TAGS-AT E JAVËS

Editorial29 Tetor 2024, 09:38

Bablok, burgu i shokëve nuk i lan mëkatet

Shkruar nga Pamfleti

 

Bablok, burgu i shokëve nuk i lan mëkatet
Rama /

Duke burgosur shokët, Rama shpreson se do të shpëtojë veten...

Me gjithë limonadën e propagandës, Edi Rama nuk i ndali dot thirrjet e qindra shqiptarëve që, të lënë jashtë, i kërkonin të largohej nga kish ardhur, në takimin e Nju Jorkut. Ishin të njëjtët shqiptarë që kanë marrë rrugët larg një Shqipërie të pa jetueshme për familjarin e thjeshtë, të pa gënjyer nga propaganda e një makinerie pushteti që ka 12 vjet që vjedh e vret, që puthet e flirton me mafien dhe që sot argumentin me të fortë, të artikuluar nga kryeministri, ka reformën në Drejtësi.

Me këtë u mundua të reklamonte qeverinë e vet në Nju Jork, Edi Rama: me flamurin e Drejtësisë se re. Bash Kryehajduti, me shokët e ngushtë në burg, me skandale mbi skandale të argumentuara 4-cipërisht, me dosjet me majë që vërtetojnë se çdo megavjedhje e shënuar këto 12 vjet mban firmën e tij, por e shet Drejtësinë e re, si fitore të veten.

Edi Rama shpreson se kështu do të shpëtojë veten.

Paturpësisht, edhe pse nuk ia përmendi emrin açik, Edi Rama po përdor kartën e arrestimit të Ilir Metës, për interesat e veta. Ai po e përdor Ilir Metën për të përfituar politikisht edhe pse nuk ka shqiptar qe te mos e dijë se kjo drejtësi funksionon me urdhrat e autokratit më të ri të Evropës. Drejtësia e re, siç ia ka qejfi Bablokut ta quajë, apo reforma në Drejtësi nuk e ka kaluar deri me sot pragun që i ka vënë Edi Rama. Përndryshe shumë ministra që sot i përdridhen sa para, mbrapa, do të ishin në burg. Ndërsa vetë ai do të ishte në pritje të dënimit.

Për aq kohë sa kjo drejtësi me të cilën Rama do të përfitojë politikisht në zgjedhjet që ka përpara, është e tillë, mund të jetë vetëm një mashë e njeriut më abuzues që Shqipëria ka njohur pas Enver Hoxhës.

Nga Nju Jorku, Edi Rama ka zbuluar filozofinë dhe formulën me të cilën do ta shohim shpesh muajt që vijnë, deri në zgjedhje: Drejtësia e re; arrestimet e njerëzve me pushtet të lartë në politikë; anëtarësim i Shqipërisë në BE. Duke e lënë këtë të fundit për një analizë tjetër, reforma dhe arrestimet duket se do të përdoren nga Rama si shpëtim. Nuk ka nevojë për shumë llogari për të kuptuar se arrestimi i Ilir Metës si të ishte një kriminel ordiner, nuk ndodhi rastësisht tani. Nuk ka nevojë për llogari për të kuptuar edhe pozicionin e Sali Berishës, arrestin shtëpiak, kthimin e vulës dhe marrëveshjet okulte mes tyre. Në ditët në vijim priten të tjera arrestime, por tanimë te krahut qeveritar.

Mesazhi që erdhi nga Amerika nuk është as rastësor dhe as ashtu siç Rama mundohet ta shesë, si fitore të politikës së tij. Përkundrazi! Shumë shpejt pritet që Rama të presë të tjera ‘koka’ dhe menjëherë më pas të dalë e të flasë për këto si arritje të tija spektakolare, që po bën gjëra të padëgjuara e kurrë të para.

Këto janë ato çka Rama do të thotë me zë e figurë dhe me shpresën se shqiptarët do ta hanë ‘sapunin për djathë’. Jo rastësisht këto bëma ndodhin tani para zgjedhjeve, për ta bërë akoma me të besueshme argumentin e propagandës, që arrestimet Rama do i përdorë në fushatë. Por në fakt qitja ka tjetër shënjestër. Edi Rama do  të vazhdojë të burgosë kundërshtarë që i kërcënojnë karrigen dhe bashkëpunëtorë që kanë vjedhur me thes, me shpresën që kështu do t'ia hedhë vetë pa lagur.

Duke burgosur shokët, Rama shpreson se do të shpëtojë veten.

Por ky është një lak i lidhur tashmë dhe fundi është i pashmangshëm.  Sepse Ilir Meta mund të ketë vjedhur dhe kryer krime,  por ato nuk i ka bërë vetëm. Ilir Beqja mund të ketë vjedhur miliarda nga koncesionet, por ato nuk i ka bërë vetëm. Olta Xhaçka ka vjedhur e tjetërsuar prona të ushtrisë në bregdet, por ato nuk i ka bërë vetëm. Përtej këtyre, Drejtësia e re do të vazhdojë ti bindet kryeministrit deri në një farë pike, por do të vijë një ditë që në dosjet e hapura, emri i Edi Ramës nuk do të mund të fshihet më, sepse boja e korrupsionit është e pamundur të fshihet pafundësisht.

Prandaj Edi Rama kot e ka qe krekoset me arrestimin e një ish-kryeministri e ish-presidenti si të ishte kriminel. Ai ka të drejtë kur thotë se kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë në Shqipëri, por ai gabon kur shpreson se do t'i shpëtojë vetë kësaj gijotine. Këtë gijotinë ai nuk do të mundet ta kontrollojë përjetësisht. Në fund thika do të bjerë edhe mbi kokën e tij./Pamfleti

burgu i shokëve mëkate babloku

Lini një Përgjigje