TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 7 Shkurt 2026, 22:18

Vonesa, mister dhe akuza: çfarë po gatuhet me Këshillin Mbikëqyrës të BSH?

Shkruar nga Pamfleti
Vonesa, mister dhe akuza: çfarë po gatuhet me Këshillin
Banka e Shqipërisë

Pse Rama zëvendësoi vetëm 2 prej 3 anëtarëve që u ka mbaruar mandati?

Procesi i rinovimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë po zhvillohet mes vonesash dhe mungese transparence, duke krijuar paqartësi dhe dyshime për pazare.

Në fund të vitit 2025 kanë përfunduar mandatet e gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës: Luljeta Minxhozi (zëvendësguvernatore e parë), Ridvan Bode, Suela Popa, Edlira Luçi, Artan Hoxha, Violeta Staka.

Ligji parashikon që tre anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës propozohen nga Kuvendi, ndërsa tre të tjerë nga Këshilli i Ministrave, për të ruajtur balancën institucionale.

Anëtarëve u ka mbaruar mandati që në dhjetor dhe si Kuvendi ashtu dhe qeveria e kanë zvarritur këtë proces, duke ngritur akoma dhe më shumë dyshime. Po ashtu e kanë futur në kolaps Këshillin sepse ai nuk merr dot vendime.

Kuvendi i Shqipërisë ka hapur procedurat vetëm për tre vakanca, konkretisht për zëvendësimin e: Luljeta Minxhozit, Artan Hoxhës dhe Violeta Stakës.

Në këtë proces kanë aplikuar 20 kandidatë, nga të cilët 18 janë paraqitur në seancat dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë. Pas përfundimit të dëgjesave, kandidatët duhet të sigurojnë mbështetjen e të paktën 28 deputetëve për të kaluar në votim në seancë plenare.

Ky proces, ndonëse i vonuar, është zhvilluar në mënyrë të hapur, me dëgjesa publike dhe dokumentacion të aksesueshëm.

Ndërkohë, Këshillit të Ministrave i takon të propozojë tre emra të tjerë për të zëvendësuar: Ridvan Boden, Suela Popën, Edlira Luçin.

Por dje qeveria ka depozituar vetëm dy kandidatura, Jonida Priftin dhe Ervin Meten, duke lënë pa shpjegim publik mungesën e emrit të tretë, ndonëse procedura ligjore e parashikon qartë.

“Pamfleti” denoncoi pak ditë më parë faktin se Rama e Berisha kanë vendosur të lënë në BSH, Ritvan Boden. Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, mandati i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës i ka mbaruar edhe Ridvan Bodes, por Kuvendi dhe Banka e Shqipërisë, në ujdi mes tyre, nuk kanë deklaruar mbarimin e mandatit të tij dhe as shpalljen e vendit vakant. Fakti që Rama doli me dy emra shton akoma më shumë pazarin.

Për më tepër, qeveria nuk ka bërë publike listën e kandidatëve që kanë aplikuar, as kriteret e përzgjedhjes, duke e kthyer procesin në një vendimmarrje të mbyllur, pa transparencë dhe pa garë të verifikueshme.

Ish-ministri dhe ish-anëtar i Këshillit, Arben Malaj, i cili ka qenë pjesë e garës, e ka cilësuar procesin si shkelje të drejtpërdrejtë ligjore dhe institucionale.

Banka e Shqipërisë është institucion i Republikës së Shqipërisë, jo pronë politike e asnjë Kryeministri, as aktual dhe as të ardhshëm. Ekipit drejtues të Bankës së Shqipërisë dhe kolegëve të propozuar dhe që do të përzgjidhen u uroj suksese, pavarësisht klimës së presionit dhe mungesës së transparencës që po imponohet mbi këtë proces. Qeveria ka detyrim të qartë ligjor dhe institucional të bëjë publike dhe transparente listën e konkurrentëve. Heshtja dhe fshehja e saj përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit. Ky proces është zhvilluar nga Kuvendi i Shqipërisë me transparencë maksimale, në përputhje me Kushtetutën dhe parimet e llogaridhënies dhe barazisë para ligjit. Çdo devijim nga ky standard është regres institucional”, shkruan Malaj.

Ndërkohë pak ditë më parë ambasadori i BE, SIlvio Gonzato ishte në Kuvend për këtë çështje, ku takoi Milva Ekonomin. "Diskutuam gjithashtu rëndësinë e një procesi përzgjedhjeje transparent dhe të bazuar në meritë për pozicionet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili është thelbësor për ruajtjen e pavarësisë së Bankës dhe besimit të publikut”, tha Gonzato.

Por pavarësisht deklaratës së ambasadorit, duket se në prapaskenë vijojnë pazaret. /Pamfleti

bsh keshilli mbikeqyres

1 Komente

  1. T
    Tony

    Shkoj ne Banken e Shtetit për të marre tapine e Shtepise meqenese ishte larte kredia e marre për shtepine e sipas rregullave Banka të merrte peng tapine. I them zonjes hallin e ma preu shkurt, jo nuk ta jap tapine e shtepise. Pse e pyeta, sepse ju i humbni, ma ktheu. Do e japesh më të mirë apo më dhune, i them. Polici roje që ishte ne krah më afrohet e më kercenoi. Degjoni, kur portfoli im rri ne xhepin tend paraja ime më thote, më ha mutin ka thene nje i motçëm u them. Polici mu hodh ne qafe e më perqafoi e po qeshte. Kur dal jashte takoj nje shok e pasi i tregova problemin më tha tapite e qytetareve i kane “pronesuar” e marrin më genjeshtra kredi Gjermane zageret e Bankes me politikanet. Natyrisht që tapine e mora dhe e dhane si Çeçua. Jemi race e mallkuar e kurre nuk do behemi njerez.

    Lini një Përgjigje