TAGS-AT E JAVËS

Editorial26 Qershor 2025, 14:43

Vjosa mbytet në naftë, qeveria në hipokrizi

Shkruar nga Pamfleti
Vjosa mbytet në naftë, qeveria në hipokrizi
Vjosa e mbytur në naftë /

Tronditje në Vjosë: Aktivisti gjerman publikon video të ndotjes me naftë, një gjarpër gjendet i ngordhur

Në një vend ku gjithçka është fasadë, ishte çështje kohe derisa edhe Parku i parë Kombëtar i një lumi të egër në Europë të zbulohej si një mashtrim spektakolar.

Vjosa, ky monument natyror i mbrojtur me fjalime, flamuj e spote turistike, po shndërrohet para syve tanë në një kanal të zi, ku qeveria derdh premtimet dhe naftën e vet pa hesap.

Vjosa mbytet në naftë, qeveria në hipokrizi
Ulrich Eichelmann /

Një video e publikuar nga aktivisti gjerman Ulrich Eichelmann, ku një gjarpër i ngordhur pluskon në ndotjen e rëndë të lumit, është më tronditëse se çdo raport qeveritar. Nuk ka nevojë për ekspertë: mjafton të shohësh trupin e pajetë të asaj krijese që dikur ishte pjesë e gjallë e këtij lumi. Aty është i shtrirë edhe morali i një qeverie që nuk ka më as turp e as kufij në hipokrizinë e saj.

Po flasim për të njëjtën qeveri që organizoi koncerte, që mbajti fjalime në emër të natyrës, që vuri firmën në marrëveshje ndërkombëtare për ruajtjen e Vjosës. Po ajo qeveri që ndërkohë mbyll sytë përballë krimeve mjedisore që ndodhin në terren.

Edi Rama, që çdo ditë e më shumë sillet si një influencer i rrjeteve sociale, hesht si guvernator i një republike të betonit dhe betonierëve, ndërsa Vjosa mbytet në naftë.

Park Kombëtar? Me çfarë standardi? Kur një lum i egër ndotet sistematikisht dhe askush nuk arrestohet, nuk dorëhiqet, nuk reagon, kemi të bëjmë me një parodi të mbrojtjes mjedisore. Dhe kjo parodi është firmosur personalisht nga Kryeministri, që prej vitesh e përdor Vjosën si lodër të fjalimeve të tij përpara turistëve, ndërsa në prapaskenë të njëjtët oligarkë, klientë dhe banditë bëjnë ç’të duan me natyrën.

Kjo është Shqipëria e bukur që shitet në panaire ndërkombëtare, me Vjosën në sfond dhe dollarët në akauntet e llogarive të ndërtuesve. Një Shqipëri ku lumenjtë janë të mbrojtur në Instagram, por jo në realitet. Ku ekologjia është marketing, dhe jo politikë.

Në vend që të merrte masa urgjente, të niste hetime, të çonte për ndëshkim ndotësit, Kryeministri i këtij vendi është më i zënë me dizajnin e karrigeve të reja në zyrën e tij. Sepse në Shqipëri mund të vdesin lumenjtë, kafshët, njerëzit, por jo propaganda. Propaganda është gjithmonë e freskët, e gjelbër, e pastër. Ndryshe nga Vjosa.

E nëse një gjarpër i ngordhur është metafora e kësaj kohe, atëherë historia do të shkruajë: ky vend i vrau edhe lumenjtë./Pamfleti

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Josh David Lim (@joshua.d.lim)

Vjosa mbytet në naftë, qeveria në hipokrizi

vjosa mbytet në naftë

Lini një Përgjigje

Editorial