do të jepet pa tender dhe pa asnjë lloj gare, por me marrëveshje direkte.

Pra, e thënë më thjeshtë. Qeveria shqiptare do të marrë 118 milionë dollarë borxh nga arabët për t’ja u paguar sërish arabëve, ndërsa qytetarëve shqiptarë u mbetet barra e shlyerjes së borxhit. Këto janë instrumentet financiarë inovativë, që shpik kryeministri nga pelegrinazhet e tij në botën arabe, kur viziton sulltanët e Lindjes.

Në Shqipëri, këtë skemë e kanë bërë vetëm mashtruesit e mikrokredive. Ata u jepnin qytetarëve borxh, por vetëm në letër. Sepse paratë e borxhit kalonin sërish menjëherë në llogarinë e kompanisë së mirkokredive. Nga gjithë ky operacion qytetarët viktima nuk preknin asnjë lekë, por kishin vetëm një efekt. U rritej borxhi që duhet të shlyenin.

Ministri i Brendshëm kandidat për ngrënës dardhash

Por teksa marrëveshja e kredisë po kalon me ligj në Parlament, procedura që do të çojë kontratën tek arabët i është besuar ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha.

Një javë më parë, ministri i Brendshëm njoftoi se firmosi me Sulltan Al Jaber, Letrën e Angazhimit për projektin inovativ “Smart City – Qyteti Inteligjent”, mes Ministrisë së Brendshme dhe “Presight Al Ltd”. Sulltani është drejtori i Përgjithshëm i kompanisë Presight AI. Kompania Presight AI është ajo që do të realizojë kontratën. /Kapitali

Lini një Përgjigje