TAGS-AT E JAVËS

Editorial20 Qershor 2025, 13:15

Stari Drugovi

Shkruar nga Gjergj Zefi

 Stari Drugovi

Rusia po hap një front paralel në Ballkan për të destabilizuar NATO-n dhe për të shpërqendruar Perëndimin nga Ukraina. Në qendër të lojës: Vuçiçi, Dodiku dhe kisha ortodokse, nën dirigjimin e Kremlinit...

Që nga pushtimi i Ukrainës në 2022, Rusia nuk ka ndalur së eksportuari destabilitet. Në Ukrainë, e bën me tanke. Në Ballkan, me aleatë. Moska e sheh rajonin si skenën ku Perëndimi mund të gjunjëzohet pa luftë, përmes krizës, provokimit dhe tensionit etnik. Mjeti i saj është Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë, që njërën dorë e mban në Evropë, dhe tjetren në Moskë.

Vuçiç ka rreshtuar ushtrinë në kufi me Kosovën, ka ‘ndezur zjarre’ në veriun e saj, ka mbështetur strukturat paralele, ka sabotuar zgjedhjet, dhe e ka kthyer komunitetin serb në Kosovë në kartë presioni ndërkombëtar. Në Bosnjë, aleati i tij Dodik ka përshkallëzuar agjendën separatiste, duke sfiduar përfaqësuesin ndërkombëtar dhe duke paralajmëruar shkëputje të hapur nga shteti federal. Ai është dënuar për shkelje të kushtetutës, por mbrohet nga Beogradi dhe përshëndetet nga Kremlini.

Putini e ka takuar Dodikun disa herë që prej vitit 2022. Filozofi rus, Alexander Dugin e quan projektin e Dodikut “bashkim të pashmangshëm me Serbinë”. Kjo nuk është diplomaci, është plan. Dhe Ballkani është vendi në të cilin Rusia ka vite që i vë bastet. Në Mal të Zi, grushti i shtetit i dështuar në 2016 ishte vetëm preludi. Tani, përmes kishës ortodokse dhe partive pro-serbe, Rusia kërkon të ndalojë çdo përparim drejt BE-së.

Objektivi është i qartë: nëse Ballkani shpërthen, Perëndimi është i pafuqishëm. Nëse Perëndimi detyrohet ta ulë Rusinë në tryezën e bisedimeve për të shuar krizën, Putini fiton. Nëse NATO ndërhyn, Ukraina humbet fokusin. Në çdo skenar, Rusia del me një avantazh.

Perëndimi duhet ta shuajë iluzionin se Vuçiç është faktor stabiliteti. Ai është zgjatim i Moskës. Ai shfrytëzon BE-në për para dhe përdor Moskën për fuqi. Retorika e tij evropiane është thjesht mashtrim. Strategjia e tij rajonale është projekt i Kremlinit.

NATO nuk mund të qëndrojë më neutrale. Tani është koha për sanksione të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve serbë. Është koha që strukturat e luftës hibride të synojnë boshtin Beograd– Moskë, duke shkatërruar mitin e Rusisë si mbrojtëse e “vëllezërve sllavë”. Sepse në vitin 1999, Rusia nuk mbrojti askënd. Në 1992, votoi për sanksione ndaj Jugosllavisë. Në vitet ’90, i shiti armë Kroacisë. Kjo është historia. Dhe historia është arma më e fortë që Perëndimi nuk po i referohet.

Putini e ndez zjarrin në Ukrainë, Vuçiçi i përhap flakët në Ballkani. Por është NATO që do të duhet ta shuajë. Pa iluzione! /Pamfleti

stari drugovi moska beogradi

Lini një Përgjigje

Editorial