TAGS-AT E JAVËS

Editorial24 Tetor 2024, 18:27

Pragzgjedhje në Kosovë/ Kush “shet” placebo dhe kush “shet” nocebo në Prishtinë

Shkruar nga Fadil Lepaja

Ne brenda mbahemi me shpresë se nëse bëhet fort keq, ikim jashtë.  Diaspora janë të pashpresë.  Këta kanë mbetur më keq se të tjerët. Nuk kanë ku të shprehin vullnetin e tyre politik derisa të fitojnë të drejtën e votës në Evropë. . .  deri atëherë, placebo, njeri! Votoni! Vota e juaj, nga purgatori e bënë ndryshimin.

Pragzgjedhje në Kosovë/ Kush “shet” placebo dhe kush

 

Është para fushatë.  Albini thonë se shet placebo, ndërsa opozita shet nocebo. Kështu i thonë njëri tjetrit pozita dhe opozita.  Nejse, nuk e thonë pikërisht kështu, por, kështu i bie.  Në Kosovë, opozita me numra të vegjël pikturon tablo me ngjyra të errëta të realitetit ndërsa premtimet i jep me ngjyra të ndezura. Nuk premtojnë shumë, por dëshmojnë se është e pamundur të bëhet më shumë se sa kishin bërë kur ishin në pushtet. Kur nuk shet më placebo, shet nocebo.  A do ta blejnë qytetarët?

 Kosovarët, të cilët dikur me të madhe pushonin në Velipojë, e  kujtojnë atë shitësin “legjendar” të gazetave në plazh, i cili gazetat i reklamonte me “Hajde rrena, hajde rrena” me zë aq të lartë sa edhe opozita në parlament.  Prandaj edhe pritshmëria është pak a shumë njëjtë sikur kur lexoni gazetën në plazh. Shitësi, e kishte fjalën për politikën, e cila mbushte faqet e para të gazetave. Mediat janë vetëm pasqyrë. Pasqyrë moj pasqyrë, pyet pasqyrën një kandidat për deputet, në prag të fushatës: të shes placebo, apo nocebo? Ekziston diçka e tillë? Një politikan i ndershëm, pra! Hajde rrena. . .

Po e dini, nocebo njihet si  term që përdoret në mjekësi për të përshkruar efektet negative që mund të ndodhin si rezultat pritshmërie të pacientëve ose të besimit se një trajtim do të ketë efekte anësore të padëshiruara. E kuptuat se për kë bëhet fjalë? Për pozitën apo opozitën?

Mos ta politizojmë shëndetin mendor, do të thoni ju? Pse jo? A nuk është bërë biznes, shëndeti? Ke para, ke shëndet. Prandaj domosdo bëhet edhe politikë. Duan shëndet edhe ata që nuk kanë para. 

A nuk promovohen spitalet publike si suksese të mëdha? Gati sa ato private. I dallon vetëm radha e gjatë. . .dhe çmimet. 

Pra, nocebo apo placebo, po shisni zotëri? Kështu mbase do të duhej të pyesnin gazetarët palët skajshëm të konfrontuara politike në Kosovë.

Opozita kuptohet se nuk pret asgjë të mirë nga Qeveria. A ka ndodhur efekti?

Disa thonë se opozita në Kosovë “shet “ nocebo, ndërsa qeveria shet “placebo”.  Placebo, në kontrast me fenomenin e "nocebo", flet për një trajtim kot, të paefektshëm realisht, i cili mund të sjellë përfitime për shkak të pritshmërive pozitive të pacientit. Pacienti në rastin tonë janë qytetarët.

Nga bombardimi mediatik, sidomos në mediat sociale, ku qytetarët ndjekin politikanët dhe autoritetet e tyre morale  apo intelektuale, që ju besojnë apo i pëlqejnë, “pacientët” krijojnë pritshmëri për të preferuarit e vet, por edhe për të kundërtën e tyre, varësisht.  Duan ti shohin të suksesshëm. . . i besojnë.

Në praktikë, nocebo mund të duket kështu: “Albini do të tradhtojë Kosovën, do ta shes”.  Sa po e shet Kosovën Albin, pyesin ata, pa e vënë në dyshim profecinë opozitare.

Pra nuk ka se si ndodhë ndryshe.  Qeveria do të vjedhë, ajo tashmë po vjedh thotë opozita. Opozita e di,  sepse niset nga përvoja.  Çdokush që vjen në qeveri, patjetër se do të vjedh, thotë përvoja e deritashme.  Këtu zë fill nocebo. Nuk mund të jetë as kjo qeveri ndryshe.

“Ne jemi ndryshe, nuk do të vjedhim, ne do të ndërtojmë, do të mbrojmë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, do të ngremë standardin, do të largojmë institucionet e Serbisë nga Kosova”. . . ka ndodhur kjo, apo është vetëm placebo që shet qeveria? Nocebo thotë, opozita, është e pamundur.  Kur nuk kemi mundur ne, nuk mundet askush. 

Placebo ja kthen qeveria, ne jemi të pastër që të gjithë, nga stërgjyshi e këndej e do të jemi deri te stërnipat, sepse ne jemi të ndershëm, ata nuk janë. Pastaj, shpërthejnë “skandalet”.

Janë ndezur neuronet e këshilltarëve politik, mentorëve nga jashtë dhe qytetarëve. Secili po prodhon efekte, më shumë sesa rezultate të prekshme. Të krijosh pritshmëritë, negative apo pozitive, të krijosh  ndjesinë është më me rëndësi sesa të krijosh gjendjen e re, reale, pasi në fund të fundit kush mund të ndërrojë një realitet në mikrokozmosin tonë politik, kur natyra politike e regjionit, kontinentit thuaj, dikton të tjera rrethana. 

Populli nuk shqetësohet aq shumë tash. Kemi mbetur pak,  Për vendin shqetësohet sidomos diaspora. Prandaj edhe mbahen aq tubime jashtë, që janë më të vizituara se tubimet brenda vendit. Ne brenda mbahemi me shpresë se nëse bëhet fort keq, ikim jashtë.  Diaspora janë të pashpresë.  Këta kanë mbetur më keq se të tjerët. Nuk kanë ku të shprehin vullnetin e tyre politik derisa të fitojnë të drejtën e votës në Evropë. . .  deri atëherë, placebo, njeri! Votoni! Vota e juaj, nga purgatori e bënë ndryshimin./Pamfleti 

pragzgjedhje kosova placedo nocebo

Lini një Përgjigje