Ish-inspektori i OKB-së, Hans Blix, i njëjti që paralajmëroi botën kundër pushtimit të Irakut, sot ngre sërish zërin: ajo që SHBA dhe Izraeli kërkojnë në Iran nuk është ndalimi i një bombe, por rrëzimi i një regjimi. Dhe rrëzimi i regjimeve, siç e tregon Iraku, nuk sjell as paqe dhe as liri, por kaos.

Hans Blix ka qenë atje kur Perëndimi gënjeu për të nisur një luftë. Dhe sot, në vitin 2025, ai po sheh të njëjtën skemë: një regjim i urryer, një program bërthamor i paqëndrueshëm, disa liderë që kërkojnë lavdi dhe njerëz që po digjen në vendin e tyre.
Irani është shënjestra e radhës, dhe Netanyahut e Trumpit u mjaftojnë "dyshimet" për të filluar një tjetër tmerr. Si në Irak. Si me Sadamin. Si me bombat që nuk u gjetën kurrë. Dhe Hans Blix, ish- inspektori i OKB-së, ai që kontrolloi çdo bunker dhe frigorifer të Bagdadit, thotë sërish: nuk ka provë, nuk ka arsye, por ka etje për luftë.
Netanyahu e do për të forcuar pushtetin. Trump e do për të fituar vëmendjen, ndoshta një Nobel, ndoshta një titull të ri për egon e tij. Dhe ndërsa këta shohin tituj, Blix sheh viktima. Viktima si në Irak, që ende edhe sot nuk janë llogaritur.
Nëse historia do të kishte kujtesë, sot do të lexonim: “Blix, kishte të drejtë”. Por bota e ka memorjen e shkurtër. Historia përsëritet. Dhe bombat janë gjuha më e lehtë për të fshehur paaftësinë, frikën dhe arrogancën.
Irani ndoshta është problem. Por lufta nuk është zgjidhja. Lufta është justifikimi i liderëve të dështuar për të mbetur në histori. Dhe siç thotë Blix: “Netanyahu kërkon frikë për të mbetur trim. Trump kërkon luftë për t’u konsideruar i fortë.”
Kjo është politika në vitin 2025. Me retorikën e 2003-it. Me armë të reja. Por me njerëz më të rrezikshëm. Blix, jo bombat: shkruanin dikur protestuesit. Por kush dëgjon sot, kur kushtrimi i luftës mbulohet me propagandë dhe lajme të nxehta?
Historia po përsëritet. Dhe katastrofa është në prag. Vetëm emrat janë të tjerë. Bombat mbeten po ato./Pamfleti
Lini një Përgjigje