Nga bunkeri në Truth Social: Kur burrat e shtetit bëjnë paqe me CAPS LOCK dhe ushtritë përgjigjen me bomba

Donald Trump u shfaq këtë mëngjes përmes një shpërthim emocionesh që do t’i shkonte më shumë një adoleshenti të zemëruar në Tik-Tok sesa një Presidenti të ShBA-së.
“Izraeli sapo firmosi armëpushimin dhe pastaj hodhi bombat më të mëdha që kam parë ndonjëherë,” tha ai me gojën plot inat, si një babaxhan që ia kanë prishur pushimet. Dhe nuk u mjaftua me kaq.
Bërtiti edhe në rrjet: “IZRAEL. MOS I HEDH ATO BOMBA. NËSE E BËN, ËSHTË SHKELJE E MADHE!”
Një fletërrufe dixhitale që askush nuk e dëgjoi, më pak nga të gjithë vetë Izraeli, i cili vazhdoi pa shumë shqetësim të zbrazë arsenalin në drejtim të Iranit.
Ky episod do të ishte qesharak po të mos ishte tragjik.
Sepse përtej CAPS LOCK-ut, shihen viktimat, rrënojat, alarmet dhe diplomatët që nënshkruajnë marrëveshje që zgjasin më pak se një ofertë interneti.
Në këtë teatër global, armëpushimi është një meme, ndërsa lufta është realiteti.
Trump luan rolin e paqebërësit, por të gjithë e dinë se nuk kontrollon më asgjë. As aleatët, as ngjarjet, as historinë. Dhe ironikja është se edhe ai që i hodhi bombat, Izraeli, është i vetmi që nuk do ta qortojë njeri. Sepse askush nuk guxon t’i thotë Izraelit: mjaft! As Amerika, as Evropa, as NATO. Sepse në këtë botë, siç duket, nuk ka më burra që thonë të vërtetën, vetëm mashkullinj që ulërasin pas çdo dështimi.
Kur fjala nuk ka më peshë dhe tronditja më e madhe vjen nga një postim në rrjet, atëherë jemi zyrtarisht në epokën e mosseriozitetit. S’ka më burra, ka vetëm mbetje të tyre që sillen si komedianë në një kabare të përgjakshme diplomatike./Pamfleti
Lini një Përgjigje