Nëse Shqipëria do, dhe realisht ka nevojë për një ndryshim, i duhet të heqë Edi Ramën, sepse ai është koka e një sistemi piramidal që ka krijuar me ‘matrioshka’ ruse për të shpëtuar veten e tij...
Kur Lulzim Basha hyri në zyrën e bashkisë së Tiranës, dhe një nga mbështetësit e tij për të sjellë fat, theri një dash, duke spërkatur me gjakun e tij godinën e kryeqytetit, personin që e zuri gjaku nuk ishte as Luli, as doktori, por Edi Rama.
Edhe pse humbi një pushtet që i siguronte gjysmën e fuqisë ekonomike të vendit, Edi Rama u eksitua aq shumë, sa siç e ka thënë edhe vetë, telefonoi botuesen Arlinda Dudaj dhe i tha që të bëhet gati për një libër të madh në Panairin e Nëntorit.
Dhe kështu, kryeministri i ardhshëm u ul e shkroi “Kurbanin” e tij, me një kopertinë të punuar me kujdes, që ishte një sheleg me shikim të trishtuar, e që ngjante pak a shumë me atë që Abrahamit ja dha Zoti për të mos therur të birin Ismailin, si Kurban ndaj të Plotfuqishmit.

Simboli i “Kurbanit”, duket ka qenë zilja më e ëmbël që ka kënduar në veshin e Edi Ramës, sa në momentin më të rëndë të tij, kur humbi bashkinë e Tiranës, mendoi se i erdhi ora. E në fakt pati të drejtë. Si një pagan i thekur, e nisi rrugëtimin e gjatë të pushtetit, me një kurban nga oborri i tij.
Pikërisht në fillim të mandatit të PS-së, Edi Rama, sakrifikoi kryetarin e bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjikën. Të cilin e përjashtoi nga kryesia e PS-së dhe funksionet e tjera, e ja lëshoi Adriatik Llallës që ta shqyente.
Në parti hapi fjalën se e lëshoi Shpëtimin se i kishte dhënë lejen e ndërtimit familjes së Lul Bashës për të ndërtuar hotelin në Ujin e Ftohtë. Por që pak vite më parë, ishte qeveria e Edi Ramës që i dha 12 milionë euro familjes së Bashës si dëmshpërblim për godinën e ndërtuar.
E gjitha kjo nuk ishte një akt parimor, pasi po të ishte i tillë, do të kishim një ballafaqim të fakteve dhe ngjarjeve. Se në fund të fundit, Shpëtim Gjika, përveçse një kryetar bashkie ishte edhe një drejtues politik i PS-së për vite e vite.
Edi Rama dha kështu mesazhin e qartë se pushteti i ri kërkon një sakrificë të madhe “gjaku” për ta çimentuar. Në një ngjashmëri thuajse identike me Enver Hoxhën i cili e nisi ngjitjen me pushkatimin e dhëndrit të tij- burrit të motrës: Bahri Omarit.
Naivët, që mendonin se ai ekzekutim do ta shkurtonte jetën politike të Enverit, përjetuan shumë shpejt zhgënjimin. Sepse, të gjithë këto që iniciuan dobësimin e Enver Hoxhës, duke i sulmuar njerëzit e tij të afërt, thjesht afruan fundin e tyre.
Koçi Xoxe, sa erdhi në qeveri, gjëja e parë që bëri ishte mënjanimi i Mehmet Shehut, me shpresën se do të dobësojë Enverin. Koha tregoi se gaboi.
Mënjanimi i Mehmetit e forcoi Enverin, i cili e ngriti shumë lart, sa e bëri kryeministër dhe më pas e goditi dhe e shkatërroi fare. Siç goditi të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt të tij.
Njësoj veproi edhe Edi Rama. Pasi goditi Shpëtim Gjikën, kryetarin e bashkisë, ku kandidoi për deputet, pak vite më pas goditi njeriun më të afër të tij, Saimir Tahirin.
I cili realisht u kthye në personazhin që realizoi në afat shkurtër kërkesat dhe urdhrat e Edi Ramës për sigurinë publike dhe policinë e shtetit. Kjo luftë e Saimir Tahirit për të arritur objektivat që Partia Socialiste i kishte vënë vetes, i solli edhe ekspozimin e madh. Duke e kthyer në armikun më të madh të Ilir Metës dhe Sali Berishës. Të cilët, njësoj si Koçi Xoxe me shokë, u treguan naivë, që ndërmjet goditjes së bashkëpunëtorëve mund t’i merrnin krahët Edi Ramës.
Edi tregoi se është edhe më i tmerrshëm se Enver Hoxha. Dhe e ka përsëritur disa herë se “unë jam vetëm në këtë botë”. Bashkëpunëtorët, ai i ka konceptuar gjithmonë si personazhe për t’i hedhur, si trofe lufte.
Ashtu bëri pas Saimir Tahirit me dy bashkëpunëtorë të tjerë të afërt të tij: Ditmir Bushatin dhe Damian Gjiknurin. Dy nga emrat më të rëndësishëm në PS, njëri në fushën e marrëdhënieve me jashtë, e tjetri në fushën e ligjit.
Ditmir Bushati, ishte ministri i Jashtëm ndër më të rëndësishmit që ka pasur Shqipëria, i cili arriti të ketë një akses dhe aktivitet politik të nivelit të lartë në 5 vitet e mandatit të tij.
Ashtu si edhe me të tjerët, edhe me Bushatin, opozita nisi një betejë të gjatë sulmi, frontale dhe poshtë brezit.
Në vitin 2019, kur Edi Rama u përball me një protestë të fortë studentësh, që rrezikoi seriozisht pushtetin e tij, largoi Ditmir Bushatin dhe e zëvendësoi me një ‘kastravec’ që kujtonte se Naim Frashëri është ende gjallë.
Dhe në mes të një negociate historike me Greqinë, për të diskutuar uljen e tensioneve mes dy vendeve. Negociatë, që nëse do të dilte me sukses, mund të arrinte të ishte politikani i vetëm i suksesshëm socialist që arriti diçka brenda një mandati. Vonë, shumë vonë, Ilir Meta, në kulmin e imazhit të tij negativ e mori në mbrojtje jo hapur, po me kulisa, duke i prishur më shumë punë Ditmirit sesa t’i rregullojë.
Rama largoi më pas Damian Gjiknurin, i cili ishte një socialist karriere nga ata me “asht”, ‘figlio d’arte’, djalë i një deputeti me reputacion i të majtës si Lekë Gjiknuri, një nga shkencëtarët e natyrës dhe mjedisit, që s’pati kurrë pushtet ekzekutiv.
Hoqi Damianin, duke shpërndarë thashetheme e baltë, për ta zëvendësuar me “shtrigën” e tij, Belindën.
Pasi i hoqi këto të dy, ofroi një ekonomiste nga Shkodra, të cilën e bëri deri edhe zëvendës Kryeministre. Kush e mban mend sot Senida Mesin? Natyrisht shumë pak! E bëri për ta kthyer në një kurban të luftës së klaneve në Shkodër, duke ja kundërvënë Ditmir Bushatit, për të favorizuar Tom Doshin.
Ashtu bëri edhe me Erion Braçen më pas, duke e larguar pas zgjedhjeve të vitit 2021. Dhe në një kohë që askush se priste afroi si njeriun më të rëndësishëm të tij, Arben Ahmetajn.
Të cilin e largoi disa muaj më pas, për t’ia servirur SPAK-ut si ‘mish të kuq’. Të cilit i tha publikisht në Kongresin e PS-së; ‘mos u mërzisni se do t’u sjell ndonjë nga të mijtë për veshi për ta hetuar’. Dhe ndodhi!
Sot po bën gati të lëshojë të tjerë nga grupi i mbështetësve të tij. Të cilët i ka vënë në poste e pozicione të rëndësishme, ku natyrshëm kanë fituar autoritet dhe influencë.
Në mënyrë krejt naive, kundërshtarët e Edi Ramës, thuajse të gjithë, i shkojnë pas në lojën e tij, duke tentuar të rrëzojnë njerëzit e afërt të tij. Derisa Rama të zgjedhë Ramizin e tij si Enveri para shtratit të vdekjes.
Një histori që këto 10 vjet i kanë dhënë padrejtësisht një kartë, sikur të gjithë ‘hanë dardha’ dhe Bablokut i mpihen dhëmbët. Në një kohë kur të gjithë e dinë se Babloku është realisht njeriu që merret jo vetëm me dardhat, por edhe me të gjithë të zinjtë e sojsëzët e këtij vendi që i ka pasur miq e partnerë.
Nëse Shqipëria do, dhe realisht ka nevojë për një ndryshim, i duhet të heqë Edi Ramën, sepse ai është koka e një sistemi piramidal që ka krijuar me ‘matrioshka’ ruse për të shpëtuar veten e tij.
Rama është si kuçedra që të vetmen zgjidhje ka t’i presin kokën, siç bëri qerosi, që më pas shpëtoi vendin duke i rikthyer ujin.
Siç e ka vërtetuar ekzaktësisht përvoja 10 vjeçare; asnjë kurban nuk e rrëzon të keqen. Sepse Rama ka devizën e Enverit: “Një bie, mijëra ngrihen”!/Pamfleti
Lini një Përgjigje