
Kthimi i Grenellit i rrit shanset e ndarjes së Kosovës, me veriun e populluar në shumicë nga serbët që mund t’i kalojë Serbisë. Në këmbim, Lugina e Preshevës e populluar me shqiptarë mund t’i jepet Kosovës
Presidenti i porsazgjedhur i SHBA-së Donald Trump, emëroi më 14 dhjetor Richard Grenell, ish-ambasadorin e tij në Gjermani dhe të dërguarin special për negociatat Serbi-Kosovë, si “të dërguarin e tij për misionet speciale.
Ky emërim, sinjalizon një rikalibrim të mundshëm të politikës së SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, duke rritur shpresat por edhe shqetësimet në një rajon të karakterizuar nga paqëndrueshmëria politike dhe mosmarrëveshje të pazgjidhura.
Grenell, një diplomat me përvojë dhe besnik i Trumpit, pritet që të ripërsërisë rolin e tij si ndërmjetës kryesor në dialogun Serbi-Kosovë. Uashingtoni ka të ngjarë të marrë një qasje më praktike në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilat nën drejtimin e Bashkimit Evropian kanë ngecur në vend.
Përpjekjet e BE-së për të krijuar një organizatë të komunave serbe në veri të Kosovës, në këmbim të normalizimit të raporteve Prishtinë-Beograd, kanë dështuar duke krijuar një boshllëk diplomatik, të cilin administrata Trump duket e gatshme që ta mbushë.
Gjatë mandatit të mëparshëm të Donald Trump, Grenell luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje ekonomike, e cila u firmos në shtatorin e vitit 2020 midis Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, akt që në atë kohë u pa si një hap i madh përpara.
Riemërimi i tij, tregon se SHBA-ja mund të ringjallë strategjinë e administratës Trump për ta lidhur njohjen e Kosovës nga Serbia me stimujt ekonomikë për Beogradin.
Ekipi i Trump ka të ngjarë të braktisë Marrëveshjen e Ohrit të mbështetur nga Brukseli, të cilën asnjëra palë nuk e ka përqafuar plotësisht, dhe në vend të kësaj të eksplorojë sërish idenë e shkëmbimeve territoriale.
Prandaj, kthimi i Grenellit i rrit shanset e ndarjes së Kosovës, me veriun e populluar në shumicë nga serbët që mund t’i kalojë Serbisë. Në këmbim, Lugina e Preshevës e populluar me shqiptarë mund t’i jepet Kosovës, edhe pse propozime të tilla janë përballur historikisht me kundërshtime të forta në Prishtinë.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç e ka përshëndetur rizgjedhjen e Trump në krye të SHBA-së, duke u shpreh optimist për përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Serbi. Ndërkohë në Kosovë, reagimi ka qenë më i matur dhe sigurisht më pak entuziast.
Prishtina ka frikë se presioni i ri i SHBA-së, mund ta detyrojë atë të bëjë lëshime që do e minojnë sovranitetin e saj. Kritikët paralajmërojnë se çdo lloj marrëveshje që përfshin ndarjen e vendit, rrezikon të rindezë tensionet etnike dhe ta destabilizojë sërish rajonin.
Fokusi i Grenellit ka të ngjarë të mbetet tek Serbia dhe Kosova. Por rikthimi i tij mund të ketë ndikim edhe për Bosnje Hercegovinën. Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, një avokat i zëshëm i njësisë federative Republika Srpska, ka sinjalizuar synimin e tij për të nxitur autonomi më të madhe - apo edhe shkëputje nga Sarajeva - nën administratën e re të Trump.
Dodik ka deklaruar kohët e fundit se i vinte keq që nuk e kreu shkëputjen gjatë mandatit të parë të Donald Trump. Ai deklaroi se nën një administratë të dytë të Trump, do të kërkojë me ngulm një autonomi më të madhe brenda Bosnje Hercegovinës dhe nëse është e nevojshme, do të ripërsëritë thirrjet për pavarësi brenda 6 muajve, nëse boshnjakët i rezistojnë një zgjidhjeje të re politike.
Lëvizje të tilla mund të përkeqësojnë tensionet në Bosnje Hercegovinë, ku ndarjet etnike mbeten të thella. Kritikët kanë frikë se administrata e Trump, mund të mundësojë indirekt axhendat nacionaliste në rajon, duke i dhënë përparësi marrëveshjeve pragmatike mbi stabilitetin afatgjatë.
Emërimi i Grenëll nga Trump si i dërguar special, sinjalizon një zhvendosje të mundshme nga qasja shumëpalëshe e administratës Biden, në një kornizë më transaksionale, të udhëhequr nga SHBA. Ndërsa kjo mund të përshpejtojë përparimin në çështjet kyçe, si normalizimi i raporteve Serbi-Kosovë, kjo qasje ngre gjithashtu shqetësime rreth pasojave afatgjata për stabilitetin rajonal.
Ndërsa Richard Grenell po përgatitet të rimarrë rolin e tij si ndërmjetës kryesor, Ballkani përgatitet për atë që mund të jetë një periudhë transformuese në diplomacinë amerikane. /Përshtati “Pamfleti” nga “Intelinews”
Lini një Përgjigje