TAGS-AT E JAVËS

Editorial25 Qershor 2025, 08:59

Lufta me regji!

Shkruar nga Gjergj Zefi

 

Lufta me regji!
Foto Ilustruese /

Në Lindjen e Mesme po luhet një teatër me bomba, ku Trump shpall armëpushime si në ‘reality show’, Irani pranon humbjen pa e thënë, dhe Izraeli s’pranon të ndalë kamerat. Kjo nuk është diplomaci: është farsë me pasoja fatale...

Edhe lufta ka koreografi. Madje, ndonjëherë ajo është më e rafinuar se çdo paqe diplomatike. Kjo u pa qartë kur Irani, pas bombardimit amerikan të bunkereve bërthamore, njoftoi paraprakisht Katarin, dhe nëpërmjet tij Shtetet e Bashkuara, se baza ajrore Al Udeid në Doha do të ishte “në shënjestër”. Shënjestër, jo objektiv. Shkas, jo synim. Sepse kjo nuk ishte as hakmarrje, as reagim ushtarak. Ishte thjesht një mesazh me eksploziv të kontrolluar.

Teherani nuk e kërkon përplasjen e drejtpërdrejtë me Uashingtonin. E di mirë se kush është në skenën ndërkombëtare dhe kush i mban dritat ndezur. Por regjimi iranian, edhe kur humbet, nuk do të heshtë. Do të lëshojë ndonjë raketë, vetëm për të thënë “jemi ende këtu”. Dhe në këtë farsë të përgjakur me aktorë që imitojnë liderë, Donald Trump hyn si regjisor i vetëshpallur i fundit të luftës.

Deklarata e tij për “fundin e konfliktit” ishte më shumë si një trailer elektoral sesa një vendim shtetëror. Ai zuri në befasi aleatët, armikun, edhe vetë ushtarakët amerikanë. Sepse për Trump-in, çdo goditje është spektakël dhe çdo armëpushim një skenë për t’u ngjitur në sondazhe.

Ai e shet veten si i forti që i dha fund një lufte, kur në fakt ajo u ndal vetë, nga frika se mund të dilte jashtë kontrollit. Dhe si gjithmonë, rasti i vitit 2019 e ndihmon ta përforcojë mitin personal: atëherë ndaloi një sulm ndaj Iranit për të mos vrarë njerëz; tani, ndalon luftën për të mos ‘vrarë’ sondazhin e rradhës. Kaq e thjeshtë. Nga ana tjetër, Izraeli s’është dakord. Netanyahu nuk e pranon që një ‘show-man’ nga Florida të vendosë për fatin e Teheranit. Ndaj ka shtuar bombardimet, zgjeruar objektivat dhe ka rifreskuar qëllimin e vjetër: ose shkatërrim total i programit bërthamor, ose ndryshim regjimi.

Në fund të ditës, gjithçka është një lojë pushteti, kush i jep goditjen e fundit, kush vendos kur fillon dhe kur ndalet një luftë. Dhe për momentin, këtë rol e ka marrë Donld Trump. Me gjasë përkohësisht, por me pasoja afatgjata. Dhe kjo nuk është lajm i mirë për askënd që e ka seriozisht paqen. Sepse kur lufta bëhet me regji, atëherë gjakderdhja nuk është më tragjedi, është vetëm skenografi. Dhe të vetmit që nuk janë pjesë e shfaqjes, janë njerëzit që vdesin jashtë kamerave./Pamfleti

lufta me regji gjergj zefi

Lini një Përgjigje

Editorial