
Të dhënat e fundit tregojnë se Gjermania e shmangu për fije recesionin në 3-mujorin e tretë të këtij viti.
Në kushte normale, 35-vjetori i rrezmit të Murit të Berlinit, duhet të ishte një arsye për më shumë gëzim në Gjermani. Megjithatë këtë herë, festimet e këtij momenti historik do të jenë të parëndësishme për shumë njerëz, duke pasur parasysh krizën e madhe ekonomike dhe politike ku është përfshirë aktualisht vendi. Kjo krizë, u ilustrua më së fundi nga rënia në mesin e javës së shkuar e koalicionit qeverisës trepartiak, që përfshinte Partinë Socialdemokrate të qendrës së majtë (SPD), të Gjelbërit dhe partinë liberale Demokratët e Lirë (FDP).
Kancelari Olaf Scholz e shkarkoi Ministrin e Financave Christian Lindner, njëherazi drejtues i FDP-së, duke deklaruar se midis tyre nuk kishte më “asnjë lloj besimi reciprok”. Scholz, që është vetë edhe kreu i SPD, tha se do të kërkojë një mocion besimi deri më 15 janar, në mënyrë që deputetët të vendosin nëse do t’i hapin apo jo rrugën zgjedhjeve të parakohshme.
Nën këtë paqëndrueshmëri të koalicionit qeverisës, fshihet një çështje më e thellë: prishja e polit të dyfishtë tradicional të pushtetit midis SPD dhe Unionit Demokristian/Bashkimit Social Social Kristian (CDU/CSU).
Këto parti, kanë qenë shtyllat binjake të politikës gjermane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Por me SPD-në që është sot shumë jo popullore, dhe me drejtimin ende të pasigurt të CDU/CSU që nga fundi i qeverisjes së gjatë të Angela Merkel gjatë viteve 2005-2021, Gjermania duket se po kalon nga politika de fakto dypartiake në një sistem shumëpartiak.
Kjo gjë ilustrohet shumë qartë nga numri në rritje i partive më të vogla, të cilat më parë funksiononin si degë të SPD apo CDU/CSU. Këto fragmentime, mund të nënkuptojnë se politika po bëhet përgjithësisht më e paqëndrueshme dhe më pak e parashikueshme, me sfida serioze pas çdo zgjedhje për krijimin e një koalicioni qeverisës dhe rrjedhimisht sjell dobësimin e rolit të kancelarit.
Për pjesën më të madhe të 35 viteve që nga rënia e Murit të Berlinit, shumë gjermanë kanë qenë kryesisht të kënaqur me fatin e tyre pas Luftës së Ftohtë. Në përgjithësi, ata e kanë parë veten si përfitues të globalizimit. Por siç po tregohet nga rritja e partive më të vogla, kjo qasje mund të ndryshojë.
Gjendja e keqe politike pasqyrohet edhe në fushën ekonomike. Rënia e Murit të Berlinit, e përshpejtoi fundin e komunizmit sovjetik dhe çoi në ribashkimin e Gjermanisë. Por kohët e fundit, ky vend ka marrë nofkën e të “të sëmurit të Evropës”. Sigurisht, Gjermania ka pasur prej kohësh ekonominë më të madhe në rajon, dhe është kombi më i fuqishëm në BE.
Megjithatë ajo është tashmë në rënie. Vendi ndodhet prej shumë vitesh në një gjendje letargjie, e cila është përkeqësuar nga pandemia si dhe nga kriza energjetike, që u shkaktua nga pushtimi rus i Ukrainës. Në aspektin ekonomik, të dhënat e fundit tregojnë se Gjermania e shmangu për fije recesionin në 3-mujorin e tretë të këtij viti.
Megjithatë, ka ende vështirësi të mëdha pas tkurrjes që përjetoi vitin e kaluar, në një kohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi një rritje zero për qind për këtë vit. Sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi, mund të shihen fare mire tek Volkswagen, që ka përjetuar një rënie të madhe të fitimeve, dhe që mund të vendosë të mbyllë disa nga fabrikat për herë të parë në historinë e tij gati 90-vjeçare. Një shenjë tjetër shqetësuese e rënies së besimit tek ekonomia, mund të jetë niveli i lindjeve në Gjermani, të cilat janë në ulje pas një rritjeje të ndjeshme para pandemisë. Gjatë viteve 2011-2016, shkalla e lindjeve u rrit nga 1.38 në 1.59 fëmijë për grua. Megjithatë, vitin e kaluar ajo ra rënë në vetëm 1.35.
Ç’është më e keqja, financat publike mund të përkeqësohen akoma më tej si rezultat i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese Federale që pritet të jepet së shpejti, dhe që mund të zvogëlojë deri në 75 miliardë euro të ardhurat nga taksat.
Rasti ka të bëjë me ligjshmërinë e një të ashtuquajturi “taksë solidariteti”, që u vendos për të sheshuar dallimet midis lindjes dhe perëndimit pas ribashkimit të vendit. Nëse gjykata e rrëzon vendimin e qeverisë, kjo do të hapte një vrimë të madhe në financat publike. E gjithë kjo situatë që parashtrova më sipër, shpjegon arsyen se përse kombi gjerman mund të jetë sot në një udhëkryq historik./Përshtati “Pamfleti” nga “Arab News”
Lini një Përgjigje