TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 5 Shkurt 2026, 20:47

Pazaret në prapaskenë, ndërkombëtarët vihen në lëvizje për të mos lejuar kapjen e Këshillit Mbikëqyrës të BSH

Shkruar nga Pamfleti
Pazaret në prapaskenë, ndërkombëtarët vihen në
Gonzato & Ekonomi

Gonzato takon Milva Ekonomin dhe kërkon kujdes me përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë...

Ndërkombëtarët janë vënë në lëvizje për të ndaluar kapjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Në Kuvend kanë nisur procedurat për 3 vende vakante, për të zëvendësuar Luljeta Minxhozin, Violeta Stakën dhe Artan Hoxhën. Në garë janë 20 kandidatë dhe ka zëra se PS dhe PD po bëjnë pazare për kandidatët.

Dje “Pamfleti” denoncoi faktin se Rama e Berisha kanë vendosur të lënë në BSH Ritvan Boden. Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, mandati i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës i ka mbaruar edhe Ridvan Bodes, por Kuvendi dhe Banka e Shqipërisë, në ujdi mes tyre, nuk kanë deklaruar mbarimin e mandatit të tij dhe as shpalljen e vendit vakant.

Por duket se PD dhe PS janë duke bërë pazare edhe për 3 emrat e rinj. Dhe në këtë aspekt kanë hyrë në lojë ndërkombëtarët. Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, ka shkuar sot në Kuvend pikërisht për këtë temë dhe ka kërkuar transparencë.

Parlamenti ka një rol kyç në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Sot u takova me Milva Ekonomin, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, për të diskutuar se si Komisioni mund të kontribuojë përmes miratimit të legjislacionit të lidhur me BE-në dhe monitorimin e zbatimit të tij. Diskutuam gjithashtu rëndësinë e një procesi përzgjedhjeje transparent dhe të bazuar në meritë për pozicionet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili është thelbësor për ruajtjen e pavarësisë së Bankës dhe besimit të publikut”, tha ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Aktualisht janë 6 vakanca në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, por Kuvendi ka shpallur 3 vakanca, ndërsa 3 propozime për vakancat e tjera do të bëhen nga qeveria. Janë 20 kandidatë të vetëofruar për 3 vendet e shpallura nga Kuvendi, mes tyre Artan Hoxha (rikandidim), Selami Xhepa, Violeta Staka (rikandidim), Pajtim Melani etj.

Dje disa kandidatura dolën para Komisionit të Ekonomisë, ku paraqitën platformat e tyre. Ndërkohë secili duhet të sigurojë nga 28 firma deputetësh që të kalojë për miratim në Kuvend. Zakonisht në të tilla raste ka pasur pazare në prapaskenë mes partive për të mbështetur “X” emër. Për shembull, në vitin 2018 Rama propozoi emrin e Ritvan Bodes, ish-ministër dhe një nga njerëzit më të afërt të Berishës.

Këshilli i Bankës ka në total 9 anëtarë, por aktualisht vetëm 3 prej tyre kanë ende mandat: Gent Sejko, Natasha Ahmetaj dhe Anastas Angjeli. Për këtë arsye, Këshilli nuk mund të marrë vendime derisa të zgjidhen 6 anëtarët e rinj.
Anëtarët me mandat të mbaruar që janë emëruar në vitin 2018 janë Luljeta Minxhozi, anëtare dhe zëvendësguvernatore e parë, Suela Popa, Edlira Luçi, Ridvan Bode, Artan Hoxha dhe Violeta Staka.

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, ku pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, 3 anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një nga Këshilli Mbikëqyrës. /Pamfleti

 

ekonomi gonzato

Lini një Përgjigje