
Le të bëhen vëllezërit Devolli sipërmarrës së Kosovës e jo të “Djakovicës”, e më pas të shiten si viktima.
Para disa vitesh në rrugët e Kosovës kemi parë një skandal të përmasave të vendeve oligarkike. Vëllezërit Devolli, që janë ndër banorët më të kamur të Kosovës, publikuan postera gjigandë nëpër rrugë e magjistrale, ku gazetarin Berat Buzhala e ironizonin si gomar, e kryeredaktoren e “Kosova Sot”, Margarita Kadriu, si një lopë.
Në çdo vend demokratik, ata që i shkruajnë dhe i financojnë këto postera do të ndiqeshin penalisht për sulm ndaj individëve dhe lirisë së mediave, e subjekti do të ndëshkohej administrativisht nga institucionet. Por në realitet, Devollët nuk pësuan gjë. Pas asaj foreje, ata blenë një nga televizionet kombëtare të tregut mediatik-Klan Kosovën.
Devollëve nuk u hyri asnjë gjemb në këmbë për këtë skandal të madh, sepse kishin mik Hashim Thaçin. Madje jo mik, por më shumë se kaq. Ata ishin oligarkët e tij. Merrnin tenderë, përdoreshin për të financuar fushatën, e madje edhe për të përçarë opozitën, siç bënë me fraksionin që donte t’i merrte postin Albin Kurtit.
Devollët janë sipërmarrës që merren kryesisht me mallra ushqimore primare për njerëzit e kafshët. Thuajse pjesën më të madhe të lëndës së parë dhe biznesit e marrin nga Serbia.
Me një fjalë, natyrisht si shumë sipërmarrës të tjerë të Kosovës ata janë klientë të mirë të Serbisë në ekonomi. Deri këtu është zgjedhje e tyre, por në momentin që ata juridikisht janë regjistruar në Maqedoni si një subjekt tregtar që eksporton e importon në Serbi, e janë regjistruar si një person juridik i një lokacioni që Serbia e njeh të vetin, këtu jo ka problem por është skandal.
Serbia nuk e njeh Kosovën e nuk lejon që bizneset e saj të kenë nipt të Republikës së Kosovës. Përveç Devollëve, ka edhe biznesmenë të tjerë që janë regjistruar me nipt Kosovo i Metohije, pra si pjesë e Serbisë, siç ka edhe shumë po shumë shtetas të Kosovës që kanë pasaportat e Republikës së Serbisë.
Por një subjekt i tillë juridik, që është regjistruar si një person ligjor jo i Republikës së Kosovës por i krahinës Kosovo i Metohije, nuk ka moral të hapë e financojë media kombëtare në Republikën e pavarur të Kosovës. Nëse Klan Kosova, kërkon të vijojë aktivitetin e vet në këtë Republikë, duhet të jetë subjekt tregtar e ligjor i saj, përndryshe le ta quajë kanalin televiziv si një filial apo media të Serbisë.
Devollëve, mjafton që të ndryshojnë shkresën e themelimit tregtar, e ta çojnë në gjykatë. Por ata s’e bëjnë se kështu Serbia nuk i pranon si klientë e nuk i lejojnë të bëjnë biznes.
Po ani, a nuk kanë bërë mjaft deri më sot. Le të bëhen vëllezërit Devolli sipërmarrës së Kosovës e jo të “Djakovicës”, e më pas të shiten si viktima.
Në realitet ata janë viktima, por të bosëve të tyre në Beograd, që nga Vulini e Vuçiç, por jo të Republikës së Kosovës. Sepse nuk denjojnë as të regjistrohen në shtetin që jetojnë./Pamfleti
Lini një Përgjigje