Skenari që na vjen nga zhvillimet në terren, është një riciklim i aferës së Gërdecit si një “deal perëndimor” siç e propagandon Fatmir Mediu, por që në fakt ishte thjesht një pazar korrupsioni që çoi në ferr 26 persona, ndër ta gra e fëmijë, e plagosi 200 persona, si dhe hodhi në erë një fshat të tërë.
Fotot e xhihadistëve shqiptarë në ushtrinë që rrëzoi pushtetin e Bashar al Assadit kanë bërë xhiron e botës.
Madje shërbimet e huaja, sidomos ato ruse dhe iraniane, kanë nisur të bëjnë analizën e prapaskenave të këtij organizimi ushtarak.
Ka shërbyer armatosja e këtyre luftëtarëve me kallashnikov të prodhimit ukrainës AK 74 M, për të konfirmuar akuzën ruse, se ushtrinë rebele siriane, ka kontribuar shërbimi sekret ukrainas.
Për të cilin u tha gjithashtu se ka një bazë logjistike në Shqipëri, si pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar disa kohë më parë ndërmjet kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Presidentit të Ukrainës, Volodomir Zelensky.
Kompania që ka licensën e prodhimit të automatikut kallashnikov në Ukrainë, prodhon gjithashtu disa nga armët e markave izraelite të këmbësorisë.
Si për shembull Mitralozi Fort 401 (kopje e mitralozit izraelit Negev), granatahedhësit Fort 600 kopje e licensuar e granatahedhësit Brugger & Thomet GL - 6.
Dhe pikërisht këtu del një “vechia conoscenza” e jona. Thomet, një nga emrat më të spikatur në botë në tregëtinë e armëve dhe municioneve.
Henrich Thomet, është njeriu që ka qëndruar mbrapa të gjithë transaksionit të viteve 2006-2008 të fishekëve që duheshin dërguar në Afganistan, por edhe demontimit të predhave në punishten famëkeqe të Gërdecit.
Thomet ishte realisht lojtari kryesor që lëvizi të gjithë kartat e tjera: nga Diveroli, Kosta Trebicka apo sypeshkaqeni ynë e Fatmir Mediu.
Po ç’lidhje ka kjo markë, pra Thomet në aktualitetin shqiptar?
Ka, sepse zërat flasin se riaktivizimi i industrisë ushtarake shqiptare që tashmë është edhe një ligj i Kuvendit, do të ketë investimin e konsorciumit ukrainas RPC Fort dhe izraelitëve të Brugger & Thomet.
Që nëse në realitet vihet në jetë kthen sërish në hapësirë një emër që kujton Gërdecin.
Dhe e gjitha kjo vjen në një atmosferë, kur dy protagonistë të aferës së Gërdecit: Fatmir Mediu dhe Sali Berisha, janë në një situatë më të mirë proceduriale, krejt papritur.
Fatmir Mediu po lobon fuqishëm në klanet politike në SHBA, dhe Sali Berisha, që po flet tashmë nga liria, ku e thotë hapur se do t’i hiqet ‘Non- Grata’ nga Uashingtoni.
Realiteti është se Sali Berishës nuk ka gjasa që t’i hiqet ‘Non- Grata’, por gjithnjë e më shumë po flitet se vetë Berisha po lobon për fëmijët e tij.
Në mënyrë që një ditë, që nuk është e largët, t’u lërë në dorë drejtimin e Partisë Demokratike. Këtu po lobojnë këto klane, e Edi Rama po u jep një dorë të fortë. Duke e ricikluar doktorin në gjithë diapazonin opozitar.
Sepse pikërisht kjo situatë i leverdis kryeministrit, në mënyrë që të mos jetë njeriu i shënjestrës në zgjedhjet e ardhshme për mandatin e katërt, por të ketë një reflektim më të shtrembër të tij në pasqyrë.
Për këtë po i lëviz ujërat, qoftë edhe duke sjellë në Shqipëri biznese e afera që mund të hapin probleme e diskutime, dhe që mund të shkaktojnë akte e vendime shpërthyese.
Shihet qartë në rastin “Gërdeci” ku qeveria e Edi Ramës nuk është bërë asnjëherë palë e familjeve të prekura nga tragjedia e tmerrshme e 15 marsit 2008.
Qoftë, duke mos menduar të riciklojë emra që të fusin të dridhurat e janë bërë personazhe edhe nga Hollovudi. Në filmin “War Dogs”, rolin Henrich Thomet e luan i famshmi Bradley Cooper, metafora e rolit të tij është se qëndron mbi palët. Pasi negocion lart, që siç po ndodhin gjërat është një skenar që bazohet mbi një aferë të madhe, ku lobohet mbi paratë që kanë fituar e lënë të fituar palët.
Skenari që na vjen nga zhvillimet në terren, është një riciklim i aferës së Gërdecit si një “deal perëndimor” siç e propagandon Fatmir Mediu, por që në fakt ishte thjesht një pazar korrupsioni që çoi në ferr 26 persona, ndër ta gra e fëmijë, e plagosi 200 persona, si dhe hodha në erë një fshat të tërë.
Emrat që dalin në listat e aferës së Gërdecit, nuk mund të jenë gjë tjetër përveçse material për SPAK, e jo kontrata sovrane me shtetin shqiptar./Pamfleti
Lini një Përgjigje