Frenezia mediatike, nuk është gjë tjetër veçse një lojë për të krijuar një herë në tre ditë fabula virale, në mënyrë që të lëmë mënjanë problemet e mëdha, me të cilat duhet të merret shoqëria shqiptare…
Parashqevia, një yll arti e Shqipërisë së para 34 viteve, i ka këputur me vullnetin e vet çdo lidhje me vendin e saj të origjinës.
Siç u pa, edhe në intervistën për televizionin amerikan ABC7, ajo është një amerikane, jo vetëm si citizen, por edhe pjesë e shoqërisë së stërmadhe dhe të komplikuar të Shteteve të Bashkuara.
Në paqe me veten e saj, ajo shprehte për gazetarin sensin e shoqërisë amerikane që i ndihmon njerëzit e saj. Edhe pse vuan, edhe pse ka mbi shpinë kalvarin e një odiseje aspak të lumtur të jetës, ajo nuk ia ka shtrirë dorën askujt.
Jeton jetën e saj, si një boheme ‘par exellenxe’, jetë që në fund të fundit e bëjnë shpesh artistët.
A nuk ka qenë bohem Caravaggio i madh që shkonte tavernë më tavernë me kamën e madhe që mbante në brez duke therur mjaft nga bashkëpirësit, pasi ishte dyndur me verën e Romës?
A nuk ishte bohem Van Goghu, Modigliani, Artur Remboja, apo Charles Bukowski?
Për artistin, jeta nuk është ajo që të tjerët mendojnë për të, por ajo që ata përjetojnë. Me vuajtjet, dramat e mëdha, e natyrisht me deliret, çmenduritë e trazimet dallgëzuese, nga të cilat shpërthen geni i gjeniut.
Artistët hynë gjithmonë në sfidë jo me vetveten dhe të tjerët që i injorojnë, madje i përçmojnë, sepse për ta bota është shpirti. Artistët bio janë në konflikt me Krijuesin-Natyrën, që sipas tyre ka krijuar një botë të padrejtë dhe kaq të pashpirt.
Nuk mund të gjykojë një artist, një person i rëndomtë, që stresohet se nuk ka kapur ofertën e duhur të sallamit apo djathit me feta në një supermarket, apo një grua që gëzohet pa masë se ka blerë një buzëkuq Dior- fake, në një dyqan indanësh pranë Avenusë së Pestë të Manhatanit.
Po pse shpërthyen ujrat e zeza për Parashqevi Simakun këto tre ditë, e që sipas të gjitha gjasave me mbarimin e ditës së tretë do të harrohen?
Rastësisht? Nuk ka asnjë gjasë! Duket një operacion i madh marketingu, siç ndodh tek ne, për të fshehur një debat apo një diskutim për çështjet kryesore dhe jetike, për të cilat, media duhet të debatojë.
Parashqevi Simaku si fenomen, është një plagë e madhe e shoqërisë sonë këtu dhe sidomos e komunitetit shqiptar në SHBA.
Sapo e panë në televizion, të gjithë miliarderët, si Behgjet Pacolli, të ashtuquajturët bamirës, apo hipokritët e çdo lloj ngjyre vrapuan për ta ndihmuar. A thua se Parashqevia e rruan shumë për dollarët e ndyra të tyre.
Parashqevia, e cila me origjinë është një vllehe nga Kavaja, i ka pasur të gjitha mundësitë që t’i ishte afruar komunitetit të fuqishëm grek në SHBA. I cili, si i mirëorganizuar që është, do ta kishte marrë në gjirin e tij, siç merr gjithë lebërit e Himarës, e do ta kishte organizuar në veprimtaritë e saj, duke e kthyer në një “yll grek” siç ka bërë me të gjithë VIP-at me shumë flamuj.

Sikur Parashqevia, të ishte atashuar në komunitetin e madh, po ashtu të mirëorganizuar në SHBA të rumunëve, ajo sërish do të ishte e respektuar dhe madje do të mbante një rol të rëndësishëm.
Por ajo ka mbetur shqiptare dhe amerikane. Nuk ka dashur ta shesë as shpirtin, as zërin e trupin e saj për ca dollarë, të cilat për një artist nuk vlejnë sa shpirti.
Shqiptarët e Amerikës, Parashqevinë e kanë pasur aty kur ajo këndonte në lokalin e dibranit nju-jorkez, i cili i bënte presion të mos këndonte repertorin e perlave të folkut shqiptar, por mizërinë e këngëve për çingije të tipit: “një dashnore e kam pas, tashti kam nja pesë a gjashtë”.
Komunteti shqiptar i Amerikës, nuk e ka thirrur asnjëherë në aktivitetet e tij, ku bëjnë si patriotë të mëdhenj, por që janë të ndarë në ballistë e legalistë, komunistë e sigurimsë; katolikë, muslimanë e ortodoksë. Kosovarë e tetovarë, malësorë të Plavës e Gucisë, e krajanë të bregdetit.
Kush na lejon ne të gjykojmë jetën e Parashqevisë sot, sikur jemi Perëndi, kur më e mira është ta kuptojmë e ti qëndrojmë afër çdo njeriu që e ndjejmë të afërt.
Ndërkaq, kjo frenezia mediatike, nuk është gjë tjetër veçse një lojë për të krijuar një herë në tre ditë fabula virale, në mënyrë që të lëmë mënjanë problemet e mëdha, me të cilat duhet të merret shoqëria shqiptare.
Parashqevi Simaku nuk ka nevojë për garë faundriser, pasi ndjehet mirë në jetën e saj të qetë, ku gjen një ushqim e ca shtroje për të fjetur. Qoftë edhe çekun mizerabël që në SHBA u jepet më të varfërve.
Parashqevia, pak kohë më parë ka pasur nevojë për shpatulla ku të vejë kokën, për një mik apo mikeshë që t’i fshijë lotët, e mbi të gjitha për një publik që t’i dëgjojë zërin, që edhe pse e përkulur nga dhimbjet, ka mbetur ai i pari, i kristaltë.
Parashqevia, ashtu si thotë Migjeni i madh, nuk ka nevojë për mëshirë, por për të drejtë. Të cilën nuk ua japin të gjithë horrat e 34 vjetëve në politikë, media dhe biznes.
Ajo e ka braktisur këtë horllëk dhe ndoshta si një mesazhere e madhe, po bën thirrje që tu biem këtyre zagarëve që na tregojnë vilat, pishinat, parfumet apo buzëkuqet firmato./Pamfleti
Lini një Përgjigje