
Në një moment kur askush nuk arrin të bindë si lider i fortë opozitar, lojtarëve të huaj u duhet të shpikin ide të reja për të stabilizuar situatën politike në Shqipëri...
Po sikur Altin Dumani, i njohur për rolin e tij si kreu i SPAK dhe figura më e fuqishme në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, të shfaqej si kandidati kryesor për të udhëhequr opozitën? Në një moment kur askush nuk arrin të bindë si lider i fortë opozitar, lojtarëve të huaj u duhet të shpikin ide të reja për të stabilizuar situatën politike në Shqipëri.
Në një klimë ku opozita është e dobësuar dhe e fragmentuar, forcat ndërkombëtare kërkojnë një figurë të besueshme që mund të krijojë një ekuilibër politik të qëndrueshëm. Dumani, me popullaritetin që ka fituar gjatë mandatit të tij në SPAK, mund të shihet si një alternativë që përmbush pritshmëritë e ndërkombëtarëve për një opozitë më të fortë dhe më transparente. Ai ka një profil publik që ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe që ka fituar një farë reputacioni.
Pavarësisht popullaritetit të tij si një figurë e drejtësisë, Dumani ka ende sfida për të kaluar për të fituar besueshmërinë e plotë që i takon një lideri politik. Edhe pse me këta lider që kemi pasur ndër vite besueshmëria ka qenë e vogël. Drejtimi i SPAK është një gjë, por përballja me skenën politike kërkon një lloj tjetër udhëheqjeje.
Spekulimet për një lëvizje të tillë tregojnë një krizë të thellë të politikës shqiptare, ku askush nuk ka arritur të imponohet si lider i fuqishëm. Në këtë vakum, një figurë si Dumani, me një mandat që përfundon së shpejti dhe një popullaritet në rritje, mund të jetë një zgjidhje pragmatike për të kaluar periudhën e vështirë që po kalon opozita. Kjo do të ishte një shans për të testuar një model të ri udhëheqjeje, duke sjellë një individ nga shkallët e larta të drejtësisë në politikë.
Shembuj ndërkombëtarë tregojnë se kalimi nga drejtësia në politikë është një rrugë e ndërlikuar dhe plot sfida, por edhe me potencial të madh për sukses:
Kamala Harris ishte Prokurorja e Përgjithshme e Kalifornisë, duke ndjekur shumë çështje të rëndësishme që përfshinin krimin dhe të drejtat civile. Ajo u bë e njohur për qëndrimet e saj të ashpra ndaj krimit dhe mbrojtjen e drejtësisë. Kaloi në politikë duke u zgjedhur si Senatore e SHBA-së dhe më pas si Nënkryetare e SHBA-së në 2020.
Laura Codruța Kövesi në Rumani, ish-prokurore e Drejtorisë Kombëtare Kundër Korrupsionit, u kthye në një simbol të luftës kundër korrupsionit në vend. Ajo fitoi popullaritet të madh për arritjet e saj, por përballja e saj me botën politike doli të jetë një përvojë e vështirë, duke hasur rezistencë të fortë nga establishmenti politik.
Rudy Giuliani ishte një prokuror federal që luajti një rol të madh në luftën kundër krimit të organizuar në New York, duke përndjekur me sukses disa nga anëtarët më të fuqishëm të mafias. Ai u bë Kryebashkiaku i New York-ut dhe fitoi reputacionin si "Kryebashkiaku i Amerikës" për mënyrën e tij të menaxhimit të qytetit pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Giuliani shihet ende si një figurë kyçe për modernizimin dhe pastrimin e qytetit nga korrupsioni dhe krimi.
Antonio Di Pietro, ish-prokuror italian që udhëhoqi hetimet e njohura si “Mani Pulite” në fillim të viteve 1990, pati një ndikim të madh në politikën italiane. Ai formoi partinë “Italia dei Valori”, duke u përpjekur të ndërtojë një alternativë politike që të pastronte skenën nga korrupsioni, por gjithsesi përballja me realitetin politik u shoqërua me vështirësi të mëdha për të ruajtur popullaritetin dhe paanshmërinë.
Eliot Spitzer, ish-Prokuror i Përgjithshëm i Nju Jorkut, kaloi nga një pozicion në drejtësi në një karrierë politike si Guvernator i Nju Jorkut, por sfidat personale dhe politike bënë që karriera e tij të përfundonte në mënyrë të papritur.
François Hollande në Francë ishte prokuror para se të bëhej politikan, duke u ngjitur në rangjet më të larta të qeverisë. Ai u përball me sfida të mëdha për të ruajtur besueshmërinë e tij gjatë mandatit si President i Francës.
Po sikur Dumani të jetë një eksperiment i ndërkombëtarëve, një përpjekje për të sjellë një lider të paanshëm në skenën opozitare? Kreu i SPAK ka fituar popullaritetin e tij si njeriu që coi para drejtësisë dy figurat më të njohura dhe të fuqishme të politikës shqiptare, Sali Berishën dhe Ilir Metën. Këta dy liderë, të cilët për dekada kanë dominuar skenën politike, janë konsideruar si simbol i “llumit” që ka mbuluar opozitën shqiptare. A nuk është kjo një kërkesë e partnerëve amerikanë?
Dumani është në sinkron me amerikanët në çdo lëvizje. Ai do të mbetet njeriu i tyre edhe kur të përfundojë detyrën si kreu i SPAK, me shumë mundësi me një detyrë të re që do të përmbushë agjendën e tyre për Shqipërinë.
Le të mos fokusohemi për një moment te spekulimet se Dumanin e “kap për veshësh” Rama apo të tjera si këto. Të fokusohemi te popullariteti dhe tek besimi që ai ka krijuar duke goditur majtas e djathtas, normalisht duke ruajtur edhe balancat politike. Kjo është pjesë e strategjisë për të cilën SPAK dhe ndërkombëtarët nuk mund të kërkojnë mendim nga opozita e Flamur Nokës dhe as nga “Sulltania” e Edi Ramës.
Mandati i Altin Dumanit përfundon në 2025, dhe kjo periudhë mund të jetë momenti i duhur për të treguar se ai mund të mbajë një qasje të pandikuar nga politika, duke fituar besimin e qytetarëve. Në një klimë ku askush nuk ofron një vizion të qartë dhe të besueshëm për opozitën, Dumani mund të shihet si një përgjigje pragmatike ndaj kaosit politik që ka mbërthyer vendin. Opozitës nuk i'a ka fajin asnjë prokuror i SPAK pse kjo e fundit nuk e mund dot Edi Ramën. /Pamfleti
Lini një Përgjigje