Bitcoin ka rënë në rreth 65 mijë dollarë. Nuk ka ende shenja për fundin e shitjeve masive dhe po shtohet frika për një “dimër kripto”.
Bitcoin-i, kriptomonedha kryesore globale vijoi rënien e fortë edhe këtë javë. Të enjten ai hyri në një fazë të qartë krize, duke humbur më shumë se 10% të vlerës brenda pak orësh dhe duke zbritur përkohësisht afër nivelit 60 mijë dollarë.
Një rënie e tillë nuk ishte parë që nga nëntori i vitit 2022, pas kolapsit të bursës së kriptomonedhave FTX.
Për disa analistë, kjo shënon fillimin e një “dimri të ri kripto”. Të tjerë flasin madje për fundin e “historisë së suksesit të Bitcoin-it”. Të premten, çmimi u rikuperua lehtë, por krahasuar me rekordin mbi 125 mijë dollarë të arritur në tetor të vitit të kaluar, Bitcoin ka humbur tashmë më shumë se gjysmën e vlerës.
Rritja e çmimeve të kriptomonedhave gjatë vitit 2024 u nxit pjesërisht edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka shpallur synimin për ta kthyer SHBA-në në “kryeqytetin botëror të kriptos” dhe ka promovuar një mjedis rregullator më miqësor për këtë sektor. Megjithatë, që nga tetori, trendi është përmbysur dhe ritmi i shitjeve po përshpejtohet.
Sipas analizës së Neue Zürcher Zeitung, janë 6 arsye kryesore për këtë rënie të fortë:
Bitcoin nuk po sillet si “ari digjital”
Ideja se Bitcoin shërben si mbrojtje ndaj inflacionit apo pasigurisë politike ka humbur peshë. Në situata tensioni, investitorët po orientohen drejt arit, jo drejt kriptomonedhave. Edhe dobësimi i dollarit amerikan nuk po kompensohet nga Bitcoin.
Politika monetare mbetet e shtrënguar
Perspektiva për kushte monetare më restriktive në SHBA, përfshirë pritshmëritë për një dollar më të fortë, po ushtron presion mbi asetet me rrezik të lartë, si kriptomonedhat.
Shitje masive edhe në sektorin e teknologjisë
Rënia e aksioneve teknologjike, veçanërisht atyre të lidhura me inteligjencën artificiale, po ndikon drejtpërdrejt edhe te Bitcoin. Kur bien aksionet e teknologjisë, Bitcoin zakonisht pëson humbje edhe më të mëdha.
Borxhi përshpejton rënien
Shumë investitorë kanë hyrë në treg me borxhe. Kur çmimi bie nën nivele të caktuara, aktivizohen shitje automatike, të cilat e thellojnë më tej rënien. Sipas Pascal Hügli nga banka private Märki Baumann, tregu ende nuk ka gjetur një dysheme të qëndrueshme.
Tërheqja e kapitalit nga ETF-të
Edhe investitorët institucionalë po tërhiqen. Vetëm në SHBA, miliarda dollarë janë tërhequr nga ETF-të spot të Bitcoin-it muajt e fundit. Analistet e Deutsche Bank, Marion Laboure dhe Camilla Siazon, theksojnë se këto dalje po e përkeqësojnë ndjeshëm situatën e tregut.
Frika nga zhvillimi i kompjuterëve kuantikë
Përparimet në teknologjinë e kompjuterëve kuantikë po ngrenë pikëpyetje mbi sigurinë afatgjatë të sistemit të Bitcoin-it. Edhe pse ky rrezik shihet si afatmesëm ose afatgjatë, ai po ndikon negativisht në besimin e investitorëve.
Indeksi “Crypto Fear and Greed” aktualisht sinjalizon “frikë ekstreme” në treg, një tregues se besimi i investitorëve është dobësuar ndjeshëm.
Lini një Përgjigje