
Gjysma e dytë e vitit 2025 pritet të ulë vlerën e kredisë që do të japin bankat për blerje banese, si dhe do të shoqërohet me rritje të kushteve për të dhënë hua. Kështu thuhet në një vrojtim të Bankës së Shqipërisë, ku bankat kanë paralajmëruar ‘ngadalësim’ të kredisë për blerje pronash, ndikuar prej kufizimeve të huasë për qytetarët që duan të blejnë banesë.
Të marrësh një kredi nuk do të jetë më e lehtë për qytetarët që duan të blejnë një shtëpi. Bankat në vend paralajmërojnë shtrëngim të kushteve të kredisë që japin për të financuar blerjen e një prone gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.
Ndikim në forcimin e kushteve që duhen plotësuar për të miratuar kredinë për blerje banese, po jep vendimi i Bankës së Shqipërisë për të kufizuar vlerën e huasë që bankat japin për blerje prone, si dhe tavani i caktuar për këstin mujor.
Këto kufizime jo vetëm do të shtrëngojnë automatikisht kushtet e kredisë, por nga ana tjetër do të zbehin edhe kërkesën e qytetarëve për hua për këtë qëllim. Të paktën ky është perceptimi i bankave për tremujorin e tretët të vitit.
“Politikat e kreditimit priten të jenë shtrënguese për individët, kryesisht në segmentin e kredive për blerjen e banesave. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, bankat presin që kërkesa për kredi të bjerë, kryesisht në kreditë për blerjen e banesave”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë, raporton "Shqiptarja".
Nga 1 korriku ka nisur zbatimi i kufizimeve që ndalon bankat të japin kredi mbi 85% për të financuar blerjen e pronës së para, si dhe kufizon edhe vlerën e këstit mujor të kredisë në 40% të totalit të të ardhurave të kredimarrësit. Këto shifra janë vetëm për shtëpinë e parë, pasi për të dytën dhe në vijim tavani i kredisë ulet në respektivisht 80% dhe 35%. Ndërsa kur huaja kërkohet në valutë tavanet janë edhe më të ulta deri në 75-70% të vlerës së pronës.
Këto kufizime u vendosën për të mbrojtur bankat nga ekspozimi i lartë në pasuri të patundshme, pasi në fund të 2024-ës totali i kredisë së dhënë për blerje banesa kaloi 2 miliardë euro, nga 1.8 miliardë euro që ishte në fund të vitit 2023.
Lini një Përgjigje