TAGS-AT E JAVËS

Editorial27 Prill 2024, 16:55

A u dorëzua SPAK përballë Ilir Metës?

Shkruar nga Pamfleti
A u dorëzua SPAK përballë Ilir Metës?
Meta në konventën e PL

Prej 3 ditësh Meta nuk e përmend më Dumanin. Ai ka harruar edhe shpërthimet emocionale. Por pse ky ndryshim kursi? Mos vallë kreu i PL arriti pazarin e radhës me SPAK?

Kur do ta arrestojë SPAK-u, Ilir Metën? Kjo ka qenë dilema e gjithë këtyre ditëve.

Krejt papritur, ish-presidenti doli duke hipur majë hekurave, bërtiste, sulmonte apo shante. Kjo dëshmonte qartë se i kishte zënë “rrota bishtin” dhe po dërgonte mesazhe në drejtim të drejtësisë që të mos ta preknin. Altin Dumani u bë target i drejtpërdrejtë i Metës, duke mos lënë gjë pa thënë për të mbi dy javë rresht. Mirëpo 3 ditët e fundit, Ilir Meta ka ndryshuar kurs.

Të enjten në mbrëmje, ai ishte i ftuar në dy intervista dhe të gjithë u habitën. Ai Meta i “tërbuar” nuk dukej askund. Kreu i PL kishte hequr dorë nga sulmet dhe kërcënimet, madje shkoi deri aty sa tha se fjalën “torollak” nuk e kishte për Dumanin, por për Edi Ramën. Po ashtu tha se me kreun e SPK nuk e kishte personale.

E njëjta gjë ndodhi dhe në intervistën e dytë, ku më shumë sulme hodhi ndaj Bashës sesa ndaj SPAK. Sot ai i vuri kapak ndryshimit të retorikës. Meta thirri Konventën e PL, pikërisht për të shmangur një arrestim të mundshëm. Teksa flitej se ndaj tij po bëhej gati urdhër-arresti, kreu i PL doli nga strofulla dhe mblodhi të vetët për të dërguar një mesazh se ka shumë militantë pas vetes. Madje në konferencë kërcënonte se do i dërgonte mbështetësit te dera e SPAK. Mirëpo sot në Konventë, fjala SPAK apo Altin Dumani nuk u përmend fare. Meta tregoi për 2 orë histori lufte dhe sulmoi Ramën dhe Bashën, por në asnjë moment drejtësinë.

Pse ky ndryshim kursi? Mos vallë kreu i PL arriti pazarin e radhës me SPAK? Është folur shpesh se Meta gjatë kohës që ishte në heshtje po punonte për të gjetur një marrëveshje me drejtësinë dhe kishte shumë dyshime. A u zbyth sërish SPAK përballë Ilir Metës? A u tremb Dumani nga kërcënimet e Likes?

Mbetet të shihet se çdo të bëjë Prokuroria, por një gjë është e sigurt: Nëse Meta nuk shkon në qeli, drejtësia ka rënë. Ai dhe Berisha janë të vetmit që në 30 vite kanë vjedhur çfarë u ka dalë para dhe sot dalin të sulmojnë dhe anatemojnë drejtësinë, duke bërë cubin ndaj qytetarëve. SPAK tani është në test dhe po ashtu edhe Altin Dumani, i cili ka deklaruar shpesh se prokurorët nuk ndikohen nga sulmet politike dhe do të godasin këdo që ka vjedhur shqiptarët. /Pamfleti

Lini një Përgjigje