Kryeministri në mandatin e tretë dhe në përpjekjen për të marrë të katërtin, del si një ‘ujk’ që ka ndërruar qimen, ka bërë depilim me lazer. Kërkon ndjesë, e bën zërin e butë, dhe miklon personazhe medemek opozitarë…
Kur Sali Berisha manipuloi me zjarr e me dru zgjedhjet e majit 1996, opozita bojkotoi parlamentin dhe nuk e pranoi as rezultatin e as Berishën si zgjidhje problemi.
Çarja ishte bërë e qartë dhe Komuniteti ndërkombëtar shpalli presidentin e kohës, pra Sali Berishën si fajtorin e asaj drame. Siç ndodh në këto raste, mendohen opsionet e zgjidhjeve, që në fund do çonin në një proces zgjedhor të ri.
Në mes të këtij procesi, një deputet i opozitës socialiste nga Gramshi, Sali Rexhepi, një mjek në profesion që e njihte personalisht, hyn në parlamentin që nuk e njihte askush dhe i jep një ‘grimcë’ legjitimiteti Sali Berishës.
Kjo nuk se i shërbeu pushtetit, por akti që kreu mjeku nga Gramshi u quajt fenomeni ‘salirexhep’.
Në një kuptim të tillë ishte edhe ajo shfaqje e pakëndshme e Mark Markut, në folenë e marimangave, qendrën e propagandës së pushtetit të Edi Ramës, kur doli në podkastin e Bablokut.
Ajo dalje e Mark Markut, ka ndihmuar mjaft në imazhin e Ramës, mund të ketë ndihmuar edhe për gjëra të tjera vetë profesor Markun- këtë nuk e dimë, por ajo që dimë është se opinionit publik dhe opozitës i ka bërë dëm të madh.
Nuk ka asnjë problem që personazhe opozitare edhe të takohen me kryeministrin. Madje duhet të ishte një zhvillim normal në këtë vend, sepse kështu ndodh në vendet e zhvilluara. Me kundërshtarin politik duhet folur, diskutuar dhe bërë marrëveshje.
Sepse edhe në luftë, kur vriten e sakatohen njerëz, palët-pra armiqtë, takohen dhe bëjnë marrëveshje për armëpushim, kalim të të plagosurve, trajtim të robërve, ndihma për civilët etj etj.
Por kjo opozitë, për 11 vjet që Rama ka marrë pushtetin, na e ka vizatuar si një përbindësh, njeri që nuk bisedohet, njeri që duhet rrëzuar para se të hyjë në zgjedhje e gjëra të tilla.
Një nga këto protagonistë të kësaj narrative ka qenë edhe Mark Marku që është përplasur në studion e Fevziut me Ramën.
Por duket se e gjitha kjo paska qenë teatër, paska qenë një shfaqje, se në fund të fundit, mund të flitet edhe qetë-qetë, siç foli Marku në podcast, me Bablokun.
I cili në mandatin e tretë dhe në përpjekjen për të marrë të katërtin, del si një ‘ujk’ që ka ndërruar qimen, ka bërë depilim me lazer. Kërkon ndjesë, e bën zërin e butë, dhe miklon personazhe opozitarë.
Mirëpo sot nuk është koha për të nxjerrë ‘qingj’ Erdoganin tonë, por për ta izoluar atë, në mënyrë që sa më shpejt të vijë koha, që ai të largohet. Sepse kështu ndodh gjithmonë me liderët autoritarë, ata duhet të refuzohen dhe izolohen. Me një fjalë, e vetmja zgjidhje është të bësh betejë ndaj tyre.
Është shumë vonë për një marrëdhënie normale me pushtetin e Ramës. Opozita, këtë duhet ta kishte bërë që në fillim, duke marrë përgjegjësitë e saj kontrolluese të qeverisjes, e kështu të ndërtonte një alternativë që të vinte si propozim më cilësor dhe më popullor se Babloku.
Sot, kur ai po kthehet në një mbret, nuk ka lidhje asnjë miklim, nuk ka lidhje asnjë qëndrim europianist përballë një pushteti që ka çimentuar dominimin e tij në çdo qelizë të shoqërisë.
Ose mund të ndodhte, nëse Edi Rama do të hapej për reforma strukturore, ku jo vetëm t’i mundësonte opozitës dhe shoqërisë mekanizmat e kontrollit, por të ofronte një sistem zgjedhor e kushtetues të hapur për 2025-n.
Mark Marku, mund të jetë kënaqur atë një orë bisedim me “artistin” politikan, por i ka dhënë një goditje të gjithë atyre opozitarëve që e kanë adhuruar nëpër ekrane kur e quante hajdut dhe të lidhur me krimin.
Duke parë këtë zbythje të ish-kreut politik të qarkut Lezhë, me të drejtë çdo opozitar është vrarë rëndë në shpirt, duke menduar se kështu do të përfundojnë të gjithë. Madje edhe më keq, duke pranuar tezën se këta janë bashkë të gjithë e thjesht bëjnë shfaqje. Që në të vërtetë nuk gabojnë. Por pikërisht kjo dalje e Mark Markut, apo edhe miqve të tij që bëjnë sikur luajnë opozitash e bredhin në avione me shefat e mazhorancës, do të ulë edhe nervin e shoqërisë. Ndaj kësaj opozite nuk i del kush për të reaguar, sepse e dijnë që çdo rast e përdorin për të bërë Pazar, e jo për të luftuar me të keqen. Siç ndodhi së fundmi edhe në Kuvend, kur Berisha, nga arresti i shtëpisë pranoi kushtet e Ramës, duke marrë ca kocka për t’i lëpirë e për të shtyrë ca kohë./Pamfleti
Lini një Përgjigje