Ka disa ditë, madje gati dy javë, që në Tiranë qarkullon një pëshpërimë sallonesh, sipas së cilës, një autoritet i lartë amerikan, i ka thënë Edi Ramës, se nuk do të jesh më kryeministër.
Fakti që Rama është xhindosur dhe i ka përmendur Amerikës “Noc Rrokun” e tij banal e të pa edukatë, e ushqen edhe më shumë këtë zë, për të cilin realisht po zien Tirana politike.
Ka fjalë që këtë ja ka thënë vetë Sekretari Amerikan i Shtetit në një telefonatë; ka zëra, se gjëma i ka ardhur me spondë, ka të tjerë që thonë se ja kanë transmetuar “miq të përbashkët”.
Deri tani jemi në nivelin e zërave, por nëse e krahasojmë situatën me vitet e shkuara, afërsisht kështu ka ndodhur gjithmonë.
Në vitin 2005, kreu i CIA-s i shkoi në zyrë Fatos Nanos dhe i tha të njëjtën frazë, pra: “Nuk do të jesh më kryeministër!”. Frazë që nuk u bë asnjëherë zyrtare, por mori dhenë dhe zgjoi e ushqeu të gjitha zërat e shoqërisë për ta rrëzuar nga pushteti në zgjedhjet e atij viti.
Kurse këtë herë, kemi të bëjmë me një situatë krejt tjetër. Ku opozita nuk e ka mundësinë për t’u mobilizuar pasi është e përçarë, e për më tepër, ajo-pra opozita, është në gjysmën e saj e padëshirueshme nga SHBA dhe Perëndimi.
Nga ana tjetër nuk është situata e vitit 2005, kur ndarja e PS-së si pasojë e LSI-së së themeluar nga Ilir Meta, mund të favorizonte largimin e kryeministrit të kohës.
Megjithatë, ka një panoramë të qartë; Edi Rama është i irrituar me amerikanët, e këtë e bën të ditur qartësisht dhe fare hapur, e nga ana tjetër ka një thatësirë diplomatike me Uashingtonin. Edhe pse ka shkuar dy herë në shtator e tetor në SHBA, as ja ka fishkëllyer njeri në Uashington.
Sinjal që do të thotë se Amerika nuk do të sponsorizojë më politikisht Edi Ramën, e nga ana tjetër njerëz të opozitës që janë të larguar nga Sali Berisha, nuk përtojnë të hapin këtë lajm në mjediset politike të kryeqytetit.
Nga këto sinjale duket se SHBA po inkurajon opozitën, duke i dhënë një mesazh se ka gjasa se Edi Rama mund të goditet nga hetime të mundshme. Po cila mund të jetë formula në një ngjarje të tillë? Pikërisht aty do të nisë loja dhe duket se kemi të bëjmë me një zhvillim të fortë, ku zërat mbi telefonatën e mundshme të Blinkerit, edhe pse të pakonfirmuara, marrin fuqi.
SHBA po përgatit një skenar pas zgjedhjeve të vitit 2025, skenar, që sipas gjasave merr fuqinë e tij, nëse në Partinë Socialiste ndodh një tronditje, një zhvillim politik, që mund të ngrejë një qeveri të re, në një rast të goditjes së Edi Ramës. Po a mund të ndodhë kjo?
Pikërisht kjo është enigma, pas një bllokimi të zërave të pavarur brenda PS-së, si pasojë e centralizimit të qeverisjes së saj. Ajo që duket, të paktën deri tani, përpjekja e amerikanëve është e qartë për të ndikuar që Edi Rama të mos marrë shumicë absolute dhe të kontrollojë gjithçka.
Kjo duket shumë qartë, e sipas të gjitha gjasave amerikanët duan të rrudhin votat e elektoratit gri që mund të shkojnë drejt mazhorancës.
Është pikërisht kjo përpjekje që e ka tronditur Edi Ramën, i cili për herë të parë i ka shkuar mendja se mund të fitojë edhe pa Amerikën.
Kështu bëri edhe Sali Berisha në 1997, e dihet si përfundoi. Por Rama nuk është Berisha, pasi mban dhe ka lidhje me mjaft qarqe politike e pushteti në Uashington.
Edhe nga deklaratat e përkrahësve të tij mediatikë, ashiqare duket që Rama po bën tifo për Donald Trump, dhëndrit të të cilit i ka ofruar ishullin e Sazanit. Me shpresën, se nëse ndodh kjo, atëherë administrate e re, së paku deri në maj, nuk do ta ketë në vëmendje situatën në Shqipëri. E Babloku fiton zgjedhjet siç e ka planifikuar me stil alla Erdogan. Frika e tij është nëse fiton Harris. Me një fjalë gjërat janë përmbysur si kjo botë e pakuptueshme./Pamfleti
Lini një Përgjigje