Çfarë do të ndodhë me Evropën nëse Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen fiton zgjedhjet franceze dhe Trump fiton në SHBA në nëntor? A do të jetë në gjendje projekti evropian t’i mbijetojë një grumbullimi të tillë forcash kundër tij? Tek e fundit Franca, është e domosdoshme për këtë projekt.
Ndonëse 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë formalisht të barabarta, realiteti është se midis tyre ka dallime të mëdha. Dy vendet më të mëdha dhe më të rëndësishme ekonomikisht, Gjermania dhe Franca, janë njëkohësisht 2 nga anëtaret themeluese të BE-së.
Ndikimi i tyre jo proporcional politik brenda bllokut, është një fakt që nuk mund të mohohet.
Përpara se këto vende t’i bashkoheshin nismës në vitet 1950, si pjesë e Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, armiqësia e tyre e vjetër e kishte copëtuar Evropën nëpërmjet luftërave të panumërta.
Me humbjen dhe ndarjen e Gjermanisë në vitin 1945, Gjermania Perëndimore, që ishte nën mbrojtjen e SHBA-së dhe Francës, pati shansin të pajtohet dhe të hedhë themelet për një paqe të qëndrueshme. Traktati i Romës i vitit 1957, ndihmoi jo vetëm për të përshpejtuar rindërtimin e Evropës Perëndimore të shkatërruar nga lufta.
Por ai krijoi edhe një rend të ri politik evropian (perëndimor). Duke e integruar përgjithmonë Gjermaninë Perëndimore dhe Francën, ai eliminoi më në fund edhe burimin tradicional të luftërave të mëdha evropiane. Nuk është e tepruar të thuhet se pajtimi i këtyre dy armiqve tradicionalë pas Luftës së Dytë Botërore, është arsyeja pse ekziston sot Bashkimi Evropian.
Por rruga deri në pikën ku janë gjërat sot, nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Në vitin 1954, një përpjekje e hershme për të krijuar një Komunitet Evropian të Mbrojtjes u prish kur Asambleja Kombëtare Franceze e hodhi poshtë këtë propozim. Po ashtu në vitin 2005, francezët (së bashku me holandezët) rrëzuan përpjekjen për të krijuar një Kushtetutë për Evropën.
Sot e djathta ekstreme franceze, pasi përfundoi e para në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të këtij viti, e nxiti presidentin francez Emmanuel Macron të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pra edhe një herë, e ardhmja e BE-së varet nga pyetja: Çfarë duan francezët?
Kjo pyetje është rikthyer në një moment veçanërisht të pafavorshëm: pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin, e ka rikthyer luftën në Evropë. Dhe ish-presidenti amerikan Donald Trump, duket aktualisht në një pozicion të mirë për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë janarin e vitit të ardhshëm.
Çfarë do të ndodhë me Evropën nëse Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen fiton zgjedhjet franceze dhe Trump fiton në SHBA në nëntor? A do të jetë në gjendje projekti evropian t’i mbijetojë një grumbullimi të tillë forcash kundër tij? Tek e fundit Franca, është e domosdoshme për këtë projekt.
Nëse ajo apo Gjermania do të shkëputeshin ndonjëherë prej unionit, gjithçka do të kishte marrë fund. Sigurisht, BE-ja ka 25 shtete të tjera anëtare dhe të gjitha janë të rëndësishme, disa më shumë e të tjerat më pak. Por Evropa mund të bashkëjetojë edhe me një qeveri italiane të udhëhequr nga një parti me rrënjë neofashiste.
Por ndryshon puna nëse e djathta ekstreme franceze siguron shumicën në zgjedhjet e kësaj vere dhe Le Pen fiton zgjedhjet presidenciale në vitin 2027. Sepse forcimi i një qeverie neo-nacionaliste në Francë do të kërcënonte vetë strukturën e BE-së.
Armiqtë e tjerë të brendshëm të Evropës, si kryeministri hungarez Viktor Orbán, do të ndjeheshin edhe më të inkurajuar për të vazhduar sfidën e tyre ndaj politikë-bërësve në Bruksel. Ç’është më e keqja, kjo do të ndodhte pikërisht në momentin BE-ja ka nevojë të forcohet përballë një riorganizimi më të gjerë gjeopolitik dhe teknologjik.
Ndërsa Franca ka qenë gjithnjë e ndjeshme ndaj narrativave nacionaliste, për shkak të historisë së saj Gjermania ka qenë prej kohësh e imunizuar kundër iluzioneve të tilla. Por një fitore e Tubimit Kombëtar në Francë, do t’i detyronte gjermanët të përballeshin me një pyetje politike që menduam se e kishim lënë pas nesh: A i përkasim Perëndimit, apo jemi vërtet pjesë e Lindjes?
Partitë populiste pro-ruse si Alternativa für Deutschland (Alternativa për Gjermaninë) dhe Bündnis Sahra Wagenknecht po e shtrojnë hapur këtë pyetje. Mjerisht, ata kanë fituar terren, të paktën në Gjermaninë Lindore. Një aleancë midis Trump dhe Le Pen, me Putinin në prapavijë, do të shtonte në një mënyrë dramatike kaosin në Evropë.
Fituesit e mëdhenj do të ishin Putin dhe mbrojtësi i tij gjeopolitik, presidenti kinez Xi Jinping. Putin do të hidhte një hap vendimtar drejt arritjes së objektivit të tij strategjik: rivendosjen e statusit të Rusisë si një fuqi globale, dhe më pas përdorimin e saj në një mënyrë hegjemonike mbi Evropën.
Për Evropën, ky do të ishte një kolaps, një akt i pastër vetë-shkatërrimi. Duke pasur parasysh mjedisin e ngarkuar politik në skenën globale, Macron ka vendosur një bast tejet të rrezikshëm me thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Është një bast që mund të vendosë fare mirë edhe të ardhmen e Evropës. Nëse dështon, kjo mund të nënkuptojë “Rien ne va plus!” (Nuk ka baste të mëtejshme) për Evropën./ Përgatiti Pamfleti
Shënim: Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendës/kancelar në vitet 1998- 2005. Ka qenë për gati 20 vite udhëheqës i Partisë së Gjelbër.
Lini një Përgjigje