TAGS-AT E JAVËS

Editorial30 Qershor 2024, 10:05

Partnerët, të lemerisur me kaosin e Spitalit të Traumës

Shkruar nga Pamfleti
Partnerët, të lemerisur me kaosin e Spitalit të Traumës
Edlira Bode

Spitali Ushtarak ka humbur hierarkinë e ekselencës, fuqinë e kërkimit shëndetësor, por edhe aftësinë menaxheriale të burimeve të tij...

Në linjën e një përplasje globale të Perëndimit me Rusinë, përveç bazës së Kuçovës, NATO ka planifikuar që edhe spitali ushtarak i Shqipërisë të jetë në gatishmëri për ndonjë emergjencë të mundshme.

Kjo sepse prej kohësh, NATO, e ka konsideruar Spitalin Ushtarak të Tiranës, si më të rëndësishmin në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Mirëpo, kur një grup i IBAN, auditit të NATO-s, ka ardhur vetë ta shohë nga afër situatën është lemerisur me atë që i kanë parë sytë.

Spitali Ushtarak i Tiranës, prej vitesh nuk ekziston më, e quhet Spitali i Traumës, ku një pjesë menaxhohet nga ministria e Shëndetësisë, e një pjesë nga Ministria e Mbrojtjes.

Pra në teori, në një rast emergjence ky spital mund të kthehet në një spital ushtarak me fuqi të plotë. Madje, një bërthamë e Spitalit të Traumës, janë efektivë të Forcave të Armatosura dhe kanë edhe gradat e kërkuara ushtarake.

Megjithatë, drejtoresha aktuale e Spitalit Ushtarak, Edlira Bode, e ka kthyer situatën në një kaos të vërtetë në shpërndarjen e personelit, kryesisht atij drejtues.

Një raport i posaçëm për situatën te Trauma, bën të ditur se emërimet e drejtoreshës e kanë kthyer këtë institucion, në një grup besnikësh, të cilët nuk kanë rekuizitat profesionale, por thjesht janë të besuarit e drejtoreshës.

Nga ana tjetër është zbuluar se një pjesë e personelit as nuk shkon fare në punë, por ekziston thjesht në bordero. Nga ana tjetër, menaxhimi i gjendjes së dhomave dhe ambjenteve të trajtimit të mjediseve është konsideruar skandaloze. Madje janë bërë foto e video të këtyre mjediseve, ku gjithçka është parë kaotike, aspak të ngjashëm me një spital të nivelit të lartë, që mund të kthehet në ushtarak në një moment oportun.

Raporti thekson se zgjidhja e bërë nga ministri Peleshi për të sistemuar thjesht një kolege të tij deputete e Korçës e ka degraduar spitalin e Traumës.

I cili ka humbur hierarkinë e ekselencës, fuqinë e kërkimit shëndetësor, por edhe aftësinë menaxheriale të burimeve të tij.

Spitali i Traumës është një hangar i madh ku ka humbur çdo aspekt të ekselencës së dikurshme thuhet në raport, e audituesit e NATO-s, i kanë kërkuar qeverisë që të ndryshojë menjëherë situatën, duke vendosur një drejtues që ta ndryshojë urgjent institucionin.

Në këtë aspekt është përgatitur një dokument shumë i gjerë rekomandimesh që dallojnë nga rikthimi i profesionistëve në drejtim të departamenteve, por mbi të gjitha menaxhimi i duhur i burimeve, që tani sipas raportit shkojnë në xhepa të dyshimtë, që për të pritet të ketë një hetim edhe më të gjerë.

E këtu, i është kërkuar ndihma edhe institucioneve të tjera të shtetit, ku KLSH është i pari, për të bërë këtë auditim./Pamfleti

edlira bode spitali i traumës partnerët

Lini një Përgjigje

Editorial