
Çmimet e larta, kontratat PPP dhe fatkeqësitë natyrore rrezikojnë perspektivën ekonomike të Shqipërisë.
Paralajmërimi u dha sot nga Banka Botërore, ku përmes raportit ‘Drejt rritjes së qëndrueshme’, thekson se rritjet e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë shihen si një rrezik i rëndësishëm për rritjen ekonomike të vendit dhe uljen e varfërisë në Shqipëri.
Për BB-në, rreziqe potenciale sot janë PPP-të dhe fatkeqësitë natyrore. Banka Botërore analizon se çmimet e larta ndikojnë negativisht në të ardhurat reale të disponueshme dhe ngadalësojnë uljen e varfërisë dhe potencialisht kufizojnë hapësirën fiskale.
Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, si recesioni në Europë dhe shtrëngimi i mëtejshëm i kushteve të financimit në tregjet ndërkombëtare në vitet në vijim. Ndërsa si rreziqe të brendshme potenciale konsiderohen fatkeqësitë natyrore, partneritetet publike-private dhe ndërmarrjet shtetërore, si dhe rreziqet fiskale që rrjedhin nga një sektor energjetik i bazuar në hidrocentrale, të cilat varen kryesisht nga ndryshimet në kushtet hidrologjike.
Norma e inflacionit parashikohet të fillojë të kthehet në objektivin prej 3% në vitin 2024. Borxhi publik pritet të vijojë rënien gjatë periudhës afatmesme, si rezultat i rritjes më të lartë nominale dhe përmirësimit gradual të bilancit primar. Duke pasur parasysh varësinë në rritje të Shqipërisë nga financimi i jashtëm, rreziqet që lidhen me kursin e këmbimit, normën e interesit dhe rifinancimin mbeten të larta.
Lini një Përgjigje