Prej muajsh Bitcoin po lëviz poshtë, duke humbur gradualisht vlerë dhe duke krijuar perceptimin e një “rënieje të lirë”. Pas grafikut të kuq nuk fshihet thjesht frika e investitorëve të vegjël, por mbyllja masive e pozicioneve me levë, tkurrja e likuiditetit institucional dhe ripozicionimi i kapitalit në një klimë politike dhe financiare gjithnjë e më të pasigurt...
Bitcoin sot është rreth 60 mijë euro, me një rënie ditore gati 4%, me një vlerë totale tregu rreth 1.2 trilion euro dhe me afro 40 miliardë euro që qarkullojnë brenda një dite. Këto shifra duken të thata, por nëse i përkthen në realitet, do të thonë se po flasim për një treg gjigant, ku po lëvizin para serioze dhe ku çdo lëkundje nuk ndodh rastësisht, por si pasojë e vendimeve të mëdha që merren larg syve të publikut.
Rënia aktuale është produkt i disa proceseve që janë zhvilluar paralelisht gjatë javëve dhe muajve të fundit dhe që tani po përplasen në të njëjtën kohë mbi çmim, duke krijuar një presion të vazhdueshëm poshtë. Bitcoin në këtë fazë sillet si instrument financiar i integruar plotësisht në tregjet globale, me reagime të ngjashme me ato të aksioneve teknologjike, derivateve dhe formave të tjera të kapitalit spekulativ, ku likuiditeti, politika monetare dhe pritshmëritë luajnë rol vendimtar.
Pesha e volumit ditor prej gati 40 miliardë eurosh është thelbësore për të kuptuar se çfarë po ndodh, sepse këto nuk janë transaksione të fragmentuara nga individë që reagojnë emocionalisht, por lëvizje të fondeve, algoritmeve, tregtarëve me levë dhe strukturave institucionale që hyjnë dhe dalin nga tregu me shpejtësi të lartë. Gjatë muajve të fundit, shumë njerëz, fonde dhe tregtarë kanë hyrë në Bitcoin duke përdorur para të huazuara, pra duke vënë pak para të tyre dhe duke luajtur me shumëfishin e tyre, 10 herë, 20 herë, madje edhe më shumë. Kjo quhet tregtim me levë dhe funksionon mirë vetëm kur çmimi rritet ose qëndron i njëjtë. Në momentin që çmimi fillon të zbresë, sistemi nuk pyet dhe nuk fal askënd. Pozicionet mbyllen automatikisht, kriptot shiten me detyrim dhe kjo shitje e detyruar shton presionin që çmimi të bjerë edhe më shumë.
Likuidimet automatike që shoqërojnë këtë fazë janë të shpejta dhe të pamëshirshme, sepse funksionojnë mbi rregulla matematikore dhe jo mbi vlerësim situate. Brenda një harku të shkurtër kohor, qindra miliona apo miliarda euro mund të zhduken nga librat e pozicioneve, duke krijuar një rritje artificiale të volumit dhe një ndjesi kaosi që përhapet shpejt në të gjithë tregun.
Këto likuidime nuk përfaqësojnë në mënyrë automatike lëvizje të parave të paligjshme, sepse në pjesën më të madhe bëhet fjalë për kapital spekulativ dhe agresiv, por megjithatë ato krijojnë një mjegull financiare, ku gjurmët individuale humbasin, transaksionet mbivendosen dhe bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallohen lëvizjet normale të tregut nga zhvendosjet e kapitalit me origjinë kriminal. Paqëndrueshmëria e lartë dhe volumi ekstrem e bëjnë këtë ambient të favorshëm për çdo formë kapitali që kërkon të lëvizë pa tërhequr vëmendje.
Në të njëjtën kohë, po vërehet një tkurrje e likuiditetit institucional, e cila ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi çmimin. Gjatë vitit të kaluar, Bitcoin u mbështet nga flukse të konsiderueshme përmes ETF-ve dhe investitorëve që vepronin nga tregu amerikan përmes platformave si Coinbase, por ngadalësimi i këtyre hyrjeve ka lënë tregun më të ekspozuar ndaj presionit të shitjes.
Rikthimi i Donald Trump në qendër të pushtetit amerikan ka sjellë sërish pasiguri në tregjet globale. Trump nuk është figurë e parashikueshme dhe nuk jep siguri afatgjatë për politikat monetare, tregtare apo financiare. Çdo sinjal për shtrëngim, për forcim të dollarit apo për presion mbi institucionet financiare përkthehet menjëherë në largim nga asetet e rrezikut. Dhe sot, pavarësisht retorikës për “ar digjital”, Bitcoin po trajtohet nga tregu pikërisht si një aset rreziku.
Në këtë pikë hyn në lojë ajo që në zhargonin e tregut quhen “balenat”. Me këtë term nuk nënkuptohen figura misterioze apo legjenda të kriptos, por portofolë dhe struktura që kontrollojnë sasi shumë të mëdha Bitcoin-i dhe që kanë kapacitet të ndikojnë tregun pa u ekspozuar.
Balenat nuk veprojnë nën presionin e levës dhe nuk detyrohen të shesin kur çmimi lëviz poshtë; përkundrazi, ato presin pikërisht faza si kjo, ku likuidimet automatike dhe frika kolektive rrisin ofertën e detyruar. Lëvizjet e tyre janë të shpërndara në kohë, të heshtura dhe të maskuara brenda volumit të lartë, duke e bërë të vështirë dallimin mes panikut dhe akumulimit. Në praktikë, balenat nuk e ndalin rënien dhe nuk e shpëtojnë tregun, por shfrytëzojnë momentin kur shumica është e detyruar të dalë, për të përforcuar pozicionet e tyre në kushte më të favorshme.
Bitcoin po kalon një fazë ku loja po bëhet më e ashpër dhe ku kush nuk e kupton se si funksionon mekanizmi i tregut, rrezikon të dalë nga loja në momentin më të gabuar. Me mbi 1 trilion euro vlerë dhe dhjetëra miliarda euro që qarkullojnë çdo ditë, ky treg nuk mbyllet por thjesht ndryshon kush e kontrollon dhe kush mban rrezikun.
Kush sheh prapaskenën kupton se paratë nuk po zhduken, por po lëvizin nga një xhep në tjetrin, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë sa herë që Bitcoin ka hyrë në një fazë të re.
/Pamfleti
Lini një Përgjigje