Ashtu si Dritëro Agolli në kongresin e 10 të PPSh-së, i bëri në një farë mënyrë gjyqin nomenklaturës komuniste; intelektualët e kësaj eklezie kushtetuese t’i bëjnë gjyqin publik asaj kaste që sot jeton në luks e shkëputur nga njerëzit dhe realiteti...
Lulzim Basha, ka shansin më të mirë në këtë moment kur Foltorja është e angazhuar me xhenaze në rrugë, për të bashkuar e rithemeluar opozitën.
Tashmë është e dukshme se kemi një distancim të qartë të demokratëve dhe opinionit publik opozitar me telashet gjyqësore të Sali Berishës.
E pikërisht në këtë moment, aktorët seriozë dhe realë që e konsiderojnë veten në opozitë nuk mund të qëndrojnë në pritje. Lulzim Basha në radhë të parë...
Parimisht duhet të marrë nismën e debatit politik të transformimit dhe hapjes së opozitës.
Nëse në vitin 1991, Ramiz Alia ngriti një komitet organizator për thirrjen e Kongresit të 10 të PPSH-së, Lulzim Basha duhet të bëjë pak a shumë të njëjtën gjë. Duhet që tani të thërrasë jo një kongres, pasi mund ti duket një term arkaik, por një Eklezi Konstituente të opozitës. Ku emrat e organizatorëve, duhet të jenë figura të rëndësishme të pranueshme nga i gjithë publiku.
Kjo mund të bëhet edhe duke pyetur e diskutuar me strukturat e PD-së në të gjithë vendin. Një Asamble intelektualësh, ku më shumë se të zgjidhet kush do të jetë lideri i ri, të diskutohet për fatet e vendit nga këndvështrimi i një opozite të qendrës së djathtë, serioze dhe të përgjegjshme.
Ashtu si Dritëro Agolli në kongresin e 10 të PPSh-së i bëri në një farë mënyrë gjyqin nomenklaturës komuniste; intelektualët e kësaj eklezie kushtetuese t’i bëjnë gjyqin publik asaj kaste që sot jeton në luks e shkëputur nga njerëzit dhe realiteti. Por mbi të gjitha të diskutohet mbi idetë, rrugët dhe reformat që do të ndërmarrë shteti pas largimit të Edi Ramës.
Padyshim që barrën më të madhe të këtij organizimi do ta mbajnë ato demokratë që ja kanë dalë të fitojnë ndaj Sali Berishës e Foltores, por opozita nuk është vetëm grup seksione.
Lulzim Basha mund të ketë 1, 2, 3 apo 10 ide për shtetin e tij e reformimin e klasës politike, por që të bëhet më gjithëpërfshirës, duhet të zgjerojë rrezen e diskutimit.
Sado të ketë mendime të mira, ata nuk merren për bazë kur shpalosen në një ambjent i mbyllur, e aq më shumë me një rreze të ulët besimi publik.
Me një fjalë, opozita duhet të hapë portat, duke rrezikuar dhe të ardhmen e elitës drejtuese të saj. Të nisë një proces të ri zgjedhjeje, duke përfshirë në radhë të parë kreun e opozitës dhe kandidatin për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Basha le të rrijë kryetar i PD-së properëndimore, por duhet të ofrojë një proces jashtë seksioneve e grup seksioneve të partisë së tij. Nëse në një votim, që mund të jetë primar, apo edhe në një sondazh publik, pasi ka dalë nga një proces diskutimi, del ai vetë si kandidat, edhe më mirë. Por mjafton të rrisë rrezen e veprimit social e politik të komunitetit opozitar.
Ka prej vitit 2021, që opozita e ka përditë reflektorin mediatik, por mungesa e një debati e diskutimi real po e ndëshkon.
Basha i ka idetë e tij, që siç thotë i ka diskutuar me demokratët e bazës, por ata nuk janë sot një grup që mund ta tërheqë shoqërinë. Duhet që PD të thërrasë, (mënyrat janë të ndryshme), aktorë që janë të gatshëm të furnizojnë me ide e të diskutojnë për një dekalog të ri politik me shqiptarët. Në mënyrë që vendi të ketë një opozitë alternative që të mund të vijë në pushtet.
Mund të ndodhë që në këtë proces, Basha të mos radhitet si kandidati më i preferuar për kryeministër të ardhshëm, por në fund kjo nuk ka rëndësi. Duhet të dalë një person që votohet, e jo që prodhohet nga kancelari e shpella mediatike. Ndryshe, do të kemi Edi Ramën e marionetat e tij të teatrit politik për vite e vite. / Pamfleti
Lini një Përgjigje