TAGS-AT E JAVËS

Editorial13 Nëntor 2024, 17:16

A duhet t’i besojmë ‘Parajsës Artificiale’ të Ben Blushit

Shkruar nga Pamfleti

A duhet t’i besojmë ‘Parajsës Artificiale’ të

Natyrisht kohët kanë ndryshuar dhe beteja mes Zotit dhe teknologjisë është bërë gjithnjë e më e ashpër. Këtë temë prek edhe Ben Blushi në romanin e tij të fundit Parajsa Artificiale.

Megjithëse Ben Blushi thotë se romani i tij i fundit është një histori dashurie, nuk duket se është vetëm kaq. Nga disa sqarime që vetë Blushi ka dhënë në media duket sikur ka një tendencë për të fshehur disa tema të tjera nën çarçafët e dashurisë që përshkruan ky libër.

Një nga temat kryesore të romanit është beteja mes Zotit dhe shkencës. Ben Blushi me gojën e personazhit të tij thotë në disa raste, se Zoti ka vdekur. Madje ai shkon edhe më larg kur pretendon se edhe Muhamedi dhe Jezu Krishti janë dobësuar si profetë, pra nuk i bëjnë më shërbimin që i kanë bërë dikur njerëzimit, i cili po priret nga mosbesimi.

Është e vërtetë se fetë në përgjithësi po e humbin peshën e tyre në dëm të teknologjisë. Sot më shumë njerëz rrinë në internet, nëpër stadiume dhe ekrane sesa nëpër kisha dhe xhami. Nuk ka qenë kështu 300 vjet më parë kur jeta ishte shumë e kufizuar dhe kur objektet e kultit ishin edhe shkolla edhe spitale edhe librari edhe vende argëtimi e takimi.

Natyrisht kohët kanë ndryshuar dhe beteja mes Zotit dhe teknologjisë është bërë gjithnjë e më e ashpër. Këtë temë prek edhe Ben Blushi në romanin e tij të fundit Parajsa Artificiale.

Në një rast ai shkruan: Grekët e vjetër besonin tek shumë Zota, kryesori nga të cilët ishte Zeusi. Por Moisiu, Jezu Krishti dhe Muhamedi e vranë Zeusin dhe i zunë vendin. Kështu do ndodhë edhe pas 1000 vitesh. Njerëzit do zëvendësojnë Perënditë e sotme me Perëndi të tjera. Jezu Krishti dhe Muhamedi janë duke vdekur.

Në një rast tjetër personazhi kryesor i romanit thotë: Ne po shkojmë në parajsë pa ndihmën e Zotit. Ndryshimi është se kur Zoti ishte gjallë, ne ishim ferri i njëri tjetrit, tani që Zoti ka vdekur ne do jemi parajsa e njëri-tjetrit.

Ne roman ka shumë dialogje gjatë të cilave personazhet debatojnë për rolin e Zotit dhe profetëve si dhe shumë gjykime të guximshme për ta. Por ideja që përshkon librin është se njerëzimi provoi për disa mijëra vjet të gjejë parajsën duke ndjekur metodën hyjnore, pra rrugën e Zotit. Njerëzit besuan se duke bërë mirë gjatë jetës së tyre ata do shkonin në parajsë pas vdekjes. Kjo do të thotë se çmimi i parajsës është vdekja. Nëse nuk vdes nuk shkon dot në parajsë.

Pikërisht këtë kundërshton Blushi në romanin e fundit. Sipas tij njerëzimi dështoi ta njihte parajsën me rrugën e Zotit sepse askush nuk u kthye që andej për të vërtetuar se ajo ekziston. Bota është një ferr i mbushur me padrejtësi, luftë, konflikte dhe armiqësi të cilën Zoti nuk po e qetëson dot. Prandaj rruga tjetër për të shkuar në parajsë është rruga e shkencës dhe konkretisht rruga e inteligjencës artificiale.

Personazhi kryesor i librit të Ben Blushit thotë se përmes Inteligjencës Artificiale, njerëzimi do shkëputet gradualisht nga paraja, nga veset, nga luftërat, nga lakmia dhe nga vetë Zoti. Bota e kontrolluar nga Inteligjenca Artificiale do jetë një botë më e drejtë, më paqësore, në të cilën njerëzit nuk do vrasin, nuk do vjedhin dhe nuk do luftojnë dhe njeriu i fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale do jetë vetë Zoti. Përmes përparimit të Inteligjencës Artificiale njeriu do jetojë më gjatë duke mundur sëmundjet e trupit, dhimbjet, torturat e plakjes si edhe sëmundjet e shpirtit si lakmia, zilia, tradhtia, gënjeshtra dhe urrejtja.

Ky është një nga përfundimet e këtij romani të çuditshëm të cilin Ben Blushi e fsheh me elegancë poshtë çarçafëve të një dashurie të papërshtatshme mes një burri dhe një vajze të re.

Ndoshta ai e ekzagjeron shumë fuqinë e Inteligjencës Artificiale duke i zvogëluar me qëllim rreziqet e saj. Megjithëse Blushi thotë se nuk ka për të ndodhur, nuk ka asnjë garanci se Inteligjenca Artificiale mund të kthehet në një armik të njerëzimit duke dalë jashtë kontrollit çka është frika më e madhe e shumë filozofëve sot. Edhe ata që punojnë çdo ditë me inteligjencën artificiale janë të frikësuar nga pavarësia e saj e plotë nga njeriu.

Dhe nëse kjo ndodh atëherë entuziazmi i Blushit është i nxituar. Prandaj a duhet të jetojmë me frikën se Inteligjenca Artificiale do bëhet Zoti jonë i ri apo më keq akoma Pronari ynë? Askush nuk e di prandaj arsyet për të patur frikë janë të forta dhe arsyetimi i Ben Blushit nuk mjafton për të qetësuar dyshimin./Pamfleti

Lini një Përgjigje