TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 5 Shkurt 2026, 19:24

Shqiptarët bëhen më kursimtarë, depozitat bankare arrijnë 15 miliardë euro në 2025

Shkruar nga Pamfleti

Shqiptarët bëhen më kursimtarë, depozitat bankare

Kursimet e qytetarëve dhe bizneseve shqiptare të depozituara në sistemin bankar arritën në rreth 15 miliardë euro në vitin 2025. Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë për ecurinë e depozitave evidenton rritje vjetore të tyre, me një prirje të qartë drejt mbajtjes së kursimeve në monedhën vendase.

Sipas të dhënave zyrtare, depozitat në lekë arritën në 711 miliardë lekë në muajin dhjetor, nga 651 miliardë lekë në janar të po këtij viti. Rritja vjetore prej rreth 60 miliardë lekësh reflekton zgjerimin e bazës së kursimeve në monedhën vendase dhe një stabilizim të preferencave monetare të depozituesve.

Struktura e depozitave tregon se mbi një e treta e fondeve të mbajtura në bankat shqiptare janë depozita të transferueshme dhe depozita pa afat. Këto forma kursimi karakterizohen nga likuiditet i lartë dhe përdorim i menjëhershëm nga mbajtësit e tyre.

Depozitat e transferueshme në lekë u rritën nga 385 miliardë lekë në janar në rreth 418 miliardë lekë në dhjetor 2025. Paralelisht, depozitat pa afat në lekë u zgjeruan nga 58 miliardë lekë në 66 miliardë lekë gjatë të njëjtës periudhë. Depozitat pa afat në valutë mbetën në nivele të qëndrueshme, mbi 129 miliardë lekë.

Kjo strukturë tregon një preferencë për mbajtjen e fondeve në instrumente me rrezik të ulët dhe fleksibilitet të lartë, duke reflektuar sjellje kursimi konservatore në kushtet e pasigurive ekonomike dhe normave reale të interesit.

Niveli i lartë i depozitave bankare sinjalizon forcim të besimit të publikut dhe të bizneseve ndaj sistemit bankar. Megjithatë, për ekonominë reale, sfida mbetet transformimi i këtyre kursimeve në kredi dhe investime produktive, në mënyrë që rritja e likuiditetit të përkthehet në zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

kursimet shqiptarët 15 mld euro

Lini një Përgjigje