TAGS-AT E JAVËS

Editorial 6 Nëntor 2024, 10:24

Ultimatumi amerikan për pastrimin e listave nga krimi

Shkruar nga Pamfleti

 

Ultimatumi amerikan për pastrimin e listave nga krimi
Edi Rama /

Arrestimi i Jurges Çyrbes ishte vetëm fillimi i atij që quhet operacion për të spastruar listat e deputetëve nga lidhjet me krimin...

Operacion që ka mbështetjen e fortë të SHBA e BE, të cilët e kanë bërë të qartë me duartrokitjen ndaj SPAK.

Nga ana tjetër, ka një qëndrim të fortë në lidhje me listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2025-s. Ndërkombëtarët e kanë kërkuar me insistim që të mos kandidojnë jo vetëm persona të skeduar si lidhje me krimin, por edhe të afërm apo të përzgjedhur prej tyre.

Pas zgjedhjeve presidenciale, pritet që SHBA të bëjë një publikim, sipas gjasave në një media të rëndësishme, në lidhje me klanet kriminale që mbizotërojnë në rrjetin e politikës.

Ultimatumi amerikan për pastrimin e listave nga krimi

Një dokument që qarkullon prej kohësh, e për të cilin kanë dijeni në sferat e larta të mazhorancës, fotografohet me një precision perfekt, e gjithë “pema gjenealogjike” e lidhjeve më të forta kriminale.

Në këtë material, flitet me detaje për tre qarqe të caktuara: Elbasanin, Durrësin dhe Lezhën.

Për të parin theksohet se ka tre shtylla kriminale që janë të lidhur me pushtetin e lartë të Edi Ramës.

Shtylla e parë është në Peqin, tjetra në Cërrik dhe e treta në qytetin e Elbasanit. Që nga deputetët e deri tek emërimet në drejtoritë vendore, janë persona të klaneve dhe të lidhur familjarisht me këto klane.

Madje përmendet edhe një biznesmen i rëndësishëm që është kthyer në influencer ngaqë e ka marrë vesh se është zbuluar.

Të gjitha fondet apo tenderat, si dhe emërimet në çdo nivel vendor, kalojnë nga këto klane. Materiali ka në mënyrë të detajuar emra, emërime, por edhe fondet që kontrollojnë këto klane. Madje është evidentuar edhe sesi përdoren më pas këto fonde.

Në Durrës, bëhet e ditur se klanet kriminale kontrollojnë gjithçka, e të zgjedhurit që nga kryebashkiakja nuk kanë asgjë në dorë.

Madje përmendet një situatë interesante, që tregon se ndërkombëtarët dinë gjithçka. Në këtë dokument thuhet se për një kohë gjithçka në Durrës kontrollohej nga qelia e paraburgimit të qytetit, qeli ku ndodheshin disa nga kokat që kontrollojnë klanet e të gjithë qarkut.

Thuhet se qelia e famshme u kthye në një apartament luksoz, ku u investuan rreth 11 mijë euro për të ndërtuar një kuzhinë moderne.

Policët u përzgjodhën vetë nga të burgosurit vip, të cilët shërbenin më pas si korrierë me botën e jashtme, si dhe furnizonin me pajisje komunikuese.

Ndërkaq, me detaje flitet edhe për vatrën kriminale të Krujës, ku klanet e Niklës dhe grupet e Fushë-Krujës nuk e kanë humbur fare influencën, edhe pse u largua përfaqësuesi i tyre Rrahman Rraja prej grupit të PS-së.

Jo rastësisht Edi Rama e quajti “burrë” ish-deputetin e tij, për të dhënë mesazhin se asgjë nuk ka ndryshuar edhe pse Rraja u largua.

Për Lezhën, materiali thekson se gjithçka kontrollohet nga grupe që janë bërë njësh me njëri-tjetrin, duke pasur edhe lidhje familjare. Këta operojnë në sektorin e ndërtimit, turizmit, dhe kontrollojnë emërimet në administratë, si dhe fondet publike në çdo cep.

Ky është vetëm fillimi, pasi pritet që të ketë një ‘bombë’ të vërtetë në muajt përpara zgjedhjeve, e cila do të trondisë nga themelet pushtetin piramidal të Edi Ramës./Pamfleti

 

ultimatumi amerikan pastrimi i listave nga krimi

Lini një Përgjigje