
Amerika “gjendet në një krizë identiteti, ndoshta në një krizë nervore, ose që të dyja bashkë”, thotë Jeffrey Goldberg, redaktor i The Atlantic, revistës më të madhe në botë...
“Deri më sot ka qenë një klishe kthimi i kohës nga Italia, duke thënë: Ata e ndryshojnë qeverinë çdo 6 muaj, nuk dinë se cilin të vendosin në krye të qeverisë. Ata jetojnë në kaos.
Por tani edhe ne kemi versionin tonë të këtij konfuzioni: Nuk dimë më si të vendosim se kush jemi, vuajmë nga një lloj bipolarizmi. Ne gjendemi në një krizë të thellë identiteti. Donald Trump është simptomë e shumë problemeve. Ai po i përshkallëzon problemet e tjera, por nuk është ai shkaku i kësaj krize.
Ai nuk mund të ekzistonte pa këtë krizë identiteti, pa ndikimin e mediave sociale në demokraci, pa transformimin e politikës sonë në një shfaqje argëtuese. Trump nuk mund të kishte ekzistuar në një vend që nuk po përpiqej të transformohej në një komb multi-kulturor”- thotë ai.
Numri i parë i revistës për këtë vit, kishte një kopertinë me ngjyrë të bardhë dhe portokalli me titullin: ”Çfarë ndodh nëse fiton Trump”. Në editorialin e tij, Goldberg shkruante: “Vendi ynë i mbijetoi mandatit të parë të Trump, pavarësisht se kishte pësuar dëme serioze. Një mandat i dytë, do të ishte shumë më i keq”.
E pyes nëse dikur e nënvlerësoi kërcënimin e Trump, dhe ai qesh. Është mësuar të akuzohet për alarmizëm të tepruar, katastrofizëm, pesimizëm. Por nënvizon: “Ka disa gjëra në këtë fushatë që arrijnë ende të më befasojnë. Ne e njohim Trumpin, ai është akuzuar për shumë krime, për disa prej tyre është dënuar. Ai është shumë mizor me disa njerëz dhe grupime të caktuara. E megjithatë ka mbështetjen e gjysmës së vendit. Muajt e fundit ai është bërë edhe më i egër. Ka filluar të flasë për shumë më lirshëm për diktaturën, dhe kjo është shumë shqetësuese”.
Goldberg i ka kaluar 10 vitet e fundit duke studiuar, përcaktuar dhe denoncuar “instinktin diktatorial” të Trump. Ai kujton vitin 2015, kur kandidati “i pabesueshëm” presidencial tha për senatorin e Arizonës, John Mccain:”Ai nuk është një hero lufte. Mua më pëlqejnë njerëzit që nuk u kapën robër?”. Madje në një tubim Trump tallej me ecjen e Mccain.
Senatori ishte zënë rob në Vietnam, dhe për shkak të torturave që zgjatën 5 vjet, nuk mundi t’i lëvizte më normalisht krahët. “Përbuzja e Trump për ata që e vënë veten në dispozicion të vendit të tyre, është konstante dhe madje shkon në ekstrem”- thotë Goldberg. Disa ish gjeneralë që kanë punuar për të, thonë se i vetmi virtyt ushtarak që ai e vlerëson është bindja.
Në artikullin e tij të fundit në The Atlantic, Goldberg raporton një frazë nga Trump të konfirmuar nga dy persona që ishin të pranishëm: ”Kam nevojë për gjeneralët që kishte ikur Hitleri, për njerëz që janë plotësisht besnikë, që i ndjekin pa mëdyshje urdhrat!”.
Ai ka folur edhe me gjeneralin John Kelly, ish-shef i shtabit të ushtrisë amerikane gjatë mandatit të parë presidencial të Trump, që ka denoncuar vazhdimisht magjepsjen e ish-presidentit me praktikat subversive dhe diktatoriale. Pasi dëgjoi admirimin e Trump mbi gjeneralët e Hitlerit, Kelly i tregoi për komplotin e disa prej tyre, për vetëvrasjen e Ervwin Rommel, por Trump as që e dinte se kush ishte ky i fundit.
Goldberg përmend dy faktorë të rinj, që e bëjnë më shqetësues një mandat të dytë të mundshëm të Trump: Ai është jashtë kontrollit, dhe shumica e njerëzve me logjikë që ishin pranë tij në mandatin e tij të parë janë mënjanuar. Kelly thotë se Trump “nuk ka respekt për institucionet demokratike, Kushtetutën dhe sundimin e ligjit”.
Ndërkohë një nga ish-sekretarët e mbrojtjes, Mark Esper ka deklaruar:”Trump nuk mund të jetë një president i mirë, pasi ai e vendos veten para kombit!”. Nga ana tjetër një nga ish-këshilltarët e sigurisë kombëtare, John Bolton ka thënë: ”Nëse Trump fiton, në Kremlin do të ketë një festë të madhe. Putin e konsideron atë një bashkëbisedues të lehtë”.
Një tjetër ish-këshilltar i Trump mbi sigurinë kombëtare, H.R.McMaster është shprehur: “Një mandat i dytë i Trumpit do të ishte shkatërrues për vendin tonë!”. “Nëse bisedoni me shumë njerëz që kanë punuar në Shtëpinë e Bardhë me të, pa të ashtuquajturit “të rriturit në dhomë”, të thonë se tashmë kanë rënë të gjitha barrierat mbrojtëse.
Dhe në vend të të rriturve, këshilltarët e tij të ngushtë janë Elon Musk dhe Robert Kennedy Jr”- thotë Goldberg. Gazetari thotë se më shumë se paratë, është e rëndësishme që Musk është pronar i një platforme sociale shumë të fuqishme, të cilin po e përdor për një qëllim të qartë: për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Ai është i shqetësuar nga normalizimi i gënjeshtrave në jetën publike nga ana e Trump. E pyes sesi u arrit deri në këtë pikë, dhe Goldberg e nis analizën nga gabimet e Partisë Demokratike. “Joe Biden nuk duhej të kandidonte për një mandat të dytë”-thotë ai.
Më pas u ndal tek reagimi i Trumpizmit ndaj Obamaizmit, tek kriza e identitetit, tek kriza nervore, por në fund dorëzohet: ”Nëse po më pyesni se si është e mundur që në 8 vjet nuk kemi qenë në gjendje të gjejmë dikë të aftë të mundë një person si Trump, unë nuk di se çfarë të them”.
Nuk ka një përgjigje të saktë se përse Trump është ende kaq konkurrues, dhe pse fushata e Partisë Demokratike nuk ishte as e lehtë dhe as bindëse. Nga ana tjetër James Bennet, ish-shefi i redaksisë së Neë York Times, i pushuar nga puna për botimin e një artikulli të një senatori republikan, dhe që tani shkruan rubrikën amerikane të Economist, Lexington, thotë se demokracia amerikane po tregon shenja të mëdha gjallërie: pjesëmarrja e votuesve është në rritje, polarizimi racor është zbehur, dhe lëvizja për të rivendosur të drejtat e abortit po rezulton këmbëngulëse dhe efektive.
Bennet shton: ”Amerikanët nuk kanë harruar se si ta bëjnë demokracinë të funksionojë në mbrojtje të lirisë së tyre”. Po çfarë do të ndodhë nëse Harris nuk do të fitojë? A do të shpërbëhet Amerika? Një amerikane 19-vjeçare iu përgjigj kështu kësaj pyetje të drejtuar nga Goldberg pak kohë më parë: “Unë nuk mendoj se demokracia jeton vetëm në një institucion. Ajo jeton tek njerëzit, dhe ky është një instinkt që është i vështirë të zhduket”./Përshtati Pamfleti nga “Il Foglio”
Lini një Përgjigje