Arrestimi i djeshëm, është lajm i mirë edhe për një arsye tjetër: i vetëshpallur i paprekshëm, me gjuhën tinëzare me të cilën kërcënonte drejtësinë dhe protagonistët e saj, vënia e prangave Ilir Metës ka thyer një mit dhe ka hapur një shteg...
Si të ishte një kriminel ordiner, i tërhequr zvarrë nga makina ku mundohej të mbahej fort, nga forca speciale policore, dje Ilir Meta ka dhënë spektaklin e fundit politik e personal. Nën akuzat për pastrim parash, mos deklarim pasurie dhe korrupsion, ai është vënë pas hekurave, pa i dhënë mundësinë të arrinte para mikrofonave të konferencës për shtyp që kishte paralajmëruar. Bashkëshortja e tij dhe bashkudhëtarja politike deri para pak muajsh, hetohet në gjendje të lirë.
Pa i hyrë diskutimit të mënyrës së arrestimit dhe spektaklit që ky pushtet vdes të japë, Ilir Meta mori atë që meritonte dhe që duhet të kishte marrë shumë vite më përpara. Edhe pse ish-President, ish-Kryeministër, ish-Kryetar Parlamenti, pra ndër të paktët që ka kaluar të gjitha shkallët e pushtetit, përfundoi në pranga si një kriminel ordiner.
Ilir Meta e meritonte një fund të tillë. Burgu tani, është i vonuar për të.
Për hir të pushtetit me të cilin abuzoi çdo ditë që e pati në dorë, për hir të bllokut të famshëm 700 mijë eurosh, të floririt të vjedhur dhe vilave që fëmijët e tij gëzojnë në Londër, të minierave të arit në Afrikë dhe lidhjeve me kriminelët që ai dhe e shoqja kanë shfrytëzuar për të mbajtur pushtetin, Ilir Meta e meriton burgun.
Për hir të shërbimin ndaj shqiptarëve që nuk e dha kurrë, edhe pse një nga njerëzit më të pushtetshëm në vend, si një nga kontribuesit kryesorë të shkatërrimit të Shqipërisë, Ilir Meta e meriton burgun. Madje ky arrestim ishte i vonuar. Duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë.
Sesa do të dënohet Ilir Meta tanimë nuk ka fare rëndësi. Arrestimi i djeshëm i tij, është një lajm i mirë edhe për një arsye tjetër: i vetëshpallur i paprekshëm, me gjuhën tinëzare me të cilën kërcënonte drejtësinë dhe protagonistët e saj, vënia e prangave Ilir Metës ka thyer një mit dhe ka hapur një shteg.
Theu mitin e paprekshmërisë dhe hapi shtegun që Edi Rama ti shkojë pas. Nuk mohohet fakti se arrestimi i Ilir Metës kishte nota spektakli që i vijnë fort për shtat propagandës së pushtetit të Edi Ramës. Por nëse atë e tërhoqën zvarrë për ta futur në makinën e policisë, mbrapa tij mbeti një vend bosh që duhet të mbushet nga dirigjenti i shkatërrimit përfundimtar të Shqipërisë. Pasi i kanë rënë shokët një nga një, pas dosjeve voluminoze që pritet të hapen për njerëzit më të afërt të tij, radha i ka mbetur Ramës. E kur ajo ditë të vijë, nuk do të ketë spektakël që mund ta barazojë entuziazmin e një populli të lodhur deri në zgrip, por me shpresën se vjen një ditë dhe drejtësia shkon në vend./Pamfleti
Lini një Përgjigje