TAGS-AT E JAVËS

Editorial 6 Dhjetor 2024, 11:57

Demokracia po vdes nga mosdënimi i politikanëve të korruptuar

Shkruar nga Gabriel Elefteriu

Demokracia po vdes nga mosdënimi i politikanëve të korruptuar

Në “demokracinë” e sotme, një parti e madhe mund të jetë fajtore për skandalet më të këqija të mundshme, korrupsionin, shpërdorimin e parave publike, keqmenaxhimin e punëve publike dhe varfërimin e popullatës përmes taksave më të larta dhe për më shumë borxh publik - dhe e gjen ende veten në pushtet herën tjetër, pas një periudhe (zakonisht të shkurtër) në opozitë ose ndoshta edhe si udhëheqëse e opozitës...

Gazeta amerikane Washington Post e ka gabim moton e saj. E prezantuar në vitin 2017 pas zgjedhjes së Donald Trump, slogani “Demokracia vdes në errësirë!”, synon të shpjegojë si problemin ashtu edhe kurën në një epokë të politikës “populiste”.

Sipas saj, masa e madhe e “të mjerëve” të paarsimuar, nuk e dinë se për çfarë po votojnë, edhe sepse janë budallenj, edhe sepse janë gënjyer nga “demagogë” si Trump. Në fakt ajo që po e vret demokracinë nuk është sofizmi i demagogëve nga të gjitha anët, apo gënjeshtrat, lajmet e rreme dhe propaganda.

Këto kanë qenë pjesë e politikës që në fillimet e saj në lashtësi. Jo, në epokën tonë moderne, demokracia po vdes nga mosndëshkimi politik. Mosndëshkimi sistematik i establishmentit politik, është arsyeja kryesore pse demokracia po vdes thuajse kudo.

Në terma të thjeshtë, ky fenomen i referohet faktit që partitë kryesore të estabilimentit - pra të qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë - nuk zhduken asnjëherë plotësisht nga skena politike, pavarësisht sa të mëdha janë dështimet e tyre.

Për këtë kujtojmë katastrofat më të kushtueshme dhe më të rënda në historinë e kohëve të fundit, nga kriza financiare e 2008-ës, deri tek tmerret e vërejtura gjatë pandemisë së Covid-19, nga degradimi socio-kulturor e deri tek përmbytja e qëllimshme e Perëndimit me emigrantë të paligjshëm.

Është e vërtetë, qeveritë kanë ndryshuar, dhe “populistët” janë rritur në sondazhe. Por të ashtuquajturat parti kryesore, arrijnë të ngjiten gjithmonë në pushtet, ose të paktën të ruajnë mjaftueshëm përfaqësim në parlamentet kombëtare sa për ta përjetësuar regjimin e vjetër dhe mendimin e elitave të tij, madje edhe kur “populistët” e drejtojnë vendin për një kohë të shkurtër.

Partitë e mëdha nuk japin asnjëherë një llogari të vërtetë, pra të ndëshkohen plotësisht në kutinë e votimit, madje edhe për thyerjen e madhe të besimit apo edhe për keqmenaxhime të mëdha, për gjunjëzimin e vendeve të tyre - siç po e shohim tani në pjesën më të madhe të Perëndimit -dhe për borxhet e mëdha kombëtare.

Zakonisht ata zëvendësojnë udhëheqjen e tyre të lartë, sa për ta qetësuar publikun e acaruar në një periudhë afatshkurtër, por më pas vazhdojnë avazin e vjetër. Gati në të gjitha rastet, ato mbeten gjithmonë zgjedhja “kryesore” e shumicës së publikut. Ky lloj truku politik është i thjeshtë për t’u kuptuar, por i vështirë për t’u mposhtur.

Për të dëbuar tërësisht nga pushteti të korruptuarit dhe super të paaftët, duhet të ekzistojë një forcë politike alternative që paraqitet në zgjedhje. Për të bindur zgjedhësit dhe propozuar zgjidhje reale për problemet e mëdha strukturore me të cilat përballen tani shoqëritë tona, një forcë e tillë politike duhet të jetë radikale.

Por nëse është radikale, partitë e establishmentit do ta sulmojnë me lloj-lloj nofkash që t’i trembin votuesit, dhe që t’u japin edhe një shans - pavarësisht nga krimet e tyre politike - në emër të interesit kombëtar dhe të “mendimit të shëndoshë”.  

Në “demokracinë” e sotme, një parti e madhe mund të jetë fajtore për skandalet më të këqija të mundshme, korrupsionin, shpërdorimin e parave publike, keqmenaxhimin e punëve publike dhe varfërimin e popullatës përmes taksave më të larta dhe për më shumë borxh publik - dhe e gjen ende veten në pushtet herën tjetër, pas një periudhe (zakonisht të shkurtër) në opozitë ose ndoshta edhe si udhëheqëse e opozitës.

Kur vjen dita e votimit, gishtat drejtohen nga “radikalët”, që thuajse pa asnjë dallim quhen si “fashistë”, “ekstremistë”, “pro-rusë” ose “anti-evropianë”. Kështu falen të gjitha partitë e establishmentit. Kalorësit kryesore të demokracisë psherëtijnë të lehtësuar që “drita” ka triumfuar edhe një herë mbi “errësirën”, dhe që e ardhmja mbetet “e ndritur” nën “kujdesin” e tyre.

Këto lloj partish janë bërë aq eksperte në këtë lojë, saqë shpesh arrijnë të qëndrojnë në pushtet për disa mandate të njëpasnjëshme, si konservatorët në Britani apo liberalët e Trudeau në Kanada. Në SHBA, kështu ka ndodhur me demokratët dhe republikanët, derisa lëvizja MAGA e Trump ia doli të merrte pushtetin nga brenda.

Zgjedhja cinike, para të cilës e vendosin elektoratin parti të tilla, kur përpiqen të mposhtin kërcënimin “radikal”, lidhet gjithmonë me koston e lartë të votimit për alternativën “përçarëse”. Në një nivel, votuesve u thuhet se ekziston kostoja morale e mbështetjes së një partie “fashiste”. Në një nivel tjetër, elektorati kërcënohet - nga “ekspertët” dhe “udhëheqësit e opinionit” - me kostot e rënda ekonomike të zgjedhjes së mënyrës “të gabuar”, siç ndodhi në Britani përpara votimit të Brexit në vitin 2016.

Por herë pas here, njerëzit e kundërshtojnë establishmentin dhe votojnë për të ndëshkuar ata që janë në pushtet. Kështu ndodhi këtë vit në zgjedhjet parlamentare në Britaninë e Madhe, kur konservatorët kishin një listë rekord dështimesh pas Brexit, duke e humbur plotësisht besimin e votuesve të tyre, sa që publiku votoi në masë laburistët.

Kjo lloj sjellje - mjerisht shumë e rrallë në të gjithë Perëndimin - është një nga gjurmët e fundit të frymës së vërtetë demokratike. Nuk ka asgjë më demokratike sesa të zgjedhësh me vetëdije t’i japësh një shumicë të madhe “armikut stërgjyshëror” (në termat e brendshëm politikë), pavarësisht gjithë rreziqeve, dhe duke ditur se sa ekstremiste është bërë e majta e sotme - përfshirë laburistët në Britani - për të ndëshkuar ata që tradhtuan besimin e votuesve, partinë që i shkeli premtimet e saj elektorale.

Nëse partitë e mëdha nuk përballen me perspektivën reale të zhdukjes së plotë elektorale - pra  daljes nga parlamenti për sjelljen e tyre të papërgjegjshme dhe shpeshherë korruptive - atëherë “demokracia” do të shndërrohet në një fjalë boshe, në një fasadë pas së cilës “sistemi” vepron si të dojë i pandëshkuar.

Sa më i madh të jetë dështimi i politikanëve të zgjedhur më votë, aq më i ulët është shansi për hakmarrje elektorale. Por kjo situatë nuk mund të tolerohet më. Ata që janë vërtet të shqetësuar për shëndetin e demokracisë dhe për parimin thelbësor të llogaridhënies së vërtetë, duhet ta përdorin votën e tyre për të nxitur një ndëshkim shembullor.

Kështu shpëtohet demokracia. Alternativa, ku politikanët e korruptuar dhe të paaftë ia hedhin pa lagur, ose vazhdojnë të na qeverisin nuk është statuskuo. Ajo përfaqëson erozionin e sigurt dhe

të vazhdueshëm të vetë demokracisë, dhe rënien dhe degjenerimin e shoqërive perëndimore.

Ne mund të bëjmë më mirë se kaq, por duhet të jemi të përgatitur të paguajmë koston, dhe të përballemi herë pas here me disa “shqetësime”./Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”

Shënim: Gabriel Elefteriu, zëvendësdrejtor në Këshillin për Gjeostrategjinë me qendër në Londër.

demokracia politikanë të korruptuar

Lini një Përgjigje