
Ngjarja nuk duket e rastësishme, as si ka nisur e as si ka qëlluar ‘gongun’ e një fushate për zgjedhjet e ardhshme...
Ngjarja tragjike në Shkodër, ku brenda pak minutash shkuan në morg 3 persona, nuk ishte një kronikë e thjeshtë.
Pasi, përveç hesapit të bandave, kemi të bëjmë me një tragjedi edhe politike, por edhe sociale e njerëzore, jashtë kontekstit të grupeve kriminale.
Në atentatin e ekzekutimit në rrugën kryesore që hyn në qytet nga kufiri me Malin e Zi, është vrarë një qytetar që mendohet të ishte shënjestra, shoqëruesi i ti, as më pak e as më shumë por i biri i vetëm i një zyrtari të lartë politik në qytet, përkatësisht kryetar së Asamblesë së partisë së Lulzim Bashës, por edhe dy qytetarë që nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen apo shënjestrën. Thjesht po kalonin rrugën.
Ngjarja nuk duket e rastësishme, as si ka nisur e as si ka qëlluar ‘gongun’ e një fushate për zgjedhjet e ardhshme. Ku përveç të tjerave, një rol pritet ta luajnë bandat kriminale, natyrisht sipas rëndësisë së vendit dhe kohës.
Gjakmarrja tashmë disa vjeçare në Shkodër, që ka marrë shumë viktima që askush nuk i ka zbuluar, duket se luajti vetëm aktin e radhës së një kronike të paralajmëruar gjaku e dhune që nuk do të ndalet. Por nuk është Shkodra as e para e as e vetmja. Madje ka më keq se ajo, edhe pse në dukje krimet që kryhen në Shkodër janë më demonstrative.
Siç ka thënë babloku: Nuk keni parë gjë akoma; situata paraqitet e njëjtë në Durrës, ku bandat janë me ‘fishek në gojë’, për t’u nisur në një start vdekjeje, pasi janë paguar ose u janë dhënë bonuset për të qenë ata komisionerët e sigurimit të votës.
Arrestimi i Jurgis Çyrbes apo edhe paraqitja në SPAK e Ardian Çelës, mund të ndikojnë në një frenim, por të gjithë e dinë se nuk janë ata kapot e mëdhenj.
Burgu që mbante vipat në qytetin bregdetar nuk ishte gjë tjetër veçse një hotel me 5 yje, ku vetëm investimet për kuzhinën apo mjediset e tjera të apartamenteve të politikanëve të ndaluar i kalonin 2 shifrat e mijëra eurove. Ndërkaq, policët që shërbenin aty ishin të gjithë të zgjedhur nga kupola.
Në ditët në vazhdim, edhe në Durrës pritet të dalin sërish në skenë grupet e fshehura e të “qetësuara” për ca kohë. Banorët e Durrësit po shikojnë lëvizje të frikshme ku lokale dhe asete të bandave po bëhen në “zona nën meremetim” që tregon një sinjal të rëndësishëm i kthimit në bunker virtualë, apo një alibi për një përplasje të përgjakshme.
Ndërkaq, Lezha, e cila është gjithashtu një zonë e nxehtë, pritet të ketë temperature të larta. Ku Shëngjini, si zonë e lakmuar e grupeve kriminale pritet të jetë një territor përplasjeje. Aleancat e brendshme të
grupeve të të fortëve dhe politikanëve të territorit kanë nisur që tani lobimin dhe presionin për të hyrë në listat e deputetëve të dy partive të mëdha.
Shëngjini, Laçi, e Miloti konsiderohen si zonat e nxehta të fushatës elektoale. Më pas vjen Elbasani, që po trajtohet si territori më i rrezikshëm në vend, duke shtuar më pas Fierin, Vlorën, apo edhe zona të tjera.
Ngjarja e Shkodrës dha një sinjal se kush do ta ketë precedencën apo kush e mori iniciativën i pari. Por kjo nuk do të thotë që do të ketë të njëjtën vijueshmëri në ditët në vazhdim. Thjesht u tregua se kush përkrah kë dhe çfarë ndodh po të jesh pranë tyre. Qoftë me vullnet apo rastësisht; Ekzekutohesh!/Pamfleti
Lini një Përgjigje