
Putin dhe Xi, duket se do të jenë bashkëbiseduesit kryesorë të Trump si në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë ashtu edhe atij më të fundit Israel-Putin. Kjo treshe do të organizojë edhe Jalta II, teksa Evropa mbetet kronikisht e pafuqishme të imponojë peshën e saj...
Lufta botërore e fragmentuar po përhapet vazhdimisht, pa asnjë zgjidhje në horizont të konflikteve që po shpërthejnë çdo ditë. Përplasja midis Izraelit dhe Iranit, është vetëm episodi i fundit në një seri ngjarjesh, rezultati i të cilave nuk dihet ende.
Në fushën e betejës, superioriteti i Izraelit duket i pakrahasueshëm, edhe pse është e vështirë të mendohet për një fitore të plotë, duke pasur parasysh se objektivi është të eliminohet përfundimisht armiqësia e një vendi që nuk është vetëm i madh në sipërfaqe dhe popullsi, por që ka gjithashtu një traditë të gjatë historike dhe një identitet të fortë kombëtar.
Sigurisht, pajisja me armë bërthamore do ta bënte Iranin edhe më të rrezikshëm, ndonëse tani ky vend është i dobët si pasojë e izolimit të tij, por edhe copëzimit të aleancave të tij shiite, të cilat duke kaluar nëpër Siri, arrinin deri në Liban dhe e kërcënonin nga afër Izraelin.
Pra superioriteti në fushën e betejës, nuk do të çojë në një fitore përfundimtare, në rast se Izraeli nuk arrin të imponojë ndryshimin e regjimit. Një objektiv, që Trump beson se duhet të arrihet edhe me eliminimin fizik të vetë udhëheqësit suprem Khamenei.
Në krah të Netanyahut, është gjithnjë mbështetja e paparashikueshme e Trump, i cili megjithatë e lejon veten të udhëhiqet nga udhëheqësi izraelit, dhe duke hedhur një hap më tej në krahasim me paraardhësin e tij, e kënaq dhe e mbështet atë në të gjitha vendimet e tij, dhe i dërgon të gjitha armët e nevojshme për të vazhduar bombardimin e Teheranit.
Megjithatë, përmes sjelljes së tij të paparashikueshme, nga njëra anë nuk i siguron atij raketat e famshme, të afta për të shkatërruar laboratorët nëntokësorë që synojnë të ndërtojnë armët e para bërthamore, dhe nga ana tjetër, thotë se është gati t’i shpallë luftë Iranit nëse nuk nënshkruan menjëherë traktatin e mospërhapjes së armëve bërthamore.
Në fakt, Trump nuk do të dërgojë asnjë ushtar amerikan në Iran dhe do të jetë shumë i kujdesshëm edhe në imponimin e një ndryshimi të menjëhershëm të regjimit. Sepse ky skenar, dekurajohet nga përvojat e asaj që ndodhi në Irak, Afganistan dhe Libi
Por pa harruar edhe qëllimin e tij të përsëritur gjatë fushatës zgjedhore dhe në fjalimin e tij inaugurues, për t’i dhënë fund menjëherë luftërave që kishin filluar të tjerët, dhe mbi të gjitha për të mos filluar të reja. Pavarësisht gjithë pasigurive që vijnë nga deklaratat e Trump, është e sigurt se të paktën në këtë fazë, presidenti Amerikan do të vazhdojë të mbetet në shërbim të Netanyahut.
Por nuk do të ndërhyjë drejtpërdrejt në luftën kundër Iranit. Përplasja midis Izraelit dhe Iranit, ka shërbyer jo vetëm për të lënë në hije tragjedinë e Gazës, e cila çdo ditë demonstron aspekte të një mizorie të pakuptueshme, por ka errësuar edhe strategjinë politike që Trump po ndjek ndaj Ukrainës.
Në fakt, presidenti amerikan ka hipotetizuar, edhe pse në terma të përgjithshëm, mundësinë e një roli ndërmjetës të Putinit në luftën e fundit, dhe në të njëjtën kohë ka braktisur samitin e G7 pa u takuar me presidentin ukrainas Zelensky. Me këto sjellje ai ka dërguar një mesazh të dyfishtë.
Para së gjithash, ua ka bërë të qartë evropianëve, se në lidhje me një mbrojtje të mundshme të Ukrainës, ata duhet ta sigurojnë vetë atë. Dhe duke pasur parasysh realitetin e forcave në terren, ky sigurisht që nuk është një mesazh inkurajues për Ukrainën.
Veçanërisht nëse shoqërohet me rolin e Putinit si një ndërmjetës ndërkombëtar në konfliktin Iran-Izrael, që përtej konkretësisë së këtij propozimi, konsiderohet ende si bashkëbiseduesi i vërtetë i presidentit amerikan. Përmes këtij plani, Trump po mendon që ta zgjidhë luftën në Ukrainë drejtpërdrejt dhe në një të ardhme të afërt.
Udhëheqësit evropianë po trajtohen me rezerva, madje edhe me përbuzje të hapur, si ndaj Macron. Nga ana tjetër, përfundimi i luftës në Ukrainë është një domosdoshmëri parësore për Trumpin. Jo vetëm sepse gjatë gjithë fushatës zgjedhore, ai kishte përsëritur vazhdimisht se do ta përfundonte shumë shpejt këtë luftë.
Por edhe sepse sot, duke pasur parasysh vështirësitë e brendshme në rritje, ai ka absolutisht nevojë për këtë. Prandaj, nuk është për t’u habitur që Trump synon ta ndjekë këtë objektiv, pa marrë parasysh asnjë parim etik ose ligjor apo ndonjë lidhje të mëparshme miqësie dhe bashkëpunimi.
Ky është një ndryshim rrënjësor në raport me politikën tradicionale amerikane. Ai nuk bazohet më tek aleanca e madhe midis demokracive, por mbi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë pa ndërmjetësim midis fuqive të mëdha. Në këtë kuadër, Evropa as që merret në konsideratë.
Hapat e ditëve të fundit, janë ndoshta shenja e vetme e koherencës dhe parashikueshmërisë së Trump, i cili, si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë ndërkombëtare, nuk ka më si referencë prioritetin e ligjit por atë të forcës.
Për këtë arsye, e sheh më të lehtë të merret vesh me Rusinë dhe Kinën, se sa me Bashkimin Evropian. Ky kuadër i ri, më çon në një reflektim të hidhur. Për shumë dekada, bota ka jetuar nën shpresën, apo makthin, e revolucionit proletar.
E ardhmja e planetit, siç po përpiqet ta formësojë Trump, do të ketë si moto: “Autokratët e të gjithë botës, bashkohuni!”. Dhe kjo nuk më duket një perspektivë e mirë./Pamfleti nga “Il Messaggero”
Shënim: *Romano Prodi ka qenë kryeministër i Italisë
Lini një Përgjigje