TAGS-AT E JAVËS

Editorial14 Nëntor 2024, 13:06

Ujqërit në Shtëpinë e Bardhë

Shkruar nga Matthew d’Ancona

 Ujqërit në Shtëpinë e Bardhë

Si po përgatiten demokratët të rezistojnë dhe sabotojnë urdhrat e Trump në shtetet që drejtojnë...

“Duhet të zhvendoseni në një qytet të vogël, ku ekziston ende sundimi i ligjit. Por nuk do të mbijetoni gjatë. Sepse nuk jeni një ujk, dhe tani atje toka është e ujqërve!”

Alejandro (Benicio del Toro) në filmin “Sicario” (2015)

A do të bëhet Amerika një “tokë e ujqërve”?

Një komb i sunduar vetëm nga të fortët, grabitqarët, të egrit? Ndoshta jo. Por zgjedhja e Donald Trumpit për një mandat të dytë presidencial, i ka rritur ndjeshëm mundësinë për një skenar të tillë.

Komediani i ndjerë George Carlin, tha në një rast: “Kur fashizmi të mbërrijë në Amerikë, ai nuk do të shfaqet me këmisha kafe dhe të zeza. Dhe as me çizme ushtarake. Por me atlete Nike dhe këmishat Smiley”. Në fakt, Elon Musk preferon trajnerë të personalizuar Cybertruck si dhe të veshë një bluzë me logon “Occupy Mars” (Pushto Marsin).

Por kur mësova se Trump e përfshiu miliarderin e teknologjisë në bisedën e tij me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky të mërkurën e kaluar, mendja më shkoi menjëherë tek profecia e Carlin. Sigurisht, Musk këmbëngul se qëllimi i tij kryesor është që të mbrojë demokracinë, si të gjithë autokratët aspirantë.

Presidenti i porsazgjedhur, është tejet alergjik ndaj detajeve, nuancave dhe punëve të ndërlikuara që ka një qeveri. Por është naive të supozohet se do të rimarrë postin më të fuqishëm në botë pa ambicie për të arritur, hesape për të larë me kundërshtarët, dhe me një plan të errët, të cilin pasardhësit nuk do të jenë në gjendje ta shpërfillin.

Ai do të veprojë në një mënyrë të tillë, që mandati i tij i dytë të ketë pasoja në të gjithë botën. Natyrisht, ka shumë rëndësi se cilët do të emërojë në postet kyçe të administratës së re. Emërimi i menjëhershëm i Susie Wiles, drejtueses së fushatës së tij, në postin e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, është një sinjal se besnikëria e palëkundur ndaj vetë Trumpit do të jetë një parakusht absolut i rekrutimeve.

Dhe këtë e dinë mirë njerëzit pranë tij. Të mërkurën, mbështetësi i MAGA-s, Mike Davis, i cili është pretendent për të marrë postin e Prokurorit të Përgjithshëm, u shpreh kështu në platformën X mbi armiqtë e kundërshtarët e Trump: Unë dua t’i shkatërroj politikisht ata njerëz me çdo lloj mënyre. Dhe natyrisht edhe juridikisht dhe financiarisht!”.

Vetë Davis pretendon se do të jetë pjesë e qeverisë së re, por Trump ka ide të tjera. “Ky djalosh është i egër si Djalli. Ne e duam atë në një post shumë të lartë”- deklaroi Trump në tetor.

Administrata e re do t'i ngjajë një oborri mbretëror mesjetar, në të cilën qasja dhe favorizimi nga Udhëheqësit të Madh, kanë më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër. Nga ana tjetër, kjo nuk do të jetë një qeveri plot me talente. Do të jetë një qeveri besnikësh dhe lakejsh.

Por edhe një regjim dinastik. Don Jr, do të jetë një  këshilltar i besuar i të atit, teksa aspiron të fillojë ndërtimin e karrierës së tij politike. Unë jam i sigurt se Musk, që ishte 26 miliardë dollarë më i pasur një ditë fitores së Trump, do t’i jepet një grup pune apo projekt për të drejtuar.

Ai pretendon se mund të shkurtojë “të paktën 2 trilion dollarë” nga buxheti federal prej 6.75 trilion dollarë, një masë drastike që nëse zbatohet do të copëzonte strukturën shoqërore të Amerikës. Por ajo që ka vërtet rëndësi më shumë se sa posti i tij zyrtar, është fakti që tani për tani ai është personi i dytë më i fuqishëm në oborrin e Trump.

Vini re se sa kohë i kushtoi presidenti i zgjedhur njeriut më të pasur në botë në fjalimin e tij të fitores: “Ne kemi një yll të ri. Një yll ka lindur, Elon. Jo unë, po ai. Tani ai është një djalë i mrekullueshëm… Një super gjeni”. J.D.Vance mund të jetë zëvendës/presidenti i zgjedhur, por nuk ka dyshim se kush është zëvendës/sherifi i ri.

Të paktën derisa të mërzitet Trump, kur mund të zgjedhë dikë tjetër. Ky është problemi i autokratëve. Ata priren të jenë kapriçiozë. E njëjta gjë vlen edhe për Robert F Kennedy Jr, i nxitur nga presidenti i zgjedhur që të “sillet egër” në lidhje me vaksinat dhe politikat farmaceutike: “Unë i thashë se mund të bëjë gjithçka që dëshiron!”.

Tani për tani, RFK këmbëngul se “nuk do ta privojmë askënd nga vaksinat”. Por populli amerikan nuk duhet të ketë asnjë dyshim, se njeriu që sapo e zgjodhën si presidentin e tyre të 47-të, ka në rrethin e tij të ngushtë një kundërshtar maniakal të vaksinave, i cili dëshiron të heqë përdorimin e fluorit nga uji i pijshëm në SHBA, që beson se Wi-Fi dhe telefonat celularë shkaktojnë kancer, dhe që ilaçet anti-depresive inkurajojnë të shtënat masive.

Nëse dyshoni mbi shkallën e mendimeve ekstremiste të RFK-së, shihni pak librin e tij më të shitur “Anthony Fauci i vërtetë: Bill Gates, Big Pharma, and lufta globale ndaj demokracisë dhe shëndetit publik” (2021), në të cilin ai pretendon se “virusi HIV nuk e shkakton sëmundjen e SIDA-s”, dhe se Fauci, ish-drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, organizoi “një grusht shteti historik kundër demokracisë perëndimore”.

Kur i hodha një sy këtij libri disa vite më parë, mendova se ishte e trishtueshme që djali i të ndjerit Robert Kennedy ka rënë kaq poshtë. Tani, idetë në faqet e tij përfaqësojnë një rrezik të qartë dhe të pranishëm për shëndetin publik në SHBA, dhe rrjedhimisht për pjesëmarrjen e Amerikës në strategjitë ndërkombëtare, reagimin ndaj pandemive dhe fushatat e vaksinimit.

Vetëm disa ditë nga hyrja në epokën e re, dhe po shohim zhdukjen e rendit të vjetër. Të premten, këshilltari special Jack Smith kërkoi dhe arriti një pezullim të padisë federale kundër Trump për përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020-ës. Po kështu ka ndodhur me padinë mbi dokumentet e klasifikuara që i mbante në shtëpinë e tij në Florida.

Për më tepër, vendimi i shumicës së Gjykatës së Lartë të SHBA në korrik, sipas të cilit presidenti - në detyrë apo i larguar - ka “imunitet absolut” për të gjitha “aktet zyrtare”, e amniston Trumpin nga të gjitha shkeljet. Dhe pasojat do të jenë serioze, pasi shumë nga gjërat që dëshiron të bëjë Trump, do të jenë përtej të ligjshmes.

Merrni planin e tij për të dëbuar të paktën 11 milionë emigrantë pa dokumente, një projekt i zhvilluar gjatë shumë viteve nga njëri prej këshilltarëve të tij më të zellshëm, Stephen Miller.

Në një intervistë dhënë në nëntor 2023 për Charlie Kirk, bashkëthemelues i Turning Point USA, Miller foli për pikat kryesore të planit.

Sipas tij do të ketë “bastisje në shkallë të gjerë” në të gjithë vendin, nën drejtimin e Gardës Kombëtare dhe me pjesëmarrjen e agjentëve të DEA-s, Zyrtarëve të Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve, sherifëve shtetërorë dhe lokalë etj.

Edhe pse krahasohet shpesh me dëbimin e 1.3 milionë meksikanëve dhe amerikano-meksikanëve nga Eisenhower në vitet 1953-1954, plani i Trump është shumë më ambicioz, si në shkallë ashtu edhe në shtrirje globale. Miller parashikon transportin e emigrantëve drejt më shumë se 100 vendeve të origjinës.

Pasojat humanitare të këtij projekti të tmerrshëm do të jenë të mëdha, por po ashtu edhe kostoja për ekonominë dhe për taksapaguesit amerikanë. Mos bini në grackën e imagjinatës, se mandati i tij i dytë do të jetë thuajse i njëjtë me të parin. Trumpi i 2024-ës nuk është Trumpi i 2016-ës.

Ai e ka parë se si funksionon Uashingtoni, se si mund të pengohen politikat presidenciale. Ata që thonë se ai kandidoi sërish, vetëm për të qëndruar jashtë burgut janë të gënjyer. Trump është një nxitës i kaosit dhe synon të përfitojë shumë prej tij. Jo se ai do të jetë i pasfidueshëm. Përkundrazi, do të përballet me kundërshtimin e shteteve të veçanta, që nuk duan ta pranojnë autokracinë e tij të sapolindur. Gavin Newsom, guvernatori demokrat i Kalifornisë, ka thirrur një seancë urgjente të legjislaturës së shtetit më 2 dhjetor për të “mbrojtur shtetin tonë kundër çdo veprimi të paligjshëm nga administrata e ardhshme Trump”.

Homologu i Newsom në Illinois, J.B.Pritzker, bëri ​​një paralajmërim të ngjashëm. Guvernatorja e Massachusetts, Maura Healey, premtoi të përdorte “çdo mjet për të mbrojtur demokracinë dhe sundimin e ligjit”. Në mënyrë të veçantë, ajo tha se “nuk do të lejojë” policinë e shtetit të saj që të marrë pjesë në dëbimet masive të emigrantëve.

Ndërkaq në shtetin e Nju Jorkut, Kathy Hochul njoftoi formimin e një task-force për të mbrojtur “zonat kyçe që kanë më shumë gjasa të përballen me kërcënime nga administrata Trump”. Nga ana tjetër, raportohet se zyrtarët e Pentagonit kanë mbajtur takime për t’u përgatitur për urdhrat e paligjshëm që mund të lëshohen nga komandanti i ri i përgjithshëm. Sigurisht, këto nuk janë deklarata separatiste apo të një rebelimi të hapur. Por Donald Trump e di se përballja me demokratët do të jetë e vërtetë./Përshtati Pamfleti nga “The New European”

ujqërit në shtëpinë e bardhë

Lini një Përgjigje