
Dy ligje që veprojnë në fushën e energjisë nuk janë të harmonizuara plotësisht me njëri-tjetrin.
Nene të ligjit për sektorin e energjisë elektrike i vitit 2015 nuk përputhen me nene të ligjit për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme, i vitit 2017-të.
Mospërputhjet dalin nga një analizë e Këshillit të Investimeve. Këshilli thotë se pikën 6 B të nenit 37 të ligjit të 2015-s, përcakton se prodhuesit dhe vetëprodhuesit nuk kanë nevojë për licencë nëse kapaciteti i instaluar është deri në një megavat.
Por, neni 15 i ligjit të 2017-s për nxitjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme energjitike, përcakton se shoqëritë e vogla, apo familjarët vetëprodhues nuk mund të instalojnë panele me kapacitet mbi 0.5 megavat.
Për këtë arsye, Komiteti këshilon që të unifikohet fuqia e instaluar e vetëprodhuesve duke shkuar në kapacitetin maksimal deri në 1 megavat, që sipas analizës do të mbulonte nevojat e brendshme për energji elektrike për të gjithë vetëprodhuesit e kësaj kategorie.
Zyrtarisht, Ministria e Infrastrukturës thotë se arsyeja që nuk rritet ky kufi lidhet me kapacitetet përcjellëse të rrjetit të OSHEE, që kërkon investime. Por, jozyrtarisht Vox News mëson se arsyeja e vërtetë janë arkëtimet.
Rritja e limitit rrjedhimisht do të shtonte numrin e bizneseve vetëprodhuese që do të plotësonin nevojat e tyre për energji dhe tepricën, siç parashikon ligji, duhet t’ua blejë OSHEE.
Kjo do të thotë më pak arkëtime dhe më shumë pagesa drejt energjisë së rinovueshme. /Vox News
Lini një Përgjigje