Ka vetëm një model të ngjashëm në botë dhe ky vjen nga Turqia. Erdogan ka bërë disa herë manovra të tilla, sa herë nuk ka pasur interes që populli i tij të ketë akses online. Një model të tillë ka edhe Koreja e Veriut apo vende të tjera diktatoriale. A po rrëshqasim edhe ne në këtë vorbull?

Reagimi i TikTok, mbi vendimin e Edi Ramës për ta mbyllur plotësisht këtë platformë për një vit në Shqipëri, ka një të vertetë, të qartë si drita e diellit: vrasja e 14 vjeçarit, Martin Cani nuk ka asnjë lidhje me TikTok. Asnjëherë dhe askush nuk e ka drejtuar gishtin mbi platformën dixhitale, mbi atë që ndodhi. Dhe kjo është e provuar tashmë.
Megjithatë Edi Rama, në takimin e së shtunës, me nxënës, mësues e prindër, e rrotulloi fatkeqësinë e pak ditëve më parë si karamele në gojë. Madje gjatë fjalimit të tij të gjatë, ku gjeti rast të mbronte edhe ministreshën e vet, konkubinën e preferuar, Ogerta Manastirliu, Rama ra edhe në kontradiktë. Sepse duke dashur të shante platformën online, ai kritikoi "pa dashje" dhunën që politika shqiptare prodhon çdo ditë, duke e quajtur burim frymëzimi për dhunën që reflektohet në rrjetin TikTok.
Duke dashur t'i bjerë opozitës, duke përmendur rastet e ndalimit të fjalës së dishepujve të tij nga deputetët e opozitës, Rama pranoi atë që ne kemi kohë që e themi: Shqipëria është kthyer në një arenë dhune, ku i pari që dhunon është vetë Kryeministri. Pas tij vijnë politikanët, kriminelët që bredhin të lirë rrugëve, gjykatat, e kështu me radhë dhe kjo natyrshëm reflektohet edhe në rrjetet sociale.
Por Rama e gjeti një fajtor, i bëri gjyqin dhe shpalli vendimin: Është platforma online TikTok. Prandaj TikTok do të mbyllet për një vit duke e bërë Shqipërinë, vendin e dytë, pas Turqisë që ndalon rrjetet sociale për qytetarët e vet.
Por a është ky vërtet një akt kujdesi nga një Kryeministër për popullin e tij?
Duke njohur Edi Ramën, duke iu referuar historisë së pushtetit të tij, kjo duket të jetë e vështirë.
Dhe ja pse:
-Rasti me të cilin Edi Rama e lidhi vendimin e tij, pra vrasja e 14 vjeçarit, nuk ka lidhje me TikTok. Është plotësisht e vërtetë që rrjetet sociale janë burim bullizimi dhe dhune, por ndalimi i tyre nuk është zgjidhja. TikTok do të mbyllet për një vit, po pastaj?
-Mbyllja e TikTok është një rast i pastër i ndalimit të fjalës së lirë, pikërisht në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Me miliona përdorues dhe shikueshmëri shumë të lartë, Rama nuk e kontrollon dot TikTok-un dhe të vërtetat mbi pushtetin e tij, që mund të qarkullonin në këtë platformë. Prandaj, duke përdorur fatkeqësinë e një fëmije, e mbylli. A mund të jetë vertet rastësi mbyllja e TikTok para zgjedhjeve? Jo!
-TikTok është vertet një platformë ku qarkullojnë video bullizuese, me dhunë dhe pamje te ndaluara. Kontrolli i këtyre videove të dëmshme duhet bërë patjetër. Por TikTok është vetem një platformë dhe ato të tjerat, META, Youtube, X etj nuk janë më pak të pastra. Ato video që janë ndaluar në TikTok qarkullojnë edhe në platformat e tjera. Pra, çfarë fituam?
-Po me lirinë e shprehjes çfarë ndodh? Platformat online janë mediumet e reja të shprehjes së fjalës dhe kjo është e pranuar botërisht. Çdo media dhe jo vetëm, po punon në drejtim të zhvillimit online dhe ndalimi i tyre është i njëjtë me moratoriumin e një medieje, televizioni, rrjeti i çfarëdo forme qoftë. Kush do ta mbajë përgjegjësinë e shkeljes së një të drejte themelore.
-TikTok nuk është një platformë që vjen nga Marsi. Ajo ka një seli e ca pronarë. Pse i ra shkurt Edi Rama? Pse nuk ndoqi modelin e Australisë që e bllokoi për personat nën 16 vjeç? Pse nuk u përpoq të lidhej me platformën e të gjente një zgjidhje pa kaluar në ekstrem?
-Ka vetëm një model të ngjashëm në botë dhe ky vjen nga Turqia. Erdogan ka bërë disa herë manovra të tilla, sa herë nuk ka pasur interes që populli i tij të ketë akses online. Një model të tillë ka edhe Koreja e Veriut apo vende të tjera diktatoriale. A po rrëshqasim edhe ne në këtë vorbull?
Le ta theksojmë edhe nje herë atë që e thamë më lart: Po, rrjetet sociale gjenerojnë dhunë dhe ato duhen rregulluar. Por, e sigurta është që mbyllja as për një muaj, e as për një vit, nuk e zgjidh këtë. E zgjidh edukimi dhe ndërtimi i një vendi normal, që fatkeqësisht Shqipëria është shume larg. E zgjidh një Kryeministër dhe qeveri që punon për një vend të tillë, por jo një si ky i yni që, pasi na e ka bërë peshqesh dhunën, na paralajmëron se shumë shpejt do të na heqë edhe të drejtën për të folur./Pamfleti
Lini një Përgjigje