TAGS-AT E JAVËS

Editorial21 Qershor 2024, 11:04

Është Karma o Ilir, jo Monika!

Shkruar nga Pamfleti

  

Është Karma o Ilir, jo Monika!
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta /

Nëse nuk do të ishte Monika ajo që t'ia hapte varrin me thonj, do të ishte një "zonjë" tjetër që nuk i gabon shpata kurrë. Quhet Karma, Ilir...

Pas më shumë se 3 orësh në SPAK, javën e kaluar, ku raportoi për pasurinë e vënë këto 30 vjet, Ilir Meta njoftoi nga një studio televizive se kishte depozituar kërkesën për divorc nga Monika Kryemadhi, në gjykatë.

Ata që i njohin, qeshën me të madhe me këtë lajm. Të tjerë më larg çiftit, janë shokuar. Jo pse po ndahet Iliri me Monikën, se njerëz janë edhe ata e ndodh të ndahen, por divorci i një çifti si ai, mban erë. E nëse qelbi del në sipërfaqe, ndyrësia mbulon vendin.

Një çift, si asnjë tjetër në Shqipëri, i lidhur nga martesa, fëmijët, politika dhe punët e pista, ka vendosur të divorcohet. Që nga dita kur Ilir Meta dorëzoi zyrën e Presidentit dhe u kthye ne parti, ai dhe Monika nuk kanë gjetur rehat. Iliri e gjeti partinë e shkatërruar dhe për këtë fajësoi Monikën. Iliri e gjeti veten në SPAK dhe për këtë ka kohë që me nënkuptime,  fajëson Monikën. Kontrolli që iu bë pasurive të tyre, nxori zbuluar të dhëna, të marra nga një celular i lënë në shtëpinë e mamasë së Monikës, që kompromentojnë kryekëput çiftin e famshëm të hajdutëve. "Pakujdesi" të tilla Iliri nuk po ia fal dot Monikës. Vulën e vuri dje, në të njëjtën studio televizive, ku deklaroi se, "Monika është më afër me SPAK-un se me të, por SPAK nuk e merr dot Ilir Metën, as përmes bashkëshortes, as përmes askujt tjetër".

Çfarë nënkupton kjo?

Meta po thotë që gruaja e vet e ka shitur. Meta po thotë qe SPAK i ka bërë presion dhe se ka qenë Monika ajo që ua ka krijuar këtë mundësi, pasi ka shitur emra bashkëpunëtorësh dhe prova.

Meta po thotë që Monika për të shpëtuar veten, po shkon në hell, Ilirin.

Meta po thotë që LSI-në e shkatërroi Monika dhe çdo gjë tjetër është pasojë e kësaj.

Ndoshta mund të jetë edhe kështu. Ndoshta Monika Kryemadhi, prej zhytjes deri në fyt në krim dhe punë të pista, prej paaftësisë dhe etjes për pushtet, gaboi në mundësinë që i dha burri President, për të drejtuar partinë dhe për të bërë opozitë. Nuk do të ishte aspak çudi që fundi i Ilir Metës të vijë pikërisht nga bashkëshortja e tij. Ka plot raste të ngjashme bota, ku njeriu më i afërt të hap varrin.

Por Ilir Meta harron diçka të rëndësishme. 

Nëse nuk do të ishte Monika ajo që t'ia hapte varrin me thonj, do të ishte një "zonjë" tjetër që nuk i gabon shpata kurrë. Quhet Karma, Ilir. Çfarëdo që bën në jetë, të kthehet. E mban mend bllokun, llogaritë e korrupsionit që të dolën sheshit, arin,  minierat e diamanteve, paratë e shqiptarëve që i kë bërë prona në Londër e tutje- tëhu? I mban mend kriminelët me të cilët je ulur, ke ngrënë e ke pirë, ke bërë biznes, ti dhe gruaja jote?

Nëse i ke harruar, s'ka gjë, se i mban mend Karma. Ndoshta Monika po ta fut, por do t'i vijë radha edhe asaj. Divorci nuk zgjidh asgjë!/Pamfleti

karma ilir meta monika kryemadhi

Lini një Përgjigje